E fejuara e largon nga Izraeli, Bakaj te… Tirana, mesfushori prish kontratën
Elis Bakaj ka kërkuar largimin nga Hapoel Ra’anana. Një lajm të tillë e kanë bërë me dije ditën e djeshme mediat izraelite. “One.co.il” ka zbardhur edhe dëshirën e mesfushorit për të ndërprerë kontratën e tij me klubin, kërkesë që drejtuesit e skuadrës e kanë plotësuar. Megjithatë, ka edhe një fakt interesant të zbardhur nga mediat vendëse, në lidhje me arsyen e prishjes së kontratës nga mesfushori shqiptar: dëshira e së fejuarës së tij. Gazeta “Panorama Sport” ka zbuluar se bardheblutë po tentojnë rikthimin e lojtarit. Ka dëshirë të ndërsjellë mes palëve dhe pritet rikthimi i mesfushorit në Shqipëri për të vendosur përfundimisht.
Largimi – Mediat vendëse e kanë quajtur surprizë largimin e mesfushorit nga Izraeli, ndërkohë që ka vetëm pak kohë që ka nisur sezoni. Kjo, për shkak se Bakaj ka lënë përshtypjet më të mira me paraqitjet e tij në stërvitje dhe në ndeshjet zyrtare me ekipin. Sipas tyre, mesfushori nuk është ambientuar si duhet në Izrael dhe se ditën e djeshme ka kërkuar nga drejtuesit e lartë të klubit që të ndërpresin kontratën. Është “One.co.il” që ka bërë me dije se, drejtuesit e klubit iranian kanë biseduar me stafin teknik dhe kanë vendosur që të plotësojnë dëshirën e lojtarit. Ata e kanë mirëkuptuar Bakajn në lidhje me kërkesën për të mos vijuar aventurën në Izrael.
Prapaskena – Sipas medias izraelite “Ynet.co.il”, ka qenë e fejuara e lojtarit, ajo që ka kërkuar largimin e Bakajt nga Hapoel Ra’anana. “Ajo ka ushtruar presion që ai të ndërpresë kontratën dhe të rikthehet në vendlindjen e tij”, shkruhet në median izraelite. Bardheblutë – “Tirana do të jetë skuadra e parë që do të zgjedh nëse vendos që në të ardhmen të kthehem në Shqipëri, ndaj nuk dua të them lamtumirë, por mirupafshim”, është shprehur tekstualisht mesfushori në deklaratën e tij të fundit si lojtar bardheblu. Kjo shprehje e tij dhe divorci i tij me skuadrën izraelite i ka vënë në punë drejtuesit bardheblu. Detyra e menjëhershme është që Muça të ketë në dispozicion ish-lojtarin e tij, me të cilin u shpall kampion me Dinamon. Burime për gazetën “Panorama Sport” kanë bërë me dije se me mbërritjen në Shqipëri, Bakajn e pret një ofertë për t’u veshur edhe një herë fanelën bardheblu. Në këtë mënyrë, Shkëlqim Muça do të ketë në dispozicion golashënuesin e Tiranës në sezonin e shkuar, ndërkohë që bardheblutë do të bënin një rikthim bombastik.
Kontaktimi – Gazeta ka tentuar që të bisedojë me vetë lojtarin, por ka qenë e pamundur. Më pas, është tentuar babai i tij menaxher, Flamur Bakaj, por ai nuk ka pranuar që të komentojë rreth situatës së djalit të tij. I pyetur për një numër kontakti, vetë babai i lojtarit është shprehur se nuk e ka një të tillë, ndaj ka qenë e pamundur biseda me vetë lojtarin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"