Edgar Çani shënon pas tetë muajsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2014 | 9:44

Edgar Çani shënon pas tetë muajsh

Edgar Cani te BariEdgar Çani është rikthyer te goli pas tetë muajsh. Ai e ka ndihmuar skuadrën e tij Barin që të fitonte 2-1 dje kundër Karpit në fushën e kësaj të fundit. Gjiganti kuqezi zhbllokoi rezultatin që në minutën e tretë të takimit, pasi mori një pasim të gjatë nga e djathta dhe fitoi duelin me mbrojtësin kundërshtar. Sulmuesi i Shqipërisë ka luajtur gjithë ndeshjen, duke qenë protagonist edhe në disa aksione të tjera të Barit, por pa mundur që ta dërgonte topin në rrjetë. Golin e fundit në kampionat Çani e kishte shënuar pikërisht me fanellën e Karpit më 21 shtator të vitit të kaluar, teksa mundeshin 4-1 nga Çezena. 25-vjeçari u huazua nga Katania te Bari në merkaton e janarit, por pa mundur të gjente rrugën e rrjetës për asnjë moment, sepse në fakt edhe hapësirat për të kanë qenë të limituara. Çani ka qenë një ndër lojtarët kryesorë të Kombëtares edicionin e kaluar, por për shkak të mosaktivizimit të tij, e humbi vendin në përfaqësuese. Gjithsesi, ka ende shpresa që ai të jetë pjesë e kuqezinjve edicionin e ardhshëm, aq më tepër që Sadiku u dëmtua rëndë pak ditë më parë dhe do të qëndrojë jashtë fushave të lojës. Ndërkohë, Elseid Hysaj është ndëshkuar me karton të kuq dje në humbjen 1-0 të Empolit kundër Çezenës. Hysaj u ndëshkua nga gjyqtari në minutën e 36-të, pas një ndërhyrjeje të rëndë. Empoli renditet i dyti me 65 pikë, ndërsa Bari i 7-ti me 57 pikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"