Dy pogradecarë shpëtuan Lushnjën, Kasmollari: U shpërblyem në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2024 | 14:09

Dy pogradecarë shpëtuan Lushnjën, Kasmollari: U shpërblyem në fund

Lushnjarët e kaluan me sukses finalen e “play out”-it me Ilirinë e Fushë-Krujës. Skuadra verdhejeshile fitoi 2-0 në “Arena Egnatia”. Pogradecarët Paolo Kasmollari dhe Erjon Dragoj shënuan nga një gol në secilën pjesë lojë, duke entuziazmuar tifozët dhe dashamirësit e futbollit lushnjar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, një nga protagonistët e fitores, mbrojtësi Paolo Kasmollari tha se në asnjë moment nuk kishin dyshuar për fitoren.

paolo kasmollari

Paolo, fituat një ndeshje me karakter. Cila është ndjesia juaj tani?

Fillimisht dua të përgëzoj të gjithë për karakterin që treguan në këtë finale. Ishte një ndeshje me një tension shumë të madh dhe arritëm ta përballojmë më së miri, ku treguam maturi dhe pjekuri. Jam shumë i kënaqur, sepse kemi vuajtur shumë në këtë periudhë. Na u shpërblye mundi, pasi nuk e kemi merituar për asnjë moment këtë situatë. Duhet të ishim në pozita të tjera. Ndjehem mirë për fitoren dhe për tifozërinë lushnjare, që ishin të jashtëzakonshëm në këtë finale.

Çfarë të tha trajneri Magani pas golit të shënuar?

Trajneri Magani ishte shumë i emocionuar dhe gjej rastin ta falënderoj së bashku me stafin e tij. Kanë qenë të ngarkuar edhe ata. Ne për asnjë moment nuk kishim dyshim te fitorja dhe ia arritëm.

Pas ndeshjes festuat me tifozët dhe familjarët. A ishte një ditë e shënuar kjo për Paolo Kasmollarin?

Pas ndeshjes mora urime të shumta. Padyshim që është një dritë në fund të tunelit. Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë tifozët dhe dashamirësit lushnjarë. Kemi vuajtur realisht shumë nga disa faktorë, por nuk është koha për të folur për këtë. Jam krenar për çdo gjë që ndodhi në këtë finale. Dua të përshëndes familjen time, sepse edhe ata e kanë vuajtur këtë situatë.

Lushnja vuajti shumë këtë sezon, pësoi 53 gola. Një mbrojtës si ju hapi rrugën e fitores. A jeni i kënaqur për këtë?

Mendoj se kur kundërshtari gjen portën tonë, pësojmë të gjithë dhe jo vetëm mbrojtja. Kemi gabuar shumë këtë sezon, herë për fajin tonë dhe herë për gjëra të tjera. Nuk ka vend për justifikim. Në fund jemi ndërgjegjësuar më shumë dhe ja ku jemi. Unë këtë sezon kam shënuar tre herë, më vjen mirë për këtë, por e rëndësishme është që ne ia dolëm. Sezonin tjetër prisni një Lushnjë tjetër.

Kontrata ju skadon në fund të muajit, do të qëndroni te Lushnja?

Kontrata ime mbaron tani. Të jem realist, kam marrë disa oferta, por dua të pushoj pak dhe pastaj të vendos. Ka qenë një sezon i ngarkuar dhe më duhet kohë. Nuk e di nëse do të qëndroj apo jo. Por kam kaluar një vit me shumë emocione. Të presim se çfarë do të sjell merkato.

Finalen e Lushnjës e zgjidhën dy pogradecarë. Çfarë i thatë Dragojt në fund të ndeshjes?

Ndoshta ishte dita jonë me fat. Kemi besuar gjithmonë dhe Zoti na e shpërbleu. Me Dragojn njihem që i vogël. I kam thënë para ndeshjes që duhet të nxjerrim Lushnjën nga kjo situatë. Pas ndeshjes nuk kishte asgjë tjetër, veç përgëzimeve dhe lavdërimeve për njëri-tjetrin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"