Qetësia “e frikshme” e kampionatit dhe Refik Resmja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2017 | 21:20

Qetësia “e frikshme” e kampionatit dhe Refik Resmja

BESNIK DIZDARI

 

Besnik-DizdariDuket se nuk lidhen fort këto dy tema. Në të vërtetë janë të ndryshme. Qetësia “e frikshme” e kampionatit të Shqipërisë me rekordin e 59 golave të Refik Resmes të vitit 1951, nuk kanë diçka të përbashkët me njëra-tjetrën. Po megjithatë diçka kanë. Rekordi i Refik Resmes i 59 golave të kampionatit të vitit 1951 të Shekullit XX, ka përballë “kundër-rekordin” e Partizanit të vitit 2017 të Shekullit XXI – 4 ndeshjet e para me asnjë gol të shënuar! E kësisoj, e ndiej se duhet ribotuar episodi legjendar për ne, i rekordit të Refik Resmes, sepse e kanë harruar. Ndërsa brezi i ri i lexuesve, madje edhe i tifozëve të sotëm të Partizanit, por ndoshta edhe gazetarë të brezit të ri, nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë.

partizani

Po e ribotoj sot këtu për “Panorama Sporti”-in edhe për nderin e kujtimit të Refik Resmes, i cili, edhe pse përfaqësues i futbollit të largët të 60 e sa vjetëve më parë, për kah origjinaliteti i shënimit të golave të tij që kanë në mbrendësinë e tyre plot art, mbeten të paarritshëm deri më sot. Më 1958, në Lajpcig i patën dhënë një Kupë për interpretimin madhështor të goditjes së tij në ajër nga mbrapa (rovesciata).

Dhe ja ku mbërrijmë te lidhja e dy temave falë Partizanit 1951, i cili, edhe pse ishte jo kampion, por nënkampion si sot, ka shënuar plot 136 gola, prej të cilëve 59 i përkasin Refik Resmes. Çka hyn për sot e kësaj dite midis rekordeve botërore të llojit….

Dhe ja ritregimi i historisë, marrë prej librit të autorit të këtyre radhëve “Historia e Kampionateve të Shqipërisë 1950-’54, Libri 4″:

59 GOLAT E SHËNUAR NGA REFIK RESMJA në këtë kampionat prej 136 të Partizanit, përbëjnë një nga rekordet më të jashtëzakonshëm statistikorë të futbollit shqiptar. Të mbajtur hap pas hapi nga statisticieni i pasionuar i futbollit, i paharrueshmi Gogo Çomora, që i botova në shtojcën e gazetës Sporti të sjellur nga miku i tij Bajram Peçi, duhet të pranojmë se në varfërinë statistikore të publikimeve në shtyp për gjithë kampionatet e viteve ’50, koleksioni i 59 golave të Refik Resmes ka hyrë në arkivin botëror të statistikave.

Si anëtar i IFFHS (Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit), ia kam arritur të bind presidentin e saj Dr. Alfredo W.Pöge në Wiesbaden të Gjermanisë, për njohjen e këtij rekordi. Dhe në numrin e botimit special të IFFHS të vitit 1998, “211 shënuesit më të mirë të botës në kampionatet kombëtare”, IFFHS shpall 29 shënuesit e renditur të parët, ku Refik Resmja zë vendin e pestë me 59 golat e tij, pra duke hyrë midis 5 shënuesve më të mëdhenj në botë për golat e shënuar brenda një kampionati kombëtar të një shteti.

Pesëshja e botës në këtë tregues është kjo:

1. Archibald McPherson Stark / SHBA1924-’25 44 ndeshje 67 gola
2. Ferenc Deak / HUNGARI 1945-’46 34 ndeshje 66 gola
3. William Ralph Dean / ANGLI 1927-’28 39 ndeshje 60 gola
4. Hector Horace Scotta / ARGJENTINA1975 57 ndeshje 60 gola
5. Refik Resmja / SHQIPERIA 1951 23 ndeshje 59 gola

Natyrisht, duke u nisur nga roli i Resmes te Partizani, i ushqyer gjithnjë nga Loro Boriçi, po mbi të gjitha, falë shpejtësisë së tij, goditjes së fuqishme në ecje e sipër, teknikës së lartë, njohurive pozicionale të taktikës para portës, futbollit frymëzues dhe krijues të Resmes së madh, bindesh se nga 136 golat e Partizanit, plot 59 janë të tijtë.

