Egnatia pa dy titullarë kundër Boracit, trajneri Tetova fikson formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2024 | 8:50

Egnatia pa dy titullarë kundër Boracit, trajneri Tetova fikson formacionin

Egnatia vijon me intensitet të lartë përgatitjet për duelin e rëndësishëm të kthimit në Champions League kundër Borac Banja Lukës.

egnatia

Rrogozhinasit e drejtuar nga Edlir Tetova kanë provuar të punojnë edhe në aspektin taktik për të qenë gati për këtë përballje më të rëndësishme sa i takon fatit në ndeshjet e kompeticioneve europiane. Kampionët e Shqipërisë do të vuajnë mungesën e dy lojtarëve kryesorë si Edison Ndreca dhe Arbin Zejnullai, të cilët u ndëshkuan me karton të kuq në takimin e një jave më parë, ku Egnatia u mund me rezultatin 1-0.

Referuar kontingjentit të lojtarëve që rrogozhinasit kanë me shumë gjasa, moduli që Edlir Tetova do të startojë nga minuta e parë pritet të jetë 3- 5-2. Në portë do të jetë si gjithnjë Alen Sherri. Në prapavijë rikthehet kapiteni Renato Malota, i cili i jep garanci dhe siguri. 35-vjeçari falë përkushtimit maksimal ia del të jetë i gatshëm për skuadrën. Në krah lezhjani do të ketë Xhemajlin dhe Dylisin. Nga krahët në të djathtë pritet Fangaj, ndërsa në të majtë do të aktivizohet Alijev. Azeri luan edhe si mbrojtës anësor, pasi ka armë të fortë shpejtësinë. Në mesfushë Aleksi dhe Lushkja do të kenë partner Ahmetajn. Në sulm Kasa dhe Ibrahimohlu do të tentojnë t’i bëjnë keq ekipit Borac.

MUNGESAT – Për këtë ndeshje Tetova nuk do të ketë të gatshëm Edison Ndrecën dhe Arbin Zejnullain, të cilët u ndëshkuan me kartonë të kuq në ndeshjen e luajtur në Banja Luka. Sa i takon sulmuesit Bakajoko, pavarësisht punës të madhe të mjekëve dhe dëshirës së futbollistit, me shumë gjasa nuk do të ketë i gatshëm, pasi s’dëshirojnë ta rrezikojnë.

MONTENEGRO – Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit rrogozhinas vijojnë bisedimet për të përforcuar skuadrën me elemente të rinj, sikurse duhet të qartësojnë situatën me Montenegron. “Panorama Sport” mëson se klubi e pret futbollistin nga Kosta Rika, pasi 24-vjeçari tregoi cilësi të rëndësishme. Por Montenegro më parë duhet të rregullojë problemet familjare, që flitet të jenë arsyet përse nuk i është bashkuar ende skuadrës në stërvitje.GGISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"