Egnatia i vë “flakën” merkatos! Pas 3 zyrtarizimeve, rinovon edhe me golashënuesin që kërkohet nga të gjithë
Mesdita e ditës së djeshme rezervoi në zyrat e Egnatias një moment të rëndësishëm. Qendërsulmuesi ganez me shumë përvojë, Rafael Duamena, ka firmosur për zgjatjen e kontratës së tij edhe për dy vite të tjera si pjesë e Egnatias. Sulmuesi që erdhi sapo hyri viti 2023 në radhët e rrogozhinasve, kreu një prezantim më se të shkëlqyer në gjysmën e dytë të sezonit të fundit.
Me lojërat e bukura dhe 11 golat e tij të rëndësishëm në kampionat, u bë një nga liderët e skuadrës në repartin e avancuar. Duamena pati 18 prezenca në fushë në kampionat duke fiksuar 1437 minuta në këmbët e tij. Ndërkohë, me situatën e re ku Egnatia do të marrë pjesë për herë të parë në Konferencë Ligë dhe ku do të përballet në datat 13 dhe 20 korrik me Araratin e Armenisë, Rafael Duamena është një garanci më shumë për sulmin e Egnatias.
FIRMOS EDHE NDRECA – “Panorama Sport” e paralajmëroi në numrin e djeshëm. Pak minuta para nisjes së seancës së djeshme stërvitore, nëpërmjet nënshkrimit të kontratës, u bë fakt transferimi i futbollistit Edison Ndreca nga Kukësi tek Egnatia. Mbrojtësi i majtë ka lënë kështu pas dy sezonesh ekipin e Kukësit dhe ka nënshkruar për dy vite kontratën me presidentin e Egnatias z. Agim Demrozi, për të qenë pjesë e kësaj skuadre. Menjëherë pas nënshkrimit Ndreca iu bashkua skuadrës së tij të re në stërvitje.
AHMETAJ – Alesandro Ahmetaj është futbollisti më i ri i Egnatias. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi. Shqiptari i lindur në Itali, ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare teksa i është bashkuar ekipit në stërvitje. Ka qenë pjesë e Kombëtares U17 të Italisë. Madje edhe Tirana e kishte piketuar mesfushorin e qendrës 23-vjeçar në këtë merkato vere.
FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"