Duel krize, Tirana thyen shkodranët. Tafaji: Kështu nuk shtyhet dot më, duhet zgjidhje
TIRANA-VLLAZNIA 2-0
GOLAT: Morina 61′, Xhuti 66′
TIRANA: I.Lika, Sina, Pisha, Dushku, Ahmataj, Taku, Pashaj, G.Lika, Duro, Peposhi, Morina; (U aktivizuan: Sejdo, Ferraj, G.Muça, Pigoni, Tushe, Halili, Xhuti, Shala) Trajner: A.Tafaji
VLLAZNIA: Gjokoviç, Kraja, Beqiri, Smajli, Kryeziu, Shabani, Karahodo, Bardulla, Kaçi, Hajdari, Guri; (U aktivizuan: E.Spahija, Gjini, Semina, Belisha, etj.)Trajner: Sh.Duro
KARTONË TË VERDHË: G.Muça 54′, Ahmataj 57′
KARTON I KUQ: Gjini 70′
MINUTAT
61′ Taku kroson në zonë për Morinën, i cili para portës së Vllaznisë e shtyn topin me lehtësi në rrjetë dhe 1-0.
66′ I riu Xhuti, i sapofutur në fushë para 30 sekondash, kontrollon topin, gjuan dhe dyfishon shifrat në 2-0.
Tirana vuan, por fiton 2-0 derbin e krizës përballë Vllaznisë. Bardheblutë në miqësoren e zhvilluar dje në mesditë në stadiumin “Selman Stërmasi” kanë arritur të mposhtin shkodranët. Me mungesa të theksuara titullarësh në formacion, te kryeqytetasit pasi kanë marrë pushime të parakohshme, ndërsa te kuqeblutë pasi një pjesë janë të dënuar, u zhvillua një takim i vakët dhe pa shumë grintë. Të paktën në pjesën e parë, pasi gjatë të dytës aktivizimi i të gjithë rezervave solli edhe gola. Ekipi i Tafajit, edhe pse pa ide në 45 minutat e para, gjatë të dytës ndryshoi pamje dhe arriti që të merrte një fitore morali, falë golave të Morinës dhe të riut Xhuti.
Kriza – Ishte cilësuar si derbi i krizës, duke ju referuar gjendjeve që po kalojnë të dyja skuadrat. Të dyja nën pronësi të bashkive përkatëse, po vuajnë jo vetëm në drejtimin financiar, por edhe në rezultatet. Që të dyja janë eliminuar nga kupa dhe pretendimet e vetme që u kanë mbetur lidhen me pjesëmarrjen në Europë. Madje, në batutë e sipër, vetë trajneri Tafaji pati deklaruar se kjo miqësore do të shërbente edhe për të “qarë hallet”. Por në fund, Tirana dëshmoi se si gjithnjë, edhe mes problemeve të shumta, ata t’ia dilte.
Ndeshja – Nën një terren të rënduar dhe në një stadium, që të krijonte idenë e një shkretëtire, të dy ekipet zbritën në fushë. Gjithçka nisi qetë, edhe pse shkodranët ishin më kreativë, ndonëse para porte çalonin. Tentativa të vazhdueshme të Shabanit, Beqirit, apo Hajdarit dhe Gurit nuk ishin konkrete. Tirana është apatike dhe shumë e pasaktë, kjo ndikuar edhe prej kushteve të këqija të fushës. Kjo pjesë u mbyll me rrjeta të paprekura. E dita nis shpjet dhe me shumë lëvizje në 11-she. Të dy trajnerët, në tentativë për të provuar çdo lojtar të mundshëm që kanë në dispozicion, i dhanë hapësirat kujtdo. Bardheblutë rimarrin veten, pasi u adaptuan edhe më mirë me fushën. Vjen goli i parë, teksa në të 60-ën minutë Taku kroson në zonë për Morinën, i cili para portës së Vllaznisë e shtyn topin me lehtësi në rrjetë dhe 1-0. Vetëm 6 minuta më vonë, i riu Dario Xhuti, i sapofutur në fushë, për 30 sekonda kontrollon topin, gjuan dhe dyfishon shifrat në 2-0. I ardhur për provë, lojtari në performancën e parë te Tirana, gjen rrugën e rrjetës shumë shpejt. Minutat e fundit sjellin edhe nervozizëm, teksa Gjini ndëshkohet me të kuq, pasi gjuajti me top anësorin e ndeshjes.
