Vllaznia thyen tabunë kurbinase me dy gola. “Deda”: Fantastike, ky ekip do të mbijetojë
LAÇI-VLLAZNIA 0-2
GOLAT: Kruja 8’, Shtubina 26’
LAÇI: Bakaj, Çarls (Malo 77’), Buljan, Çela, Sefgjini, Zefi, Kehinde (Tanushi 29’), Teqja, Veliaj, Vucaj, Bërkiç (Xhejms 66’). Trajner: Stavri Nica
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Gocaj, Beqiri, Sykaj, Boçi, Belisha, Tafili (Dema 90’), Kruja, Shtubina, Hajdari, Bushiç. Trajner: Dervish Haxhiosmanoviç
KARTONË TË VERDHË: Tanushi 76’/ Kruja 48’
VËZHGUES: Arjan Mali
DELEGAT: Uvil Zajmi
GJYQTARET: Bardhyl Pashaj/ E.Biçaku dhe N.Bregasi
MINUTAT
2’ Vucaj shërben për Kehinden që ndërron krah duke pasuar tek Zefi, i cili kroson te Veliaj. Ky gjuan fort, por topi devijohet në korne.
4’ Veliaj kroson ulët, godet Çela lehtë në duart e portierit mik.
5’ Vucaj tenton nga distanca por gjuajtja e tij përfundon mbi tra. 8’ Shtubina godet nga distanca, grushton Bakaj, por topi shkon te Kruja, i cili fluturimthi godet duke shënuar, 0-1.
11’ Goditje dënimi për vendësit, Veliaj kros në zonë e Çela me kokë godet ngjitur me shtyllën, por anësori kishte ngritur më parë flamurin.
18’ Goditje dënimi, Vucaj ekzekuton e Çarls për pak sa nuk devijon topin drejt portës së Vujadinoviç që kontrollon topin.
19’ Vllaznia pranë golit: goditje dënimi për miqtë, Hajdari kroson e Tafili me kokë dërgon topin te Bushiç, i cili fare pranë portës gabon.
23’ Bërkiç në hyrje të zonës mike pengohet nga Beqiri e ka goditje dënimi për vendësit që merret përsipër nga Vucaj që godet pak mbi tra.
26’ Shtubina, në një aksion personal, bën gjithçka vetë e në fund mposht Bakajn, 0-2.
29’ Vucaj kros në zonë ku ndërhyn Beqiri me kokë që dërgon topin në korne.
30’ Goditje këndi për vendësit, topi shkon te Teqja në shtyllën e dytë i cili godet por devijon mbrojtja mike.
32’ Belisha tenton nga distanca fluturimthi, topi kalon mbi tra.
36’ Goditje dënimi që kromohet nga Vucaj e aty kërcejnë disa prej lojtarëve vendës. Njëri prej tyre devijon topin por nuk mposht dot portierin mik.
46’ Kros në zonën e shkodranëve, aty gjendet Zefi që godet me kokë jashtë kuadratit.
47’ Tanushi godet në hyrje të zonës, por gjuajtja e tij është ballore e pa problem për portierin mik.
49’ Vucaj tenton nga distanca por gjuajtja e tij është mbi tra
52’ Goditje dënimi për vendësit, godet Veliaj mbi tra.
60’ Tanushi kontrollon topin brenda zonës mike, kthehet e godet me të majtën por jashtë kuadratit.
62’ Kundërsulm i miqve me Bushiç, godet drejt portës së Bakajt, i cili në pozicion arrin të neutralizojë.
65’ Veliaj ekzekuton një goditje dënimi që grushtohet nga Vujadinoviç.
67’ Hajdari lëshon një diagonale por topi përfundon jashtë portës së Bakajt.
72’ Goditje këndi për vendësit që ekzekutohet nga Veliaj, krosi i të cilit shkon te Buljan, i cili me kokë godet mbi tra.
74’ Bushiç godet me kokë por Sefgjini i mohon golin duke larguar topin në vijën fatale.
82’ Vucaj ekzekuton një goditje dënimi në hyrje të zonës, topi i gjuajtur prej tij përplaset në mur.
86’ Vucaj godet në hyrje të zonës por pret portieri mik.
