Drama e mesfushorit të Skënderbeut, 4 sezone i dëmtuar: Ndihem borxhli ndaj klubit, tani jam gati!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2018 | 22:46

Drama e mesfushorit të Skënderbeut, 4 sezone i dëmtuar: Ndihem borxhli ndaj klubit, tani jam gati!

Një histori dhimbjeje dhe suksesi mund të quhet ajo e Leonit Abazit te Skënderbeu. Mesfushori nga Gjilani është transferuar në Korçë në vitin 2013, kur sapo kishte mbushur 20 vjeç. Ai shihej si një lojtar me të ardhme të ndritur dhe me kampionët do të përshtatej që në sezonin e parë. Me shpejtësinë e tij dhe aftësinë me topin do të fitonte shumë shpejt një vend të rëndësishëm në formacion.

leonit abazi

Të shumtë ishin ata që e quanin djaloshin nga Gjilani si xhevahirin më të madh të korçarëve. Por, në momentin më të mirë të tij, pikërisht në tetor të vitit 2013, në atë ndeshje të luajtur në “Loro Boriçi” kundër Vllaznisë, vjen dëmtim fatkeq, duke e detyruar të qëndrojë plot 301 ditë larg fushave. Abazi humb të gjithë sezonin, por në momentin kur pritej të rikthehej, dëmtimi nuk i kishte kaluar plotësisht. Problemet do ta ndiqnin edhe në tri sezonet pasardhëse, aq sa u mendua se karriera e tij ishte e mbyllur.

Por, kur shpresat vinin duke u zbehur, Abazi u ngrit sërish dhe tregoi se është po ai lojtar me aq shumë peshë sa të gjithë prisnin në fillim. Shenjat u dhanë sezonin e kaluar, kur u kthye të luajë sërish në Shkodër në vendin e dëmtimit dhe ia doli. Ndërsa tani i bie një detyrë e vështirë, por ndoshta ajo që Abazi e kishte pritur. Largimi i Micit nuk u përjetua me “dhimbje koke” në Korçë, pasi djaloshi nga Gjilani, tashmë 25 vjeç, është gati dhe tregon se pret me padurim të marrë rolin e protagonistit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Abazi tregon peripecitë e kaluara në këto vite dhe si ia doli.

RRËFIMI – “Dëmtimi për mua ka qenë me të vërtetë një dramë e madhe. Një dëmtim shumë i rëndë për një 20-vjeçar dhe normalisht që e përjetova keq. Më e rënda ishte kur isha drejt rikuperimit dhe dilnin probleme sërish, por asnjëherë nuk kam menduar që mbaroi me kaq. Futbolli është pasioni im dhe kjo më mbajti në këmbë. Pa dyshim që këtu ka meritë të madhe edhe familja, por mbi të gjitha Skënderbeu. Shokët më prisnin dhe më shkruanin çdo ditë. Doktori Jorgo Pantazi më ka qëndruar te koka, derisa jam ngritur të luaj sërish.

Edhe presidenti Takaj ka bërë shumë për mua dhe dua që t’ua shpërblej me çdo kusht. Skënderbeut i kam shumë borxhe dhe erdhi koha që të them unë fjalën time”, deklaroi Abazi. Largimi i Micit ishte edhe njëfarë dhurate për të, me qëllim që të tregonte vlerat e tij në fushë në krahun e majtë të mbrojtjes. Por, kosovari mendon ndryshe. “Largimi i Micit nuk ishte gjë e mirë, pasi është një lojtar shumë i fortë dhe mjaft i rëndësishëm për një ekip. Pavarësisht se m’u krijua hapësira, do të doja që Micin ta kishim në ekip. Tani më bie mua pesha e krahut të majtë. Nuk e di, është një gjë që e vendos trajneri Shehi dhe është ai që cakton lojtarët. Unë jam gati të jap maksimumin për të bërë një sezon të madh”.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"