Dramë në Elbasan, Alikaj: Na hoqën bukën një javë, hanim byrekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2016 | 0:15

Dramë në Elbasan, Alikaj: Na hoqën bukën një javë, hanim byrekë

Enkel Alikaj, një nga pesë anëtarët e “grupit armiqësor” që u pezulluan nga skuadra e Elbasanit për shkak se kanë nxitur bojkotin e skuadrës dhe dëmtuar imazhin e ekipit, rrëfehet në një intervistë për “Panorama Sport” për gjithçka ndodhi këtë periudhë në Elbasan. Ai akuzon se klubin e drejtojnë komunistë, të cilët veprojnë me metoda komuniste. Sipas tij, në Elbasan iu hoq edhe buka një javë para përjashtimit, mungonte baza materiale dhe shkonte në ndeshje me xhinse.

Për mesfushorin nuk do të ketë më kthim pas për të vazhduar më në Elbasan dhe preferon më mirë ta lërë futbollin sesa të bashkëpunojë me këta drejtues, të cilët, sipas tij, po e shkatërrojnë futbollin në këtë qytet. Për Alikajn, jabanxhinjtë u bënë “koka turku”.

elbasani rrogat

Enkel, si ju njoftuan për pezullimin nga skuadra?

Shkuam normalisht të gjithë në orarin e stërvitjes, kur pashë që disa nga djemtë e rinj nuk ishin zhveshur për stërvitjen. I pyeta dhe më thanë që nuk kishte para për ne. Normalisht më erdhi shumë keq, sepse në momentin që vendosëm të mos kryenim stërvitje, ata ishin së bashku me pjesën tjetër të ekipit. Shkova te dhoma e trajnerit për t’u interesuar dhe aty ishte edhe Kotorri. I thashë që të hiqnim të gjithë nga 50 mijë lekë (të vjetër) dhe t’u plotësonim diçka edhe atyre të rinjve. Në këtë moment ndërhyri trajneri dhe më tha: “Bëre mirë që erdhe dhe ulu pak”.

Çfarë ju tha trajneri?

Më thotë që kryesia e klubit kishte vendosur që ne jabanxhinjtë të mos stërvitemi për një afat njëmujor. Domethënë që na kishin përzënë nga klubi. A thua sikur ishim ne të vetmit që nuk dolëm në stërvitje dhe ishim ne problem që gjërat nuk po shkonin në rrugën e duhur.

Më pas pritët administratorin?

Sigurisht, i cili vjen dhe na komunikon vendimin e marrë.

E prisnit diçka të tillë?

Të them të drejtën, nga eksperienca që kam, e prisja një gjë të tillë. Përderisa nuk po paguheshim dhe buka na u hoq një javë më parë, ishte diçka e pritur dhe neve jabanxhinjve do të na binte përgjegjësia.

Si ju hoq buka?

Po pra, ushqeheshim me paratë tona. Hanim byreqe dhe sanduiçë me paratë tona, madje na kanë qerasur edhe shokët e skuadrës. Kjo ka ndodhur ndeshjen e fundit me Dinamon.

Ju ka ndodhur ndonjëherë si në Elbasan?

Kam parë dhe provuar shumë gjëra gjatë karrierës sime. Por, ishte e thënë që të provoja edhe këtë diskriminim do të thosha si para kohës së demokracisë, si në diktaturë. Megjithatë, mua nuk më habit ky fakt, sepse aty ka njerëz të cilët vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik sistemit komunist.

Cilët janë ata?

E dinë mirë ata kush janë. Bëhet fjalë për njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me sportin dhe që kanë marrë në qafë një qytet të tërë, i cili është përkrahës dhe dashamirës i sportit. Nuk ka shumë vend për koment dhe nuk ka asnjë logjikë që të habitem me atë që ndodh aty, sepse aty nuk funksionon asgjë.

elbasani rrogat1

Çfarë nuk funksionon aty?

Kam bërë një kontratë me klubin e Elbasanit, çka do të thotë që ti më plotëson kushtet mua dhe, më pas, pret të shohësh se për çfarë shërbej në fushën e lojës. Por, ti mua si sportist nuk më ushqen, nuk më paguan dhe minimumi nuk më jep as bazë materiale. Aq sa më vjen turp të shkoj në ndeshje me xhinse nga shtëpia. Atëherë, ti çfarë kërkon nga unë?!

