Edgar Çani s’ndalet, mban gjallë Barin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2014 | 10:08

Edgar Çani s’ndalet, mban gjallë Barin

Edgar CaniEdgar Çani shënon sërish për Barin dhe mban gjallë shpresat e skuadrës puljeze për t’u ngjitur në Serinë A. Dje në përballjen e parë kundër Latinës, në një stadium të tejmbushur sulmuesi shqiptar shënoi golin e barazimit në minutën e 67-të. Pas një krosimi në zonë, 25-vjeçari kërceu fuqishëm me kokë dhe tundi rrjetën, duke ngritur peshë afro 50 mijë të pranishmit në “San Nikola”. Goli i Çanit i dha zemër Barit, që pak minuta më pas kaloi në avantazh e përkohshëm, 2-1. Megjithatë, në fund Latina barazoi dhe gjithçka u mbyll 2-2. Sulmuesi shqiptar u aktivizua për 90 minuta, duke u konfirmuar se është një nga lojtarët më të rëndësishëm për Barin, edhe pse shpërthimi i tij erdhi vetëm në fundin e sezonit. Tashmë skuadra e Çanit do të luajë ndeshjen e kthimit me Latinën më 11 qershor, për të pretenduar kualifikimin në finalet e “play-off”. Pas ndeshjes së djeshme, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, por që prej disa muajsh nuk grumbullohet nga trajneri Xhani De Biazi, në adresën e tij zyrtare në “Facebook” kishte dhënë këtë deklaratë: “Jam i lumtur për golin e shënuar. Nuk i humbasim shpresat për ngjitjen në Serinë A. Do të shkojmë për fitore në ndeshjen e kthimit në transfertë ndaj Latinës”. Ndërkohë, shqiptari është futur tashmë në zemrat e tifozëve puljezë, të cilët e shikojnë si lojtarin që do t’i ngjisë në elitën e futbollit italian. Golat e tij në fundin e sezonit kanë ndihmuar jo pak Barin për të qenë në zonën “play-off”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"