Egnatia ende e pakompletuar, kampionët kanë dy vende bosh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 11:19

Egnatia ende e pakompletuar, kampionët kanë dy vende bosh

Gjendja e skuadrës së drejtuar nga Edlir Tetova është shumë e mirë për momentin. Fakti që ekipi nuk ka lëndime fizike i bën rrogozhinasit optimistë para sfidave europiane. Në prononcimet e tyre për “Panorama Sport”, si trajneri Edlir Tetova, ashtu edhe presidenti Agim Demrozi, kanë theksuar faktin se Egnatia është e plotë, gati për një tjetër sezon historik.

egnatia

Ata e konsiderojnë skuadrën të kompletuar dhe rrjedhimisht edhe merkaton të mbyllur, duke përjashtuar ndonjë surprizë. Megjithatë, vihet re se tek Egnatia ka disa pozicione, që ende nuk janë dubluar dhe ndoshta deri në mbylljen zyrtare të merkatos mund të ketë ndonjë lëvizje tjetër.

MANGËSITË – Në krahun e majtë të mbrojtjes, Edison Ndreca nuk ka një rival. Egnatia nuk ka një alternativë për të zëvendësuar futbollistin kurbinas. I vetmi lojtar i grupit aktual që mund të adoptohet në këtë pozicion është Arbenit Xhemajli, i cili luajti disa ndeshje sezonin e shkuar në këtë rol, edhe pse është një qendërmbrojtës tipik. Po ashtu në mesfushë, rrogozhinasit nuk kanë një lojtar që mund t zëvendësojë Arbin Zejnullain. Tetovari është nga ata lojtarë që rrallë mungon për dëmtim apo kartonë, megjithatë në skuadër në çdo rast duhet një lojtar që të mbulojë rolin e tij, nëse do të jetë nevoja.

Ardhja e Regi Lushkjes mund të mbyllë hapësirën e krijuar pas largimit të brazilianit Fernando Medeiros. Mesfushori kavajas është një futbollist polivalent, që mund të luajë në disa pozicione të mesfushës, edhe si trekuartist. Sulmi është më i kompletuar, pasi në të djathtë luajnë Kasa dhe Spahiu. Të dy këta lojtarë mund të bëjnë mjaft mirë edhe si fantazistë. Në të majtë janë Drame dhe Xhoel, ndërkohë që edhe Ibrahimoglu mund të inkuadrohet në këtë pozicion. Sa i takon majës së sulmit, do të ketë një garë të fortë mes Bakajokos, Montenegros dhe Gjatës.

SKEMA – Trajnerit Edlir Tetova i duhet të menaxhojë këtë grup lojtarësh dhe të vendosë mbi modulin e lojës që do të aplikojë në ndeshjet e Europës. Dilema e tij e momentit është mes rreshtimit 3-5-2 dhe 4-3- 3. Me shumë gjasa, kundër Borac Banjalukas do të preferohet moduli 3-5-2, ku në portë luan Alen Sherri. Në mbrojtje do të pozicionohen Dylis, Alijev dhe Xhemajli, pasi kapiteni Malota nuk është ende 100% gati fizikisht. Në krahë do të luajnë të zakonshmit Fangaj dhe Ndreca, kurse në qendër të mesfushës Aleksi, Zejnullai dhe turku Ibrahimoglu. Në sulm, Kasa do të vendoset pas shpinës së Bakajokos, lojtarit të ardhur te kampionët gjatë merkatos së verës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"