Dueli Egnatia-Borac, thirrja e Malotës: Kush është patriot, të vijë në Elbasan!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2024 | 13:51

Dueli Egnatia-Borac, thirrja e Malotës: Kush është patriot, të vijë në Elbasan!

Përkrah trajnerit Tetova ishte edhe kapiteni Renato Malota, i cili theksoi se Egnatia është gati për të shkruar historinë dhe se me tifozët do t’ia dalë kundër Borac Banja Lukas.

malota

Malota folli fillimisht për gjendjen e tij: “Kalova një periudhë, ku m’u desh të lija pas një shqetësim të sezonit të shkuar. Fatmirësisht jam mirë dhe falë ndihmës së stafit jam gati për të luajtur nga minuta e parë. Nga ana tjetër, ndihem i lumtur që do të kem fatin të ndihmoj ekipin tim për të tentuar një kualifikim historik në Ligën e Kampionëve”.

NDESHJA – Më tej, për gjendjen e skuadrës dhe ndeshjen e sotme, Malota tha: “Situata është e mrekullueshme, pasi ekipi ka dëshirë dhe kualitet dhe tashmë që e njohim edhe më shumë kundërshtarin, e kemi më të lehtë. Këtu prej vitesh çdo gjë funksionon në mënyrë perfekte dhe kjo na e bën më të lehtë punën për të arritur objektivat. Çunat i shoh të motivuar për një ndeshje, ku të gjithë duam të luajmë për të dhënë kontribut për Egnatian. Ftoj të gjithë rrogozhinasit, por edhe gjithë tifozët shqiptarë që 17 korrikun ta kthejmë në një ditë feste. Kam besim se bashkë do t’ia dalim të festojmë në fund kund Borac Banja Lukës. Nuk luan Egnatia, por luan ‘flamuri shqiptar’ dhe do të mundohemi të nderojmë kombin tonë edhe për atë që ndodhi një javë më parë. Në këto kushte, kush e dashuron këtë sport dhe është patriot, duhet të vijë në ‘Elbasan Arena’ për të na përkrahur”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"