Egnatia mund pa probleme Naftëtarin, shpallet Kampione e Kategorisë së Dytë (Video)
Kategoria e Dytë ka njohur sot kampionen e saj. Në fund të një edicioni të gjatë, Egnatia ka bërë të sajën trofeun, duke mundur në finale me rezultatin e thellë 4-1 skuadrën e Naftëtarit.
Pritej të ishte një ndeshje e luftuar mes dy skuadrave që kanë dominuar dy grupet e kësaj kategorie duke ndeshur pak rivalitet. Egnatia kishte ardhur në këtë duel duke pësuar vetëm 1 barazim e 1 humbje në 24 javë kampionat. Ndërsa Naftëtari kishte 0 në kolonën e humbjeve, me vetëm 4 barazime që mund të cilësohen si “rezultatet negative” të këtij edicioni.
Por në finale, Egnatia ka diktuar shpejt ritmin e saj duke zbërthyer brenda pak minutash prapavijën e kuçovarëve. Doçi, Mile dhe Melani shfrytëzuan çdo rast që iu shfaq para portës kundërshtare dhe që në minutën e 27, ndeshja ishte thuajse e mbyllur pasi shifrat shkuan në 3-0 për ekipin e qytetit të Rrogozhinës.
Edhe në pjesën e dytë, ishte Egnatia që dominoi në lojë dhe Mile gjeti edhe golin e katërt për skuadrën e tij, ndërsa Kopaçi shënoi golin e “flamurit” për ekipin e tij, i cili gjithsesi i gëzohet ngjitjes më se të merituar në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"