Duro: Partizani im është gati, s’kam pengje nga merkato
Partizani i sezonit të ri ka nisur përgatit jet që më 7 korrik dhe të dielën e pret premiera e Laçit. Trajneri Shpëtim Duro, përpara fillimit të javës stërvitore për ndeshjen e javës së parë, është prononcuar për mediat. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe verore është munduar që të formojë një organikë të denjë, kështu që Partizani i sezonit 2014- 2015 do të jetë në grupin e pretendentëve. Duro pohon se nuk ka ndonjë peng nga merkatoja. Mirëpo duke ditur se ky proces mbyllet më 31 gusht, të kuqtë sërish mund të afrojnë ndonjë element, ndonëse grupi konsiderohet i konsoliduar.
Z.Duro, çfarë mund të na thoni lidhur me punën që ka kryer Partizani gjatë gjashtë javëve të fazës përgatitore, e cila u shoqërua edhe me disa miqësore?
Gjatë kësaj periudhe skuadra ka kryer një punë të mrekullueshme, ku patëm mundësi të kryenin edhe disa miqësore. Këto takime na dhanë mundësitë për të parë gjendjen e lojtarëve të grumbulluar, por edhe forcën fizike dhe teknike të çdo individi. Në ekip kemi përzgjedhur shumë lojtarë me cilësi kualitative, si dhe mjaft të rinj. Ata na kanë dhënë besimin për të pasur një kombinim në skuadër duke gërshetuar lojtarët me përvojë dhe të rinjtë. Gjithashtu, një pjesë të mirë të ekipit e kam seleksionuar vetë. Gjatë kësaj periudhe skuadra më ka kënaqur, edhe pse nuk kemi arritur atë që unë dëshiroj. Ekipi duhet të japë maksimumin që në start, ndonëse të mirat dhe sukseset nuk vijnë përnjëherë. Në testet e zhvilluara kemi provuar të gjithë lojtarët, kështu që formacioni ka ndryshuar në çdo ndeshje. Gjithsesi, ne jemi optimistë për të ardhmen, pasi kemi krijuar një bazë që na jep garanci.
A ju ka mbetur ndonjë peng nga merkatoja e tanishme?
Jo se kemi ndonjë peng, por do të jemi në pritje deri në momentin e fundit të mbylljes së saj, pasi mund të na jepet ndonjë mundësi për të marrë ndonjë lojtar që na bën punë. Ne kemi plot 6 javë që stërvitemi dhe tashmë nuk ka mbetur gjë për sekondat e fundit.
Ju mbaheni mend si ish-futbollist i Partizanit. Si ndiheni sot në vitin 2014, duke krahasuar me eksperiencën tuaj në vitet kur ishit futbollist. Çfarë ka ndryshuar dhe çfarë ka evoluar në futboll dhe te Partizani?
Nëse mund të krahasojmë aktualen me vitet kur unë luaja me “demat”, disa gjëra kanë evoluar për mirë e disa janë jo ashtu siç duhet të ishin. Këtë e them duke e krahasuar situatën edhe me ekipet rivale e tradicionale si Tirana, Dinamo, Vllaznia etj. Te Partizani i 2014- ës fatmirësisht po bëhet një punë e mirë, që nuk ka lidhje vetëm me ekipin e parë, por edhe me moshat e reja. Avantazh është se tani kemi edhe Partizanin, ku mjaft lojtarë do të jenë përsëri në aktivitet. Futbollistët, që nuk do të jenë të grumbulluar për ndeshjet e fundjavës, mundet të luajnë me ekipin B. Pozitive vlerësoj punën me të rinjtë, sidomos tek Akademia Partizani, por edhe klubet e tjera. Kështu që Partizani ka mundësi të krijojë një grup dinjitoz futbollistësh, por edhe merkatot kanë bërë punën e tyre për të pasur një grup të kompletuar.
Mendoni se Partizani ka premisa për të qenë në nivelet e skuadrave të mëdha dhe pretendente?
