Dosti firmos me Laçin, Nica: S’na intereson objektivi i Partizanit
Në vigjilje të ndeshjes së parë të fazës së tretë, që do të luhet të shtunën në “Qemal Stafa” me Partizanin, Laçi po bën gjithçka në terren, për të qenë gati.
Stavri Nica u përsëriti lojtarëve para seancës së djeshme faktin se sfida e së shtunës me të kuqtë ka tjetër specifikë.
“Kundërshtari ka pretendime serioze për titullin dhe në këtë takim do të na sulmojë me shumë forca. Natyrisht, Laçi ka objektivat e veta për këtë takim, ndaj të gjithë duhet të marrim maksimumin gjatë stërvitjes dhe të jemi kompetitivë”, u tha trajneri lojtarëve.
Ndërsa pas përfundimit të seancës së djeshme, trajneri i Laçit u shpreh:
“Siç u pa edhe sot (dje), djemtë po angazhohen fort. Duam ta nisim mbarë fazën e tretë, pasi për ne pikët janë oksigjen. Nuk duam t’ia dimë për objektivat e të tjerëve, Laçi luan garën e tij për të realizuar synimet sezonale. Brenda ka një objektiv shumë parësor, daljen me çdo kusht në Kupat e Europës. Konstatoj me kënaqësi faktin se lojtarët janë të ndërgjegjshëm për misionin e radhës. Madje ata nuk e zënë fare me gojë fitoren e Kupës dhe këtu ndihem mirë. Kjo do të thotë se te ne qëndrohet me këmbë në tokë. Fatmirësisht, grupi është i plotë me përjashtim të Mustafës. Këtë radhë do ta kem më të vështirë zgjedhjen, sepse lojtarët po tregojnë se janë të përqendruar për të dhënë më të mirën”.
Albi Dosti
Mesfushori durrsak ka firmosur kontratë 6-mujore me Laçin.
“Me Laçin sapo kam firmosur një kontratë gjashtëmujore. Kam pasur disa oferta, por vlerësova ekipin kurbinas për vetë ambiciet, si dhe prej trajnerit Nica. Laçi ka disa sezone që merr pjesë rregullisht në Kupat e Europës, si dhe synon Kupën e Shqipërisë edhe këtë vit. Pastaj, ky ekip ka një trajner të mrekullueshëm si Stavri Nica, i cili di si të motivojë dhe krijojë një grup fitues. Është ndër trajnerët që vlerësoj më shumë, pasi ka qenë edhe trajneri im i parë. Edhe drejtuesit e Laçit kanë bërë një punë të mrekullueshme në këto vite, kështu që të gjithë këta faktorë më bindën që të bëhem pjesë e skuadrës kurbinase, të cilëve dua t’ua shpërblej besimin e dhënë”, tha Albi Dosti për “Panorama Sport”.
Përgatiti: Isuf Myrtaj/ Jeton Rexhmati
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"