E papritura nga Anglia, Nikolo Barela pranë firmës me klubin e Premier Ligës
Finalja e Ligës së Kampioneve mund të ketë qenë ndeshja e fundit e Nikolo Barela me fanellën e Interit. Mediat angleze kanë bërë të ditur sot se një klub i Premier Ligës është shumë pranë akordit me zikaltrit dhe me futbollistin italian për transferimin e tij.
Sipas “The Telegraph”, është klubi i Njukasëll ai që ka hedhur një hap të sigurt drejt firmës me lojtarin, të cilin e sheh si përforcim shumë të rëndësishëm për fushatën në Ligën e Kampioneve, ku do të marrë pjesë në këtë edicion.
Të njëjtat burime theksojnë se kontaktet me palëve kanë ditë që vazhdojnë dhe parimisht ka një akord për të bërë të mundur lëvizjen drejt Anglisë të mesfushorit i cili ka qenë një nga pikat më të forta të zikaltërve në edicionet e fundit. Britanikët theksojnë se për të blerë kartonin e tij, klubi është gati të shpenzojë 58 milionë euro, që mjaftojnë për të kënaqur kërkesat e italianëve.
Edhe për lojtarin pritet një marrëveshje financiare shumë e kënaqshme, aq sa parashikohet se do të jetë një nga më të paguarit në klubin që është nën pronësinë e sheikëve nga Arabia Saudite.
Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, gjendet në këto ditë në Angli dhe mund të jetë ai që do të mbyllë diskutimet për transferimin e Barelas drejt Premier Ligës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"