Statistika e këtyre 59 golave përtej historisë, të cilat i kam publikuar në gazetën e së dielës së 5 prillit 1992 “Futbolli”, është kjo:

28.01.1951 Puna e Durrësit – Partizani 0-6
* Resmja (1)
31.01.1951 Partizani – Puna e Beratit 14-0
* Resmja (7)
18.02.1951 Puna e Gjirokastrës – Partizani 0-8
* Resmja (6)
25.02.1951 Partizani – Puna e Fierit 11-0
* Resmja (7)
04.03.1951 Partizani – Puna e Qytetit Stalin 9-0
* Resmja (7)
11.03.1951 Puna e Kavajës – Partizani 0-6
* Resmja (4)
21.03.1951 Partizani – Puna e kavajës 2-0
* Resmja (1)
25.03.1951 Puna e Shkodrës – Partizani 0-2
* Resmja (1)
01.04.1951 Partizani – Puna e Vlorës 2-0
* Resmja (2)
15.04.1951 Partizani – Puna e Durrësit 6-0
* Resmja (3)
18.04.1951 Puna e Beratit – Partizani 1-3
* Resmja (2)
06.05.1951 Partizani – Puna e Tiranës 6-0
* Resmja (3)
13.05.1951 Spartak i Shkodrës – Partizani 0-6
* Resmja (4)
20.05.1951 Partizani – Puna e Gjirokastrës 7-0
* Resmja (1)
27.05.1951 Puna e Fierit – Partizani 0-6
* Resmja (4)
03.06.1951 Puna e Kuçovës – Partizani 0-11
* Resmja (5)
10.06.1951 Partizani – Puna e Kavajës 2-1
* Resmja (1)
03.06.1951 Partizani – Puna e Kavajës 2-1
* Resmja (1)

X X X

Kur vijmë tash te tema, në të vërtetë e parë e këtij editoriali të sotëm, titulluar “Qetësia ‘e frikshme’ e Kampionatit”, më duket se vërtetohet bash cilësimi “e frikshme”.

“E frikshme”, sepse tribunat e Javës 4 në stadium qenë thuajse bosh. Madje, me varfëri spektatorësh deri dhe në ndeshjen e javës, atë Skënderbeu-KF Kukësi, që për hir të së vërtetës, pati edhe nivel të mirë. Ndonëse me 11-metërsha të dhënë e të padhënë, tejet të dyshimtë.

“E frikshme” se ky kampionat – më i varfëri në histori në pjesëmarrjen e skuadrave më të mirënjohura të Shqipërisë – ka filluar ashtu siç e nuk e dëshironim. Ai sapo ka vendosur pra, rekordin “negativ” të Partizanit, i cili, për herë të parë në historinë e tij 71-vjeçare, nuk shënon asnjë gol në 4 javët e para të një kampionati. “I frikshëm” sepse ndërsa SK Tirana ka shkuar në Kategorinë e Dytë sa për faj të saj, po aq edhe për faj të rëndë madje të FSHF-së, që organizon kampionatin me vetëm 10 skuadra, edhe i famshmi Partizani pra – Nënkampion në fuqi – është i fundit, pa asnjë gol të shënuar. Kur ndërkaq, edhe Vllaznia gjithashtu e famshme për ne, dy parafundit. Kur të tjerë dihet, me Kavajë e Elbasan, me Dinamo e Berat në të Dytën a në të Tretën – kategori, të cilat ndiqini se sa poshtë që kanë rënë. Edhe pse quhen rrejshëm Kategori e Parë apo e Dytë. (Sigurisht jo për ne).