89’ Goditje dënimi e gjuajtur nga Buljan por Vujadinoviç pret i sigurt.
Vllaznia i ka futur “stërkëmbëshin” Laçit në shtëpi duke e mundur këtë të fundit me rezultatin 0-2 falë dy golave të shënuar në pjesën e parë nga Kruja e Shtubina. Njëri gol më i bukur se tjetri e me një vlerë të madhe për Vllazninë, e cila kalon Tiranën në renditje duke dalë momentalisht nga zona e ftohtë. Një ndeshje perfekte nga miqtë e ardhur nga Shkodra me synime të qarta, që i treguan ato në fushën e lojës duke luftuar në çdo duel me maksimumin e tyre. Në fund ata arritën suksesin ndaj një Laçi që pas pësimit të golit të parë u hodh i tëri në sulm, por tensioni në këmbët e lojtarëve vendës bëri që të tregoheshin të paqartë para portierit mik. Në përfundim të takimit gëzimi i miqve nga Shkodra ishte më se i ligjshëm, ndërsa tek vendësit dëshpërimi dukej qartë në fytyrat e lojtarëve dhe drejtuesve të tyre. Me këtë humbje ata hodhën poshtë mundësinë të shkëputeshin me 3 pikë nga Kukësi e Partizani që ndodheshin poshtë tyre me 40 pikë, kuotë në të cilën mbeten edhe bardhezinjtë, të cilët zbresin tashmë në vendin e tretë për shkak të golavarazhit më të mirë të Partizanit.
Golat Janë vendësit ata që janë më kërkues në fillim të ndeshjes teksa Zefi kroson për Veliajn që godet por topi devijohet në korne nga mbrojtja mike. Më pas beratasi lëshon një kros të ulët në zonën e shkodranëve ku Çela godet lehtazi në duart e portierit mik. Tentativat e radhës janë ato të Vucajt që nga distanca nuk shenjëstron siç duhet, ndërsa miqtë kundërsulmojnë rrezikshëm e në minutën e tetë kalojnë në avantazh: goditje e Shtubinës në hyrje të zonës, e cila grushtohet nga Bakaj e më pas topi kthehet tek Kruja që godet fluturimthi e shënon një gol mjaft të bukur. Vendësit nuk pajtohen me rezultatin, ndaj hidhen në sulm e kanë një rast të pastër me Çelën që godet me kokë ngjitur më shtyllën pingule, por anësori sinjalizon pozicion jashtë loje. Beqiri ndërhyn gabimisht ndaj Bërkiç në hyrje të zonës. Ka goditje dënimi për vendësit në pozicion të prirët, por gjuajtja e Vucajt përfundon pak mbi tra. Janë sërish shkodranët ata që do gjenin rrugën e rrjetës kësaj here me Shtubinën. Ai merr topin nga mesi i fushës, shmang Buljan dhe lëshon një predhë pas shpinës së Çelës duke fituar duelin e shpejtësisë me këtë të fundit e përballë Bakajt gjen rrugën e rrjetës. Kurbinasit hidhen në sulm e për pak sa nuk shënojnë me Teqen. Ndërkohë Belisha për miqtë tenton me një gjuajtje nga distanca që përfundon mbi tra, pastaj është Zefi që godet me kokë jashtë portës së Vujadinoviç. Kaq mjafton që pjesa parë të përfundojë në avantazhin e dyfishtë të miqve.
Administrimi Nuk ka asnjë ndryshim teksa në fushën e lojës zbresin të njëjtat ekipe me vendësit që kërkojnë golin qysh në start, ku Tanushi godet drejt portës mike por gjuajtja e tij është ballore e pa problem për portierin. Më pas është Vucaj që tenton nga distanca por asgjë për t’u shënuar, ashtu si dhe në goditjen e Veliajt pak minuta më vonë. Më pas është sërish Tanushi që rrotullohet brenda zonës mike, godet me të majtën por jashtë kuadratit. Vijojnë miqtë duke u kundërpërgjigjur me Bushiç që lëviz bukur e del përballë Bakajt pa mundur ta mposhtë atë. Është radha e Veliajt për të rrezikuar portën mike por Vujadinoviç është në lartësinë e duhur. Hajdari për miqtë tenton me një diagonale por goditja e tij përfundon jashtë, njësoj si gjuajtja e Buljan me kokë pas një goditjeje këndi për kurbinasit. Vllaznia i afrohet golit të tretë në minutën 74-t, por gjuajtja me kokë e Bushiç ndalohet në vijën fatale nga Sefgjini që mban në lojë të tijtë. Laçianët zhvendosen në gjysmëfushën e kundërshtarit por tentativat e Vucajt e Buljanit nuk finalizohen në fund, duke u mbyllur gjithçka me golat e pjesës së parë, atë të Krujës e Shtubinë që i dhanë tri pikë të vlefshme Vllaznisë.
