“Dr. Armillotta ka të drejtë”
Në lidhje me shkrimin e botuar dje në “Panorama Sport” me titullin “Shqipëria në fazën finale? Nuk është hera e parë” me autor studiuesin e mirënjohur italian të sportit shqiptar, Dr. Giovanni Armillotta, ne kërkuam edhe një mendim prej bashkëpunëtorit tonë, gazetarit Besnik Dizdari, i cili, përveç të tjerave, ka shkruar në shqip historinë “Kupa e Europës” në dy vëllime. Mbasi e kishte lexuar shkrimin, Dizdari na u përgjigj me këtë reagim të tij:
Nga BESNIK DIZDARI
Që 24 orë mbasi Sh qipëria, në mënyrë thuajse të bujshme, kualifikohet për në finalet e Kampionatit Europian ose Kupa e Europës “Henri Delaunay”:, siç njihet, del një njeri dhe të thotë e të shkruan se: “Shqipëria më 1964 ka qenë po midis më të mirave”, këtë mund ta argumentojë vetëm një studiues i kalibrit të Dr. Armillotta-s. Jashtë Shqipërisë, madje edhe në Shqipëri, nuk mund të ketë një të dytë që ta ndjekë, ta “zbulojë”, ta përimtojë, ta statistikojë, ta historizojë sportin shqiptar si miku ynë Giovanni Armillotta, përveç të tjerave pedagog i politologjisë dhe i gjeopolitikës të sotme, botues e profesor në universitete italiane, ndërkaq edhe mbajtës i Çmimit tonë “Anton Mazreku”. Nëse e lexon me vëmendje këtë ese historike të tij, edhe sikur të nisësh ta kundërshtosh, nuk ia arrin. Që Shqipëria ka fituar dy herë 3-0 ndaj Greqisë më 1962 dhe 1963 pa luajtur, pra me vendim, kjo është e palëkundshme. Sepse, ndryshe, si shkoi Shqipëria në turin tjetër? Kështu pra, që Shqipëria ka hyrë në 16 skuadrat më të mira të Kampionatit të dytë Europian (1964) edhe kjo është krejt e qartë. Që në turin tjetër Shqipëria u eliminua prej Danimarkës me golavarazh (4-0 e 0-1) gjithashtu edhe kjo dihet. Ajo që të shtyn në diskutim është nëse Shqipëria është renditur e 9-ta apo jo, siç argumenton me profesionalizëm të lartë Dr. Armillotta. Një gjë dihet, UEFA nuk ka bërë një renditje përfundimtare të Kampionatit 1964. Ajo ka bërë një renditje vetëm për katër finalistët e Kampionatit: Spanja – e para, pra Kampione, Bashkimi Sovjetik – i dyti, pra Nënkampion, Franca – e treta, Çekosllovakia – e katërta. Për skuadrat e tjera, ajo nuk ka bërë një renditje. Në librin tim të parë, “Kupa e Europës”, kam shkruar fjalë për fjalë: “… Dhe janë grekët ata që nuk duan të ndeshen me shqiptarët! Ruhet gjendja e luftës qysh më 1940, e cila do të donte e pakta edhe 20 vjet të tjera për t’u hequr! Ky ishte “suksesi” i parë i Kombëtares së Shqipërisë në Kupën “Henri Delaunay”: në 16 më të mirat e Europës pa luajtur kurrë një minutë! Në të vërtetë “suksesi” më i madh i deritanishëm për Kombëtaren e Shqipërisë, e cila asnjëherë nuk do të mbërrinte më deri këtu”. Interesantja është, ndërkaq, se në librin e parë, “Kupa e Europës”, kur kam renditur ndeshjet e 1/16- ave, nuk kam shënuar dy herë 3-0 për dy ndeshjet Shqipëria – Greqia, Vetëm kam thënë se “tërhiqet Greqia”. Deri atë ditë askund ne nuk kemi gjetur Shqipëria – Greqia 3-0 / 3-0. Mirëpo, krejt papritmas, më 2005, në Web-in e pasuruar të UEFA-s gjeta dokumentin zyrtar që Shqipëria – Greqia është 3-0. Botova në gazetën “Tema” shkrimin e famshëm “40 vjet në luftë me Greqinë” duke i bashkëngjitur dokumentinprotokoll të UEFA-s, që e ribotojmë sot edhe këtu. Renditja nga vendi i 5-të deri në vendin e 27-të që ka bërë Dr. Armillotta është një gjetje faktike fantastike. Ajo flet me shifra të qarta dhe nuk mund ta kundërshtojë askush. Praktikisht, ndonëse jo ligjërisht, Shqipëria është e 9-ta në Kampionatin Europian të vitit 1964. Mbrapa saj janë plot 18 shtete. Ky është fakti historik i palëkundshëm. Tjetër punë se Shqipëria nga tri prej fitoreve të saj, dy i ka me vendim të UEFA-s. Paksa ashtu si dhe Kombëtarja e sotme, e cila një fitore e ka 3-0 me vendim, atë me Jugosllavinë, çka merret me mend se ndikoi tejet për të zënë vendin e dytë në grup dhe për t’u përfshirë midis 24 skuadrave finaliste të FRANCA 2016. Përse nuk i ka të publikuar sot më UEFA dy skedat 3-0 të ndeshjeve Shqipëria – Greqia të 21 qershorit 1962 dhe të 31 marsit 1963? Kjo është një enigmë që i takon ndoshta Federatës Shqiptare të Futbollit ta kërkojë. Dr. Armillotta lëshon tezën se ato që i gjetëm te dokumentacioni i UEFA-s në vitin 2005, e pra që i ka edhe Dr. Armillotta, “UEFA mund t’i ketë hequr prej trysnisë greke”. Është disi ende e pamundur ta vërtetojmë këtë mbrapaskenë nëse vërtet ajo ekziston. E kushedi!… Ajo që qëndron pa mëdyshje është statistika e rezultateve të Kampionatit Europian 1964, që siç e kemi parë në shkrimin e Dr. Armillotta-s, është krejt bindëse. Pa sentimentalizëm për të atëhershmen dhe as për të sotmen, mendoj se na duhet të pranojmë që në Kampionatin e vitit 1964 Shqipëria është renditur e 9-ta. Është 53 vjet më parë. Ashtu siç duhet të pranojmë se Shqipëria ka zhvilluar vetëm një ndeshje të mirë, atë të fituar 1-0 me Danimarkën në Tiranë dhe nuk ka bërë diçka tjetër. Nuk ka qenë pak për asokohe ndeshjesh të para për ne. Ashtu siç duhet të pranojmë se Shqipëria e sotme është e renditur e dyta në grupin e saj, duke bërë jo një, por disa ndeshje të mrekullueshme fitimtare, teksa madje edhe në humbjet ajo ka qenë tërheqëse. Me sa duket, në largë- si 52-vjeçare do të “shohim” një duel informal të Shqipërisë 1964 e 9-ta e Europës dhe kësaj të 2016-ës për herë të parë në finalet gjigante të 24 skuadrave finaliste të EURO 2016. Është bukur e gjitha kjo! E të duket si një duel “i vogël” shqiptarësh të dy shekujve: atyre të shekullit XIX dhe këtyre të shekullit XXI, kur mbërriti suksesi ende i pamendueshëm i shekullit të ri…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"