E RRALLË/ Rrebeshi anulon garën në Rrethin Çiklistik, sot mbyllet turi në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 12:55

E RRALLË/ Rrebeshi anulon garën në Rrethin Çiklistik, sot mbyllet turi në Fier

Rrethi Çiklistik i Sh qipërisë ka shënuar dje një rast të veçantë dhe ta paprecedentë. Etapa e katërt, Vlorë-Mbrostar-Përmet me distancë 180 kilometra, është ndërprerë për shkak të kushteve të vështira të motit. Pas afërsisht 135 kilometrash, kryekomisari izraelit vendosi zyrtarisht për pezullimin e garës, pasi vijimi i saj ishte i pamundur.

Collage Maker-26-May-2023-12-46-PM-3581 (1)

Nëse nga Vlora starti u bë me diell, më tej me kalimin kilometrave filluan vranësirat dhe më pas reshjet, të cilat u intensifikuan ndjeshëm edhe me stuhi, duke bërë që në dalje të Memaliajt të kishim një rrebesh të madh, i cili solli edhe pezullimin e garës.

Për minuta me radhë u krijua një situatë kaotike, me çiklistët që nuk kishin ku të futeshin, duke u sistemuar të ngjeshur nëpër makina bashkë me stafet dhe organizatorët dhe me biçikletat të lëna në rrugë.

Për rreth një orë u krijua trafik kilometrik, duke qenë se rruga ishte e bllokuar në të dyja kahet nga policia. Më tej çiklistët iu drejtuan Përmetit me makina.

Kështu etapa e katërt, Vlorë-Përmet, e cila ishte edhe më vendimtarja e të gjithë turit, zerohet, ndërsa gjithçka do të vazhdojë sot me etapën e fundit Përmet-Fier, me rezultatet që do të nisin aty ku ishin lënë në përfundim të etapës së tretë.

SITUATA ME RENDITJEN – Me anulimin e etapës së katërt renditja e përgjithshme e Turit të Shqipërisë mbetet e pandryshuar. Kështu, mbajtës i fanellës së verdhë është përsëri Maximilian Stedman.

Britaniku i skuadrës Velo Schils, lider i turit, regjistron kohën totale 9:49:28, ndërsa pas tij me diferencë të ngushtë kohore vijnë rumuni Cristian Raileanu i skuadrës CSA Steaua Bukuresht (+0:04) dhe Periklis Ilias i Greqisë (+0:08). Menjëherë pas tyre pozicionohet Mikel Demiri i Shqipërisë, në vend të katërt, me diferencë prej 13 sekondash nga kreu.

Një paraqitje shumë e mirë e Demirit, që mbetet pretendent deri në fund për triumfin. Rrethi i 80- të Çiklistik do të ulë siparin sot me etapën e pestë dhe të fundit, Përmet-Fier, 123 km.

Kujtojmë që në këtë eveniment, marrin pjesë 14 skuadra, nga të cilat 11 janë ndërkombëtare, ndërsa distanca e përgjithshme e turit është 754 km. Për të pestin vit radhazi ky aktivitet është pjesë e Kalendarit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), që e bën një event kualifikues për Kampionatin Botëror dhe Lojërat Olimpike.

323

6666

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"