Duel me Rajs, Xhaka nuk ka humbur ende në Gjermani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2024 | 13:20

Duel me Rajs, Xhaka nuk ka humbur ende në Gjermani

Çfarë mënyrë më të mirë do të kishte për Granit Xhakën për të festuar përvjetorin e parë të transferimit të tij te Bajer Leverkusen sesa një çerekfinale me Anglinë dhe një duel me Deklan Rajsin, njeriun 100 milionë paundësh që ka zënë vendin e tij në mesfushën e Arsenalit?

xhaka

Gjërat vështirë se mund të kishin funksionuar më mirë për Xhakën që nga largimi i tij nga veriu i Londrës, duke fituar dopietën në Gjermani, duke arritur në finalen e Ligës së Europës dhe duke udhëhequr tani Zvicrën në tetë ekipet më të mira të “Euro 2024”. “Nuk është një sezon perfekt sepse humbëm finalen e Ligës së Europës”, theksoi ai, duke shmangur lëvdatat në fillim të këtij turneu. Nuk do t’i shkonte stilit të Xhakës të shfaqej tepër i vetëkënaqur, por në 66 ndeshje për klubin dhe kombëtaren ai ka humbur vetëm dy herë. Dhe ende jo në tokën gjermane që nga transferimi i tij nga Arsenali. Ai është vlerësuar si transferimi i sezonit i Bundesligës, një marrëveshje për 21.4 milionë paund, ku ai firmosi për 5 vite.

Xhaka është përshtatur në një rol të ngjashëm për zviceranët ashtu si me Alonson tek “aspirinat”, duke bindur Murat Jakinin të përqafojë disa nga modelet taktike që ata përdorin në Leverkusen. E gjithë kjo e ka shtyrë atë, që në moshën 31- vjeçare të bëhet pjesë e debatit publik për kandidatët për “Topin e Artë” të radhës, gjë që do të ishte një gjë e jashtëzakonshme për një lojtar, i cili u pa në “Emirates” të vërshëllehej nga tifozët dhe më pas t’i hiqej shiriti. Me Mikel Artetën ata i rregulluan marrëdhëniet me tifozët, por Xhaka ishte gati për një sfidë të re dhe një kapitull të ri në jetën e tij. Alonso ka qenë një katalizator kyç në transformim. Trajneri i Leverkusenit e adhuron Xhakën dhe ka punuar shumë për të arritur marrëveshjen.

Me Alonson, Xhaka ka më shumë kontroll në lojën e tij, qëndron më pranë zonës, krijon gjeometri, prish rreshtimin e rivalëve dhe thyen sulmet e tyre. Ai ka nisur edhe studimet për trajner. Ai e nisi kursin e Licencës A të UEFAs tek Arsenali dhe e përfundoi në Gjermani. Për gjashtë muajt e sezonit të kaluar, ai kaloi një ditë në javë duke u trajnuar te SC Union Netetal, një ekip amator i kategorisë së pestë, ku luan kunati i tij Leonard Lekaj. Ai luajti pa marrë një karton të verdhë pasi Leverkusen fitoi në Darmshtad, më pas mundi Bajernin bindshëm dhe shpejtoi drejt titullit të parë të Bundesligës përpara se të fitonte Kupën e Gjermanisë, me Xhakën që shënoi golin e vetëm në finalen e Berlinit. Asnjëherë nuk i ka munguar guximi për të marrë përgjegjësinë, duke ia atribuuar mentalitetin e tij të çeliktë trashëgimisë së familjes së tij, e cila u largua nga Kosova për në Bazel në vitin 1990, menjëherë pasi babai dhe xhaxhai i tij u liruan pas tre vjet e gjysmë burg për protestat si studentë kundër qeverisë jugosllave. “Një lider i vërtetë, brenda dhe jashtë fushës”, thotë Alonso.

Si kapiten i Zvicrës, Xhaka udhëhoqi një delegacion lojtarësh të vjetër që shkuan për të zgjidhur problemet me shefin Jakin pas problemeve në kualifikueset e vjeshtës së kaluar. “Formacioni nuk ka qenë kurrë diçka për të cilën kemi folur, asnjëherë nuk ka qenë një problem”, tha Xhaka. “Ne jemi të lumtur që kemi një trajner që na dëgjon dhe flet me ne. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme. Jemi të rritur dhe kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me trajnerin. Ai erdhi të më takonte shumë herë. U takuam në Dyseldorf, hëngrëm darkë dhe pimë shumë verë së bashku. Ne jemi ambiciozë dhe duam të jemi të suksesshëm”. Sot njeriu që e ka humbur vetëm një herë topin në këtë Europian është gati për duelin e radhës, atë me Deklan Rajsin. “Ai është një makineri”, thotë një nga zyrtarët e Zvicrës. Dhe Xhaka është gati për ta dëshmuar edhe njëherë se ai nuk do të kënaqet me ardhjen deri këtu, të paktën do të luftojë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"