Eklent Kaçi shpallet kampioni i disiplinës 8
BILARDO- Federata Shqiptare e Bilardos mbylli dje kampionatin kombëtar individual në disiplinën 8 të mbajtur në “Dynamic Pool Bar” në Tiranë. Kampioni i Shqipërisë u kurorëzua Eklent Kaçi i ekipit të Laçit. Medalisti europian mposhti në finale me rezultatin e thellë Labinot Markaj.
Sipas drejtuesve të federatës, në çdo takim spikati niveli i lartë sportiv i bilardistëve pjesëmarrës. Dhe trofeu u ngrit nga Kaçi, i cili u shpërblye edhe me premion 40 mijë lekë. Ndërsa vendi i dytë u shpërblye me 20 mijë lekë dhe i treti i zënë nga bilardisti i Teutës Edlir Kurthysa përfitoi si shpërblim 10000 lekë.
Edhe në këtë kampionat, partner i Federatës Shqiptare të Bilardos ka qenë sërish Birra “Korça”, e cila nuk resht së mbështeturi eventet sportive. Ndërkohë, federata ka filluar përgatitjet për pjesëmarrjen në kampionatin europian që do të zhvillohet në datat 12-26 prill në Faro të Portugalisë.
Dy sportistët e grumbulluar për këtë pjesëmarrje ndërkombëtare nga presidenti i federatës, Edmond Loku, janë Eklent Kaçi dhe Edlir Kurthysa. Dyshja kuqezi po bën përgatitje maksimale për t’u paraqitur denjësisht në Europian.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"