MË I MIRI
Arsild Kruja e Ndriçim Shtubina me golat e realizuar i kanë dhënë ekipit një fitore me vlera. Por nuk kanë qenë vetëm golat që i bëjnë ata ndër lojtarët më aktivë, pasi ata kanë zhvilluar në total një ndeshje mjaft të mirë së bashku me Vujadinoviç. Ky i fundit, sa herë i është kërkuar ndihmë, ka qenë në lartësinë e duhur duke mbajtur portën e tij të paprekur. Edhe Bushiç, në majë të sulmit ka bërë mjaft mirë, duke i hapur probleme dyshes së qendrës Çela-Buljan.MË PAK AKTIVI
Skuadra laçiane merr një notë negative në tërësi, pasi nuk arriti të fitojë në shtëpi, ku në shumicën e ndeshjeve të luajtura ata kanë qenë zot të lojës. Golat e pësuar shumë shpejt e shtuan tensionin në këmbët e kurbinasve që dolën jashtë detyrave, e gjykimi i paraqitjes së lojtarëve në veçanti u bë edhe më i vështirë. Një notë negative për gjithë ekipin është ndoshta edhe vlerësimi më i drejtë që mund t’i bëhet paraqitjes së kurbinasve në sfidën me Vllazninë.
“Luajta me gjilpërë, për mjekët s’duhet të stërvitem”
Portieri i Vllaznisë, Mirosllav Vujadinoviç, ka qenë padyshim një nga më të mirët në takimin me Laçin. Ai vetëm tre ditë para zhvillimit të këtij takimi është kthyer në fushën e stërvitjes, duke habitur madje edhe mjekët. Malazezi ka kaluar një trombozë në krah, por që duket se nuk ka qenë e asaj shkalle siç është bërë e ditur më parë nga ana e mjekëve malazezë. Vetë Vujadinoviç dje është shprehur se pas një përplasjeje në zonë ka ndjerë përsëri shqetësime. “Kam kaluar një trombozë në krah. Mjekët më kanë rekomanduar që të mos kthehem në stërvitje, e jo më në fushë për ndeshje. Por drejtuesit ma kanë kërkuar gjatë javës që shkoi që të bëja maksimumin për të qenë i gatshëm. Falë mjekimeve dhe gjilpërave të shumta që kam marrë mendova se mund të jem i gatshëm për takimin me Laçin. Natyrisht që këtë sakrificë e bëra pasi skuadra para këtij takimi mbeti pa portier. Në momentin e përplasjes jam ndjerë me të vërtetë shumë keq. Thashë se fati s’do më ndihmonte. Nuk dija se ku isha. Ndeja shqetësim në krah, por isha i tronditur edhe në kokë. Stafi mjekësor më kërkoi që të largohesha nga fusha e lojës, por pasi mblodha veten mendova të vazhdoja edhe pak. Mjekët më kanë thënë që t’i vlerësoj mirë gjërat. Sipas tyre është një sëmundje që mund të përsëritet dhe mund të më përkeqësojë shëndetin. Kam bërë një sakrificë për ekipin tim dhe më bëhet qejfi që doli me sukses. Shkodra e meriton këtë sakrificë. Kishim kohë që nuk fitonim dhe kjo më në fund erdhi”, ka thënë Vujadinoviç.
“Deda”: Fitore fantastike, kjo Vllazni do mbijetojë!
