“Egnatia është e kompletuar”, presidenti Demrozi flet nga Turqia: Besoj te kalimi i turit, kemi ekip cilësor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2023 | 18:21

“Egnatia është e kompletuar”, presidenti Demrozi flet nga Turqia: Besoj te kalimi i turit, kemi ekip cilësor

Mjafton fakti që bashkë me skuadrën në qytetin Bolu të Turqisë ka udhëtuar edhe presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, për të kuptuar vlerësimin dhe seriozitetin maksimal që drejtuesit po i kushtojnë kësaj minifaze të skuadrës.

Agim-Demrozi

Duke i qëndruar si gjithmonë afër ekipit, presidenti Demrozi ka përçuar te grupi një atmosferë super në prag të debutimit historik në Ligën e Konferencës. Egantia do të qëndrojë në Turqi deri më 4 korrik, ndërsa dje në mesditë, kreu i klubit rrogozhinas foli për “Panorama Sport” lidhur me përgatitjet e skuadrës dhe besimin që ka se mund të kalojnë armenët e Araratit, kundërshtarit që është përballë Egnatias në turin e parë të Ligës së Konferencës.

Zoti Demrozi, nga data 20 qershor, Egnatia po stërvitet në Bolu të Turqisë. Duke qenë se jeni pranë ekipit, si është situata në skuadër dhe çfarë mund të na thoni për atmosferën pas hedhjes së shortit?

Skuadra kreu fillimisht një javë stërvitje në Rrogozhinë, ndërsa tani e ka spostuar fazën në Turqi. Këtu kushtet janë ideale dhe është një atmosferë fantastike. Jam këtu pranë ekipit dhe mund të them se janë të harmonizuara më së miri të gjithë komponentët sportivë që kërkon kjo fazë ku ndodhemi. Egnatia po konsolidohet më së miri. Jemi shumë optimistë për këtë skuadër që kemi aktualisht, sepse në sezonin e fundit e panë të gjithë paraqitjen që bëri Egnatia.

Pasi njohët kundërshtarin, që është Ararati i Armenisë, besoni se keni shanse për të kaluar turin?

Egnatia do të vazhdojë ta bëjë mirë edhe në Europë. Shpresojmë ta kalojmë turin, mendoj se i kemi mundësitë.

Skuadra ka pësuar pak ndryshime në përbërje, ndërsa janë bërë edhe afrime të rëndësishme në mbrojtje dhe mesfushë. Do të kemi ndonjë surprizë tjetër?

Skuadra deri tani ka pësuar vetëm dy ndryshime, pikërisht ardhja e qendërmbrojtësit Stivian Janku dhe e mesfushorit Albano Aleksi. Është menduar se Egnatia me kontingjentin që ka aktualisht, ia del të përballojë të gjitha impenjimet që ka, si në Europë, po ashtu dhe për sezonin e ri. Në vijim do të shohim…

Keni programuar katër miqësore në tokën turke. Çfarë prisni nga skuadra në këtë periudhë përgatitore deri në ndeshjen e 13 korrikut?

Këto miqësore të programuara mendoj se do të na vlejnë shumë. I quajmë shumë të rëndësishme, sepse do të shihet gjendja e ekipit përballë skuadrave nga vende si Rumania, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Rusia. Janë skuadra të elitës së këtyre shteteve dhe mendoj se do të jenë teste real për të parë konkretisht funksionimin e Egnatias së re, që do të luajë për herë të parë në historinë e saj në Europë.

FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"