Dy lojtarë të tjerë largohen nga Skënderbeu, vjen një mbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2024 | 8:46

Dy lojtarë të tjerë largohen nga Skënderbeu, vjen një mbrojtës

Te Skënderbeu duket se kanë mbyllur gjithçka sa u përket largimeve nga lojtarët që ishin pjesë e ekipit sezonin e kaluar. Listës së lojtarëve të larguar më herët tashmë zyrtarisht i janë shtuar emrat e Uçe Sebastine dhe Ramin Alii.

skenderbeu

Ata nuk do të jenë më pjesë e korçarëve, sipas burime të sigurta në klubin juglindor. Ata kanë pasur kontratë edhe për një sezon me Skënderbeun, por duke parë hapësirat e pakta, por edhe pamundësinë për të qenë të rëndësishëm sezonin e ri për shkak të rritjes së konkurrencës, dy futbollistët në fjalë janë takuar me presidentin Ardjan Takaj dhe kanë mbyllur bashkëpunimin me konsensus.

Me largimin e tyre shkon në 7 numri i lojtarëve të larguar nga Skënderbeu, duke hapur shumë “gropa”, që drejtuesit bardhekuq duhet t’i mbushin me afrimet e reja për t’i dhënë trajnerit një ekip më të fortë për sezonin e ri. Ndoshta merkatoja në dalje nuk mund të quhet e mbyllur zyrtarisht. Deri në fund të merkatos korçarët mund të marrin oferta joshëse për ndonjë nga lojtarët e tyre dhe mund të ketë ndonjë shitje të radhës.

AFRIMET –  Sa i përket merkatos në hyrje, korçarët kanë bërë dy afrimet e para. Mund të konsiderohen futbollistë të Skënderbeut Oniks Grezda dhe Erolind Krasniqi, të cilët kanë firmosur kontratën me klubin korçar për tri sezonet e ardhshme. Me ekipin është bashkuar në stërvitje edhe mbrojtësi 21-vjeçar Dejvid Rusta, i cili do të provohet dhe vendimin për të do ta marrë trajneri Ivan Gvozdenoviç.

Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës shtatlartë, 191 cm të gjatë, i cili karrierën e tij e ka të lidhur me Greqinë. Rusta ka provuar të luajë për një sezon tek ekipi U-19 i Maritimos në Portugali, për t’u rikthyer në Greqi, ku së fundi ka qenë pjesë e Atromitos në kategorinë e dytë. Mbrojtësi mësohet se do të qëndrojë në provë përgjatë gjithë fazës përgatitore dhe pastaj trajneri Gvozdenoviç do të vendosë, nëse është i nevojshëm për ekipin e tij apo jo.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"