Dosti firmos për Shibenik: Është një sukses i madh
Albi Dosti do të firmosë një kontratë 1-vjeçare me ekipin kroat të Shibenik që militon në Kategorinë e Dytë. Mesfushori ndodhet prej tri ditësh në Kroaci, ku ka zhvilluar stërvitje dhe është parë nga stafi teknik.
Ish-lojtari i Teutës, Kukësit dhe së fundmi Laçit ka vendosur që të nisë një aventurë të re jashtë Shqipërisë. Nga kurbinasit po largohen lojtarë thuajse çdo ditë dhe situata nuk është aspak e mirë.
Shibenik ishte shumë pranë kalimit në Kategorinë e Parë disa javë më parë, por u mund në “play out” nga Istra vetëm pas goditjeve të penalltive.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Dosti nga Kroacia shprehet: “Prej disa ditësh jam në Kroaci dhe dua ta ndaj me ju që po firmos një kontratë 1-vjeçare me Nk Shibenik.
Aktualisht kjo skuadër militon në Kategorinë e Dytë, por që synon për t’u ngjitur në elitë. Kam pasur disa oferta nga klube shqiptare, por kjo ka qenë arsyeja e refuzimit tim.
Gjithsesi, gjej rastin t’i falënderoj për interesimin dhe vlerësimin që kanë treguar ndaj meje. Një tjetër arsye që më ka shtyrë drejt Kroacisë është edhe vëmendja që tregohet këtu ndaj lojtarëve”, ka përfunduar prononcimin e tij Dosti.
Jeton Rexhmati
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"