Trajneri malazez i shkodranëve, Dervish Haxhiosmanoviç, është parë tejet i lumtur pas ndeshjes së fituar me Laçin teksa në konferencën për shtyp u shpreh me superlativa për ekipin që drejton. “Kjo fitore ishte mjaft e vlefshme për skuadrën, e cila ka fituar finalen e parë për të mbijetuar. Kemi marrë një fitore të vlefshme sot e sigurisht kjo më kënaq mua e skuadrën. Kjo fitore ka vlera të mëdha sidomos për anën psikologjike të lojtarëve. U futëm në fushën e lojës për ta fituar këtë takim dhe e arritëm qëllimin tonë. Skuadra u vendos mjaft mirë në fushë duke bërë një ndeshje taktikisht perfekte. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë pasi mbijetesa do punë për t’u arritur dhe ekipi duhet të vijojë të tregojë të njëjtën dëshirë e grintë si sot. Për ne çdo ndeshje që do të luhet në vazhdim duhet fituar. Ne do përpiqemi t’u marrim maksimumin të gjithave, duke nisur që nga sfida e ardhshme me Skënderbeun në shtëpi”, ka pohuar “Deda”. I pyetur për golat e shënuar, ai u ndal më së shumti te Shtubina, duke mos i kursyer elozhet për të. “Golat? Mbaj mend që Shtubina kur unë isha herën e fundit te Vllaznia ishte pjesë e Kombëtares. Normal, ai është një lojtar i mirë!”, shprehet trajneri i Vllaznisë. Sakaq, kujtojmë se në intervistën e parë dhënë mediave javën e shkuar, pasi rimori drejtimin e Vllaznisë, malazezi Dervish Haxhiosmoanoviç u shpreh qartë se nuk u trembej vështirësive momentale që po kalon Vllaznia. Por jashtë mikrofonave, në bisedat me miqtë e tij pati thënë se nëse gjërat nuk do të ecnin ashtu siç duhej, pas 3-4 javëve ai do ta linte në mes punën me këtë skuadër.
Shtubina hero, gol dhe bidon kokës
Ndeshja Laçi-Vllaznia nuk ka kaluar pa incidente. Në fundin e pjesës së parë janë goditur me shishe plastike trajneri i shkodranëve, Dervish Haxhiosmanoviç dhe mesfushori Ndriçim Shtubina. Fillimisht e ka pësuar në stol malazezi, ndërsa më pas futbollisti. Ky i fundit ka qenë në anësore, afër tribunës përballë dhe aty tifozët e kanë goditur me një send në pjesën e kurrizit. Lojtari është rrëzuar menjëherë në tokë, ndërkohë që në këtë moment gjyqtari Bardhyl Pashaji ka ndërprerë lojën për afro dy minuta. Tifozët vendës kanë qenë shumë të acaruar, duke vazhduar edhe për pak sekonda hedhjen e sendeve në fushë. Megjithatë, fatmirësisht rebelimi i tyre nuk vazhdoi gjatë dhe takimi vijoji normalisht gjatë pjesës së dytë.
Incidenti Duhet thënë se në fushë ishte gjithçka “fair-play”. Gjithsesi hedhjet e sendeve tashmë nuk përbëjnë më çudi në kampionatin shqiptar, pasi këto raste kanë ndodhur thuajse në të gjitha stadiumet e vendit. Incidentet në fjalë do të merren në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës dhe klubi i Laçit rrezikon të dënohet, kjo edhe për faktin se ka marrë një paralajmërim para dy javësh. Ndërkohë, Shtubina më shumë sesa incidenti kërkon të kujtohet për golin spektakolar, “alla Mesi”, i cili vulosi edhe rezultatin në Laç. Sulmuesi mori një top në mesin e fushës dhe me një galopim të jashtëzakonshëm shmangu lojtarët që i dolën përpara dhe në fund, kur doli përballë me portierin Edvan Bakaj, nuk e pati të vështirë të shënonte. Sakaq, portierit i mbeti vetëm që të nxirrte topin nga rrjeta.
