Egnatia e re, dy ndryshime në formacionin e kampionëve të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2024 | 20:37

Egnatia e re, dy ndryshime në formacionin e kampionëve të Shqipërisë

Egnatia është kthyer dje në tokën shqiptare, pas fazës përgatitore të zhvilluar në Slloveni nga data 10 qershor deri më 1 korrik. Rrogozhinasit zhvilluan aty katër ndeshje miqësore, duke testuar veten përpara duelit kundër Borac Banjalikës në turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, që luhet më 10 korrik në Bosnjë.

egnatia

Stafi teknik i Egnatias ka vendosur që stërvitja të rifillojë më 4 korrik. Nuk ka kohë për të humbur, pasi ndeshja e parë europiane po afron. Merkatoja, sipas asaj që ka deklaruar trajneri i kampionëve në fuqi, Edlir Tetova, mund të quhet e mbyllur për momentin, pasi ai e konsideron të plotësuar grupin. Megjithatë, mund të ketë edhe ndonjë surprizë të fundit.

FORMACIONI – Trajnerit Edlir Tetova do t’i duhet të vendosë mbi lojtarët dhe modulin e lojës për ndeshjen e 10 korrikut në transfertën boshnjake. Ka pak dilema në fakt, sepse trajneri durrsak e ka të qartë situatën. Duke iu referuar ndeshjeve miqësore të luajtura në Slloveni, Egnatia ka luajtur me rreshtimet 4-3-3 dhe 3- 5-2. Trajneri i rrogozhinasve nuk preferon të luajë me dy sulmues të deklaruar, pasi kërkon që avancimin drejt sulmit ta krijojë përmes inkursioneve nga krahët. Kundër Borac Banjalukës, me shumë gjasa, bardhejeshilët do të luajnë me modulin 3-5-2, ose më saktë një 3-5-1-1, që fillon me Alen Sherrin në portë.

Në mbrojtje pritet të aktivizohen si titullarë Dylis, Xhemajli dhe Alijev, me Malotën që qëndron në stol në këtë rast, nëse nuk do të ketë ndryshime. Nga krahët më të avancuar pritet të jenë nga minuta e parë Fangaj nga e djathta dhe Ndreca nga e majta, dy lojtarë që e ndihmojnë shumë skuadrën si në fazën mbrojtëse të lojës, ashtu edhe atë sulmuese. Në qendër të mesfushës, Aleksi do të ketë partnerë Zejnullain dhe Ibrahimoglunë. Fernando është mungesa e madhe e rrogozhinasve në Europë, pasi braziliani ka vendosur të largohet. Redi Kasa, i cili duket se gëzon një formë të mirë sportive, pritet të jetë pas sulmuesit kryesor, Saumaila Bakajoko, të dy të ardhur në merkaton e kësaj vere.

Kasa rikthehet në fakt pas huazimit në Slloveni, kurse Bakajoko vesh për herë të parë fanellën e kampionëve në fuqi të Shqipërisë dhe menjëherë ka zënë vend në formacion. Drejtuesit e Egnatias presin shumë prej këtij sulmuesi, pasi janë të bindur se ai ka kualitet. Ai ka marrë vendin e Montenegros, që nuk u kthye më tek Egnatia pas mbylljes së sezonit, duke u shndërruar në një çështje mes palëve. Me këtë formacion parashikohet që rrogozhinasit të përballojnë ndeshjet europiane, duke filluar prej 10 korrikut, kur do të përballen me Borac Banjaluka në transfertë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"