Tafaji: Kështu nuk shtyhet, duhet zgjidhje financiare
Situata është më shumë se alarmante. Koha është e limituar dhe lojtarët janë të irrituar nga pritja dhe vonesat. Duan rrogat, në një kohë që parà në arkën e klubit nuk ka. Trajneri Alban Tafaji, i pyetur mbi situatën që po kalon skuadra, krizën ekonomike, shpjegon se kështu nuk shtyhet, ndaj shpreson që nga e hëna bashkia të japë një dritëhije. Madje, ai shprehet se nuk mund të mendojë për merkato, duke qenë se e quan të pandershme të kontaktojë me lojtarë të tjerë pa shlyer grupin aktual. “Presim që të takohemi me kryetarin e bashkisë, ndërsa kërkesat janë të qarta. Kemi kërkuar vazhdimisht mbledhje, pasi vetëm ajo do të na zgjidhë shumë probleme. Lojtarët duhet të shlyhen patjetër, është tetori i papaguar, ndërsa po afrohet edhe nëntori. Edhe pse dua të bëj merkato, ende nuk kemi nisur, pasi nuk është e ndershme që të bëj tratativat me të tjerë, kur nuk janë shlyer lojtarët aktualë. Gjë e mirë është që po zgjidhim kontrata me konsensus, duke evituar penalitetet. Ndryshe nga një vit më parë, trajneri i largonte se nuk i donte, çka po e vuajmë edhe tani me gjoba dhe borxhe të shumta. Më Hoxhën kontrata u prish me mirëkuptim, tani pres edhe tre të tjerë. Ajo çka nuk më pëlqen është fakti se lojtarët i bëjnë publike në media dhe jo me mua personalisht, si rasti i Abilaliajt. Kam nevojë për dy përforcime imediate dhe, me çdo kusht, fazë përgatitore jashtë vendit, ku ekipi të jetë në regjim total dhe me kushtet optimale”, – përfundoi Tafaji.
Takim me Bashën
Kërkohet me çdo kusht takim me kryebashkiakun. Jo vetëm administratori apo lojtarët, por edhe trajneri po këmbëngul që të ulen dhe të bisedojnë me numrin një të bashkisë, Lulzim Basha. Situata është emergjente dhe, nëse nuk i jepet një zgjidhje krizës financiare, pritet që të ketë largime. Mendohet që të hënën do të realizohet ky takim, por se sa do të ndodhë, kjo mbetet për t’u parë vetëm në fillimjavë.
Hoxha prish zyrtarisht kontratën
Fabio Hoxha ka prishur zyrtarisht kontratën e tij me Tiranën. I riu, i cili erdhi gjatë verës te bardheblutë, i lodhur nga stoli dhe fakti që nuk përfshihej thuajse kurrë në planet e trajnerit, ka vendosur që ta zgjidhë marrëveshjen e nënshkruar në verë. Fakti që kjo kërkesë u leverdiste edhe vetë drejtuesve, ata e kanë pranuar duke shmangur kështu çdo lloj penaliteti financiar. Lojtari 19- vjeçar ka luajtur vetëm 34 minuta, 17 në ndeshjen me Teutën dhe 17 me Flamurtarin. Megjithatë, në ditët në vazhdim largimi i tij mund të pasohet edhe nga të tjerë, se nga kush kjo mbetet për t’u zbuluar.
ADELA MERKO