Sipas jush, pse e pësuan vetëm jabanxhinjtë?

Ne të gjithë u përpoqëm dhe u bëmë bashkë që të përfitonim dhe të çonim pagën në shtëpitë tona. Kjo është e paprecedentë në fakt. Dhe, nuk ia fal askujt që të luajë me ndjenjat dhe vuajtjet e mia, si dhe të familjarëve tanë. E pësuam ne se nuk kishin të na paguanin, është e qartë si drita e diellit. Pastaj u duhej të bënin disa “koka turku” dhe bënë disa nga Shqipëria dhe jo nga Elbasani.

Dakord, po ju jabanxhinjtë sa lidhje kishit me bojkotin?

Aq sa kishin edhe të tjerët. Madje, Agastra, që është pezulluar si ne, nuk ka qenë fare në Elbasan, sepse ka qenë i dëmtuar dhe bënte terapi në Tiranë.

Tani si do t’ia bëni me kontratën në Elbasan?

Unë futbollin e lë dhe aty nuk shkel më, për aq kohë sa ata njerëz do të jenë aty rrotull. Ua siguroj se nuk e duan qytetin e Elbasanit ata më shumë sesa ne të pezulluarit.

Po me rrogat që keni për të marrë?

Kam edhe dy rroga për të marrë. Do t’i pres njëherë çfarë do të bëjnë dhe si do të shkojnë ngjarjet. Ndoshta pastaj do t’ia fal, sepse aty dikush është mësuar të pijë gji nga disa nëna.

Çfarë ju ka mbetur peng nga Elbasani?

Më ka ardhur shumë keq që nuk arritëm të afronim sportdashësit elbasanas. Ishte një ndër qëllimet e mia, sepse e di sesa pozitivë dhe të zjarrtë janë. Ndaj, në emrin tim, u kërkoj falje për paraqitjen tonë.

Lojtaret

Bojkot, paga dhe pezullime, ja çfarë ndodhi në një javë

Elbasanasit e nisën bojkotin e stërvitjes një javë më parë, më datën 1 dhjetor, për shkak se kishin tri paga të pamarra. Duke mos marrë përgjigje pozitive nga drejtues të klubit për likuidimin e tyre, atëherë ky bojkot vijoi edhe ditën e premte. Mirëpo, të shtunën, pas një marrëveshje me drejtuesit, lojtarët pranuan të dilnin në fushë me Dinamon, por me kushtin që të martën e 6 dhjetorit të merrnin të paktën një pagë.

Kjo gjë nuk ndodhi dhe futbollistët rinisën sërish bojkotin. Të mërkurën u jepet një pagë vetëm 15 lojtarëve kryesorë të ekipit dhe futbollistët i rikthehen stërvitjes. Mirëpo, drejtuesit marrin vendimin që të largojnë pesë “jabanxhinjtë”, pasi u panë si “kokat” e kryengritjes. Tani skuadra është e përgjysmuar për dy ndeshjet që kanë mbetur këtë vit.

Alikaj Elbasani 2

Kush është Enkal Alikaj

Kampion me Dinamon dhe Skënderbeun, si dhe pjesë e përfaqësueses U-21 në vitet 2000-2002. Enkel Alikaj është një futbollist i afirmuar, që ka luajtur në nivele të larta deri një vit më parë. E nisi karrierën me blutë e kryeqytetit në vitin 2001, duke luajtur për pesë sezone radhazi. Më pas u huazua te Apolonia për gjashtë muaj, për të kaluar te skuadra tjetër e kryeqytetit, Partizani, ku qendroi vetëm një sezon. Karriera e tij vijoi me Besën, ku fitoi Kupën e Shqipërisë.

Më pas ka luajtur për Teutën, Vllazninë, Kastriotin, Kukësin, Skënderbeun, Kastriotin dhe së fundmi Elbasanin në Kategorinë e Parë. Alikaj ka qenë pjesë e rëndësishme e Kukësit që bëri historinë në Kupat e Europës në vitin 2013, duke kaluar tri ture kualifikuese.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"