Duro shpalos objektivin primar: Të arrijmë Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2015 | 17:14

Duro shpalos objektivin primar: Të arrijmë Europën

k duroAsnjëherë më parë i përmendur si një alternativë për të marrë drejtimin e skuadrës së Kukësit, Klodian Duro është emëruar dje në këtë pozicion nga presidenti Safet Gjici. Ky i fundit ka vendosur që skuadra e tij të ketë dy trajnerë, ku krahas Duros në stol do të jetë edhe Hasan Lika.

Në intervistën e parë të dhënë për mediat, Duro ka thënë se do të japë maksimumin e tij që ekipi të fitojë titullin kampion, që është edhe objektivi kryesor. Keni marrë drejtimin e një skuadre që synon titullin kampion.

Mendoni se mund ta arrini duke parë diferencën me vendin e parë?

Do të drejtoj një skuadër, e cila i ka dhënë shumë kampionatit shqiptar, por edhe në Europë ka ditur të përfaqësohet denjësisht. Titullin kampion ekipi e ka pasur prej disa sezonesh, pavarësisht se nuk e ka arritur. Në vazhdim objektivi ynë primar është të sigurojmë së pari një vend në Europë dhe pastaj të mendojmë për titullin kampion, objektiv që qëndron mbi gjithçka tjetër. Personalisht do të falënderoj presidentin Gjici, i cili më ka dhënë mundësinë që ta nis karrierën si trajner në një klub të madh, i cili i ka dhënë tonin kampionatit në vitet e fundit.

I keni ndjekur ndeshjet e ekipit gjatë këtij sezoni dhe ku parashikoni të ndërhyni për të bërë përmirësime? 

Natyrisht që e kam ndjekur, jo vetëm në fillimin e këtij sezoni, por që nga momenti që është në Superiore.

Keni fituar titullin kampion si lojtar, mendoni se do ta arrini një gjë të tillë edhe si trajner?

Kur nis një punë, duhet të kesh të qartë objektivat për të arritur maksimumin. Objektivi im gjatë gjithë karrierës sime si futbollist ka qenë që të kap majat e futbollit shqiptar. Normalisht edhe Kukësi e ka treguar në gjithë këto vite që ka qenë në majë të futbollit tonë. Nuk është e lehtë të dalësh kampion, por atje ku ka më tepër vështirësi janë elementët për të arritur maksimumin. Kjo skuadër i ka të gjithë faktorët për të qenë në krye. Personalisht do të bëj maksimumin tim si trajner për ta ndihmuar ekipin që të arrijë objektivat.

Ju bezdis fakti që do të bashkëdrejtoni me Likën, apo e shihni si ndihmë një gjë të tillë?

Sot (dje) kemi qëndruar bashkë gjatë gjithë ditës dhe unë sigurisht jam shumë i kënaqur. Pa folur më parë me Likën, nuk do ta kisha pranuar një pozicion të tillë. Kjo pasi nuk është e lehtë të nisësh karrierën si trajner, pa pasur ndihmën e një njeriu që ka arritur majat e futbollit, siç është Hasan Lika.

Do të ketë ndryshime në formacionin e ekipit?

Kukësi është një skuadër që renditet në vendet e para të tabelës dhe kjo flet shumë. Por lojtarët duan disa lëvizje që të arrijnë në nivelin që kërkohet. Ne do të vazhdojmë punën për të vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e ekipit.

Duke qenë se merkatoja është afër, keni menduar për përforcimet e mundshme?

Aktualisht do të përqendrohemi te ndeshja me Partizanin, ndërsa për të tjerat do të flasim në vazhdim, por normalisht në merkato do të ndërhyjmë atje ku do të jetë e nevojshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"