Kampionati është “i frikshëm” në qetësinë e tij, sepse në katër javë ka shënuar vetëm 33 gola, ose 1.61 për ndeshje – mesatarja më e ultë në krejt historinë e tij gati 90-vjeçare. Dhe gjithnjë e më në rënie: Java 1: 10 gola; Java 2 e 3 nga 8 gola dhe Java 4 që zbret në 7 gola!

Kjo e dhënë e pamëshirshme nuk është thjesht “frikë” statistikore. Është “frikë” e rënies drastike të cilësisë së futbollit të tokës shqiptare. Çka ndërkohë, siç e themi me zë të lartë prej e pakta nja shtatë vjetësh edhe në këtë gazetë, prapë se prapë, pra edhe këto ditë, skuadrat kombëtare të Rritur, 21, apo 19-vjeçarë, nuk kanë as 10 për qind lojtarë të Kampionatit të Shqipërisë!…

Kampionati i kryesuar prej Skënderbeut të fuqishëm, ka nisur kështu me një tronditje të thellë, shfaqje e sëmundjes së tij që ka e pakta katër vjet që “lulëzon” pa asnjë shërim, por vetëm me propagandë televizive përulëse ndaj FSHF-së deri aty sa s’ka ku shkon më.

Dhe po kujtojmë ndërkaq: asnjë reformë, asnjë themelim i Ligës Kombëtare të futbollit, asnjë shqetësim për braktisjen e spektatorit, asnjë fjalë për shkatërrimin e futbollit në qytete kryesore të Shqipërisë. Dhe gjithnjë me vendime të ngushta zyrash po të ngushta – një kampionat përjashtues kombëtarisht pra, me vetëm 10 skuadra, ku gati 40 për qind të të cilave u përkasin qyteteve të vegjël. Madje deri me skuadra, që nuk jetojnë në qytetin që përfaqësojnë. I duhet thënë kjo edhe FIFA-s e UEFA-s se është një tjetër “rekord botëror” i llojit shqiptar edhe ky.

Ky është Kampionati Kombëtar i Shqipërisë datuar 2017 të Shekullit XXI.

Nuk di kush e do fort Kampionatin e Shqipërisë. Ndoshta e do kësisoj vetëm FSHF dhe vetëm dy televizione, që transmetojnë të njëjtën ndeshje, njëri me pagesë e tjetri pa pagesë, siç u përsërit kjo dukuri fantastike për kah “origjinaliteti” edhe me ndeshjen Skënderbeu – KF Kukësi. Duke ia përforcuar kësisoj Shqipërisë një rekord krejt të ri, që e mposht edhe rekordin e madh të Refik Resmes të vitit 1951: 59 gola të tij prej 136 golave të Partizanit – skuadër e cila në historinë e Kampionateve të Shqipërisë, pavarësisht nga rënia e mbas 90-tës, megjithatë për ne mbetet mitike.

Tash, për fat, ky Partizan është i fundit pa asnjë gol të shënuar. Duhet të shkojë sadopak te Refik Resmja.

E kjo më vjen disi përshtat për ta mbyllë këtë editorial me pak optimizëm. Janë vetëm 4 javë dhe them se me çka po përpiqet të ndërtojë, Partizani 2017 do ta kalojë krizën. Durim. Ajo që nuk mund të durohet më tej është në tanësi qetësia “e frikshme” e Kampionatit, i cili kërkon urgjentisht reformimin e tij me themel. Jo përrallat “seriale” televizive të përsëritura deri në mërzi edhe në mendim, të cilat vijnë ndoshta edhe prej kënaqësisë se “Kampionatin e transmetojmë ne”. Kur për këtë askund nuk duket konkurrenti. Edhe ky “monopol” është po aq “i frikshëm” që të çon te një lloj diktature televizive që s’ka asgjë të përbashkët me demokracinë, qoftë edhe në larminë e pasurisë së informimit publik, pra dhe të gazetarisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"