Egnatia përgatitet për kthimin ndaj Borac me ndryshime. Shkëlqen talenti nigerian dhe afrohet një 16-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2024 | 19:56

Egnatia përgatitet për kthimin ndaj Borac me ndryshime. Shkëlqen talenti nigerian dhe afrohet një 16-vjeçar

Egnatia ka nisur të premten përgatitjet për takimin e kthimit të turit të parë eliminator në Champions League kundër Borac Banja Luka. Rrogozhinasit po i kryejnë seancat stërvitore në stadiumin e Luzit, teksa me skuadrën është bashkuar edhe lojtari më i ri i kampionëve të Shqipërisë.

egnatia

Bëhet fjalë për mesfushorin difensiv, Daniel Uotlai, i cili vjen nga kampionati i vendlindjes, Nigeria. Ai është 21-vjeçar dhe në të shkuarën ka luajtur me të gjitha skuadrat zinxhir të Nigerisë, duke debutuar edhe me ekipin A në një ndeshje. Roli kryesor i 21-vjeçarit është si mesfushor difensiv, por mund të bëjë po aq mirë edhe si qendërmbrojtës.

Në sezonin e fundit ai ishte pjesë e Abia Uorriors. Talentit afrikan i mjaftoi një seancë stërvitore për të treguar cilësitë e tij, duke marrë shpeshherë komplimente nga shokët e skuadrës dhe trajneri Edlir Tetova. Fatkeqësisht mbrojtësi nuk luan dot kundër Borac të mërkurën, pasi ende nuk është federuar dhe nuk ka qenë pjesë e listës së dorëzuar në UEFA pak ditë para ndeshjes së parë.

HUAZIMI – Ndërkohë, talenti Irdi Morina ka vendosur të largohet me formulën e huazimit te skuadra e Besës. Kavajasi, i cili e ka pasur të vështirë të gjejë hapësira për shkak të konkurrencës në sulm, do të provojë të tregojë cilësitë e tij në Kategorinë e Parë.

Po ashtu, me shumë gjasa pjesë e skuadrës së parë për sezonin e ri tek Egnatia do të jetë talenti 16-vjeçar, Reis Bakalli. Djaloshi nga Rrogozhina shihet si premtim i madh, pasi ka arritur të zhvillojë një sezon fantastik me ekipin U-21 në sezonin që lamë pas.

Ndonëse është mesfushor, Rei Bakalli ia doli të shënoi 10 gola dhe dhuroi 9 asiste duke rezultuar një nga më të mirët në këtë grupmoshë në kampionatin e Kategorisë Superiore U-21. Trajneri Edlir Tetova kërkon t’i japë një shans Bakallit, i cili do të jetë i vetmi rrogozhinas që do të luaj për Egnatian sezonin e ri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"