Ecuria e gjatë e rezultateve pozitive, Çela i bindur: Kastrioti ndal edhe Tiranën!
Emiljano Çela ndryshoi Kastriotin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i krutanëve rrëfen sekretin me ekipin e Kastriotit dhe se si ia doli të ikë nga vendi i fundit. Ai beson edhe ndaj Tiranës skuadra do të marrë pikë në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Nga pretendenti kryesor për të rënë në fundin e dhjetorit, tani i pari thuajse i shpëtuar?
Kanë ndryshuar shumë gjëra, ne kemi filluar që nga A-ja e punës, që për mua është disiplina formale, sepse nëse nuk ekziston disiplina formale, pra oraret, grumbullimi, udhëtimi, etj-etj. Pra, ne nuk kemi si t’u kërkojmë lojtarëve disiplinën tekniko-taktike në fushë, është e pamundur. Ndaj, gradualisht duke rregulluar disiplinën formale ne zbritëm në fushë. Hapi i parë në momentin që ne zbritëm te fusha ishte rregullimi i lojtarëve nëpër pozicione natyrale. Hapi i dytë ka qenë rregullimi i boshtit të skuadrës, që për mendimin tim është shumë i rëndësishëm, pra kemi bërë një ndërthurje shumë të mirë midis lojtarëve më me eksperiencë dhe lojtarëve të rinj që për mendimin tim janë shumë të talentuar. Gradualisht pastaj kemi filluar me parimet e futbollit që nga zbritja poshtë e topit, kapja e fortë e markimit, dhe deri te faza ku jemi sot kapja e gjerësisë së fushës.
Si arrini që me këta lojtarë që keni, që janë pa shumë emër?
Të them të drejtën, motivimin e lojtarëve e nis përpara çdo seance stërvitore. Përpara çdo seance unë u shpjegoj lojtarëve të mi, çfarë është dinamizmi në stërvitje, çfarë është ritmi. Pra, rëndësia e të stërviturit mirë, me dinamizëm, u flas për karrierën, u flas për hapat që ata duhet të ndjekin në karrierën e tyre, si e si që ata të ngjiten sa më lart.
Frytet e punës janë parë, objektivi kryesor sa i arritshëm është?
Ne objektivat i kemi marrë hap pas hapi. Objektivi i parë ka qenë lënia e vendit të fundit, pra kalimi i një ekipi. Objektivi i dytë ka qenë lënia dhe kalimi i një tjetër ekipi. Aktualisht kemi lënë prapa dy ekipe, siç janë Skënderbeu dhe Dinamo, ndaj mendoj që objektivin e zonës së ftohtë e kemi arritur, por na ka ngel akoma një objektiv tjetër, që për mendimin tim është shumë i rëndësishëm, që është zona “Play out”, do të na duhet që ta lëmë përfundimisht dhe një ekip tjetër poshtë që të quhemi të shpëtuar.
Sa optimist jeni ju për këtë?
Jam shumë optimist, pasi siç e kemi parë puna vazhdon me ritëm të lartë. Pavarësisht se është fundsezoni, por jo, ne vazhdojmë me stërvitjet e larta vazhdojmë me dinamizëm, sepse të njëjtën gjë do të vazhdojmë edhe gjatë ndeshjeve.
Tirana, kundërshtari i radhës, si shkon Kastrioti në këtë përballje?
Shkojmë thuajse me grupin e plotë, jemi shumë në formë, fitoret e fundi kanë arritur që të na shërbejnë për mirë, pra përveç pozicionit në klasifikim, dhe mënyrës se si ne do të interpretojmë ndeshjet, apo qoftë edhe stërvitjet, kështu që kjo ndeshje merr një specifikë të veçantë sepse është një ndeshje shumë kulminante. Por na vjen në një moment delikat, pasi pas ndeshjes me Tiranën ne kemi ndeshje me rivalin tonë direkt Egnatian, dhe për mendimin tim duhet të bëjmë menaxhim të mirë të lojtarëve dhe të këtyre dy ndeshjeve që të marrim maksimumin. Por gjithmonë duke mos shkëputur vëmendjen nga rivali ynë direkt që është Egnatia. Është ekip i paparashikueshëm, dhe mendoj që është akoma më i rrezikshëm sesa kur erdhi në fazën e tretë në Kamzë, sepse tani janë jashtë çdo presioni psikologjik, nuk kanë trysni, pasi mendoj që objektivat i kanë arritur. Ndaj, duhet shumë punë nga ana jonë që të dalim me diçka nga kjo ndeshje.
Mungesa e kujt do të ndihet më shumë, e Kainës në fushë apo e juaja në pankinë?
Kaina ka qenë faktor tek ekipi ynë në këto dy faza, është një lojtar shumë i rëndësishëm. Por mos të harrojmë që Kainën po e zëvendëson mjaft mirë Ajazi.
BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"