Mendoj se duhet të jemi akoma më mirë nga sa jemi tani, pasi futbolli shqiptar ka mjaft probleme, gjë që nuk përjashtohet edhe Partizani. Prandaj jemi munduar gjatë kësaj faze përgatitore të bëjmë një përzgjedhje më të mirë në formatimin e skuadrës sonë. Kemi një staf të kualifikuar dhe besoj se me këtë që kemi arritur do të pasqyrohen edhe rezultatet tona. Këto 6 javë kemi ndryshuar mentalitet dhe koncept në mënyrën e të jetuarit si sportist, si të stërvitesh dhe si i tillë disiplina është primare në formimin e një sportisti të mirë, pasi vetëm kështu je një profesionist i mirë. Besoj se këtë e kemi arritur. Pra, Partizani ka premisa të jetë në nivele të larta mes skuadrave pretendente.
Kampionatin e nisni në Laç. A është i përgatitur Partizani për këtë sfidë?
Ndeshja me Laçin është një sfidë tepër e vështirë duke parë se kemi përballë një nga ekipet më të mira të vendit, madje ka pasur një nivel të lartë edhe në ndeshjet e zhvilluara në Europë. Por luajmë edhe në një fushë, ku fitorja jonë bëhet edhe më e vështirë. Jemi të kënaqur nga eksperienca që përfituam të gjithë, si të rinjtë e skuadrës, po ashtu edhe titullarët gjatë fazës përgatitore, kështu që shpresojmë se do ta përballojmë me sukses këtë takim. Gjithsesi, deri të dielën do të kemi edhe një testim tjetër, të cilin kemi menduar ta zhvillojmë ndaj Kamzës, të mërkurën. Kjo miqësore do të na japë edhe një mundësi tjetër për formatimin e plotë të formacionit bazë. Gjithsesi, si staf i kemi idetë e qarta dhe se cilët elementë mund të japin edhe më tepër. Them se ekipi është gati për ta nisë me këmbën e mbarë sezonin.
Meqë jemi te kampionati, ky Partizan që ju kemi ndërtuar, a i trembet Tiranës së përforcuar ndjeshëm në merkato, si dhe skuadrave të tjera?
Është ende herët të flasim për këtë takim apo të tjerat, pasi ne nuk jemi provuar në kampionat. Pasi të zhvillojmë tri ndeshjet e para, si dhe kur të jetë radha për derbin, mundet edhe të flasim për këtë çështje. Gjithsesi, ne do t’i marrim gjërat me radhë dhe përqendrimi ynë është te ndeshja e radhës.
Nderim Nexhipi, kapiteni i ri i Partizanit
Ashtu siç e paralajmëroi “Panorama Sport” para disa ditëve, Nderim Nexhipi do të jetë kapiteni i Partizanit të sezonit të ri. Dje të kuqtë në fushën e stadiumit të Kamzës kanë nisur javën përgatitore për takimin e parë të sezonit, ku të dielën janë mysafirë në Laç. Seancës së djeshme, i ka paraprirë vendimi i portierit Alban Hoxha, i cili kishte menduar t’i dorëzojë shiritin e kapitenit Nderim Nexhipit. Madje “gardiani” vendimin e tij e ka sqaruar me disa fjalë para stafit dhe ekipit, gjë e cila është mirëpritur dhe vlerësuar nga të gjithë. Kështu që java e re stërvitore ka nisur me kapiten të ri te “demat”, ku Alban Hoxha tani do të jetë zv.kapiten i të kuqve. Në seancën e djeshme nuk ishin të pranishëm dy “dhëndurët” e rinj, Labinot Ibrahimi dhe Argjend Mustafa, pasi kanë marrë leje nga klubi. Sot, përgatitjet do të vijojnë sërish në Kamzë, ku të kuqtë do të stërviten së bashku me skuadrën kamzalije.
ABDULLA DUSHKU