“Egnatia nuk bie nga Superiorja”, Allmuça sfidon ish-ekipin: Luajmë 10 finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2022 | 21:06

“Egnatia nuk bie nga Superiorja”, Allmuça sfidon ish-ekipin: Luajmë 10 finale

Egnatia vijon përgatitjet për sfidën më të rëndësishme të mbylljes së fazës së tretë, atë ndaj Dinamos. Pa dyshim që Ilir Allmuça ka një motiv më shumë për ta fituar këtë sfidë pasi luan kundër ish-ekipit të tij. Kujtojmë se Allmuça mungoi në sfidën me Vllazninë dhe mezi pret të rikthehet në fushë.

ALLMUCA

Mbrojtësi i Egnatias i cili ka qenë titullar që nga java e parë, çmon shumë atmosferën në grup me të cilën Egnatia pret ballafaqimin e vështirë dhe me peshë të madhe, atë ndaj bluve. “Situata brenda grupit është mjaft e mirë. Fitorja me Vllazninë na ka rritur psikologjikisht. Gjatë kësaj jave kemi zhvilluar nga dy seanca në ditë duke shfrytëzuar pushimin dhe marrë ngarkesat fizike që na duhen për javët e mbetura. Po vijojmë përgatitjet po me atë seriozitet e bindje për mundësitë tona reale”, tha në fillim.

Natyrisht Allmuça çmon edhe Dinamon si një ekip të fortë dhe që momentalisht ndodhet në opozita të vështira. “Do të jetë një sfidë ku si Dinamo ashtu edhe ne do të kemi vetëm një synim ta fitojmë këtë përballje. Për mua do të jetë mjaft e vështirë dhe ajo që vlen më shumë në të tilla ndeshje mbetet faktori psikologjik e në këtë kuptim mendoj se Egnatia është e avantazhuar. Një fitore jona do na jepte më shumë qetësi, siguri dhe vetëbesim për ndeshjet e tjera.

Ju kujtoj se pas Dinamos na pret Kukësi e do të presim kryesuesen Tiranën, për të kaluar në dy përballjet e tjera po kaq domethënëse për fatet tona, ato në Korçë e Krujë. Për të gjitha këto gjykoj se ndeshja me Dinamon merr vlera të dyfishta”, mbylli ai. Siç kemi informuar dy ditë më parë, ndaj Dinamos Egnatia do të jetë e plotë pasi Berar Iseni që mungoi thuajse dy muaj është rikthyer e bashkuar grupit.

Apo ashtu edhe një tjetër lojtar me peshë siç është Ilirid Ademi që mungoi ndaj Vllaznisë. Edhe ai i është bashkuar grupit e do të jetë në dispozicion të trajnerit Ramadani. Për Ilir Allmuçën nuk është vetëm Dinamo finalja e këtij sezoni, por janë të 10 javët e mbetura me të njëjtën peshë e vlerë. “Përtej Dinamos e gjithë faza e katërt do të jetë një ‘luftë’ ku çdo ‘betejë’ do të ketë peshën e saj”, përfundon prononcimin e tij Ilir Allmuça, një ndër lojtarët bazë të Egnatias.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"