“Duhet të kemi lojtarë që e duan fanellën”. Bicaj merr frenat e Burrelit, kryebashkiaku tregon synimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2024 | 15:25

“Duhet të kemi lojtarë që e duan fanellën”. Bicaj merr frenat e Burrelit, kryebashkiaku tregon synimet

Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, ka prezantuar dje trajnerin e ri të Burrelit gjatë një takimi me drejtues të klubit dhe mediat. Kryetari i bashkisë tha se Ditmar Bicajt i është besuar drejtimi i skuadrës matjane dhe kjo është detyrë e rëndësishme për ecurinë e futbollit.

Malaj dhe Bicaj, burreli

Sipas kryebashkiakut, matjanët e duan futbollin. “Ditmar Bicaj është trajneri i Burrelit për sezonin 2024-2025. Vjen në këtë detyrë pas një karriere të gjatë dhe brilante si futbollist dhe si një teknik me të ardhme. Në emër të sportdashësve të Burrelit, por edhe si numri një i Bashkisë Mat i uroj trajnerit të ri suksese dhe ta lartësojë futbollin matjan. Ky sport i bukur ka histori të gjatë, prandaj tifozët jo vetëm duan skuadrën, por dhe e mbështesin atë  me gjithë zemër.

Kështu që është e rëndësishme të ndërtojmë në fillim të kampionatit një skuadër të qëndrueshme dhe me synime të qarta”. Nga ana e tij, trajneri Ditmar Bicaj falënderoi presidentin e KF Burreli, Agron Malaj, për besimin e dhënë. Ai u shpreh, se do të bëj maksimumin që futbolli në këtë qytet të ngrihet aty ku qytetarët e meritojnë. Në vijim të fjalës së tij, trajneri Bicaj u shpreh se së shpejti do të mundësohet grumbullimi i lojtarëve dhe do të nisë stërvitja e ekipit. “Është privilegj të jem trajner i një skuadre me emër në futbollin shqiptar. Kjo është një sfidë dhe unë s’kam frikë nga sfidat.

Kryesore është t’i bëjmë bashkë të gjithë, lojtarët, tifozët, specialistët e drejtuesit vendor. Ka shumë rëndësi t’i kthejmë Burrelit dinjitetin e merituar. Ne duhet të kemi lojtarë që e duan fanellën e veçantë të Burrelit. Objektivi ynë është rezultati pozitiv në çdo ndeshje. Pres mbështetjen e tifozëve matjan, të cilët janë një garanci e mirë për skuadrën”. Me prezantimin e trajnerit lezhjan, nis formatimi i skuadrës për edicionin e ri futbollistik.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"