Deklarata “Pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi arritëm të zhvillonim një ndeshje mjaft të mirë ndaj Laçit, në një fushë ku pakkush ka fituar dhe pikërisht për këtë gjë kjo fitore merr vlera të mëdha. Si në aspektin e pikëve ashtu edhe nga ana morale, kjo fitore na rikthen optimizmin që kishim humbur më së shumti për rezultatet që nuk po vinin sesa për lojën e zhvilluar. Uroj që të vijojmë me këto ritme e të japim maksimumin në çdo sfidë, duke u futur në fushën e blertë me besim pasi kjo skuadër i ka elementët për të bërë gjëra të bukura. Incidenti? Më mirë të flasim për futboll”, ka pohuar Shtubina. Ky ishte goli i pestë i Ndriçim Shtubinës për këtë sezon. Ai ka shënuar në Vllaznia- Tirana (2-0), Vllaznia- Kastrioti (2-1), Partizani-Vllaznia (0-1), Vllaznia-Teuta (1-1) dhe dje në Laçi-Vllaznia (0-2). Siç shihet, gjithnjë kur ka shënuar Shtubina, Vllaznia ka bërë rezultat ose të paktën nuk njeh humbje.
Kruja: Fitore me vlera, goli për… shokët
Arsild Kruja ka shënuar një gol mjaft të bukur ndaj Laçit e sigurisht që është tejet i kënaqur. Por më shumë se kaq, lojtari i ri i kuqebluve vlerëson tri pikët e marra në një fushë të vështirë si kjo e Laçit. “Jam shumë i lumtur për fitoren e marrë sot (dje) në një ndeshje që e kishim vlerësuar maksimalisht e që arritëm ta zgjidhnim me fitore. Po kalonim një moment të vështirë dhe kjo fitore erdhi në kohën e duhur për ne. Ne do luftojmë deri në fund për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar, aty ku Vllaznisë i takon të jetë. Goli i shënuar shkon për gjithë ekipin, pasi ky sukses u arrit nga të gjithë”, shprehet Kruja. Ky ishte goli i parë i 20-vjeçarit të shkodranëve, i cili luan edhe për Kombëtaren e Shpresave. Ai është aktivizuar në 24 ndeshje, nga të cilat 15 herë si titullar, për një total prej 1552 minutash lojë. Arsild Kruja ka marrë edhe një karton të verdhë.
Bashkia, 10 milionë lekë premio për fitoren në Laç
Është një klub që mbahet nga bashkia dhe me një problematikë të jashtëzakonshme kur vjen puna te pjesa financiare, por dje drejtuesit e Vllaznisë kanë “zgjidhur qesen”. Sipas informacioneve, kryetari i Bashkisë së Shkodrës nëpërmjet administratorit dhe drejtorit sportiv u ka komunikuar lojtarëve një premio prej 10 milionë lekësh për fitoren e arritur në Laç. Pikërisht kjo premio duket se i ka motivuar edhe më shumë futbollistët në fushën e lojës, të cilët duhet pranuar se kanë zhvilluar një 90 minutësh shumë të mirë pasditen e sotme në Laç. Pas arritjes së kësaj fitoreje, pikërisht ditën e nesërme pritet që në numrat e llogarisë së çdo futbollisti të kalojë edhe shuma përkatëse që do të përfitojnë nga ndarja e kësaj premioje. Në këtë mënyrë, krerët e klubit shkodran, edhe njëherë tjetër vazhdojnë të jetë pranë skuadrës për ta shpërblyer me premio të konsiderueshme sa herë që ajo arrin rezultate pozitive.
Ndërhyrje “horror”, por s’ka kartonë
Gjyqtari Bardhyl Pashaji është kursyer në dhënien e kartonëve në ndeshjen e djeshme për dy ndërhyrje shumë të rënda gjatë pjesës së parë. Në minutën e 37-të, Teqja i Laçit bën një ndërhyrje të gabuar kundër Hajdarit të Vllaznisë, por Pashaji nuk jep as goditje dënimi. Kulmi ishte në minutën e 43-të, kur Buljan bëri një ndërhyrje “horror” kundër Krujës. Në këtë moment Pashaji akordoi faull për Vllazninë, por nuk e ndëshkoi mbrojtësin e Laçit me karton, madje ishim në limitet e një kartoni të kuq.
VLADIMIR PRENGA