EKSKLUZIVE/ Administratori i Flamurtarit, Idrizi tregon emrat e stolit dhe afrimet: Pollozhani ka gati 10 përforcime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2024 | 21:43

EKSKLUZIVE/ Administratori i Flamurtarit, Idrizi tregon emrat e stolit dhe afrimet: Pollozhani ka gati 10 përforcime

Dy janë emrat që janë hedhur në tavolinën e Sinan Idrizit, si kandidatë për kreun e pankinës vlonjate. “Panorama Sport”, mëson se më potenciali është Jeton Beqiri.MixCollage-08-Jun-2024-01-35-PM-2212Por dje, në ambientin vlonjat është përfolur edhe një serb. Bëhet fjalë për Mladen Milinkoviç. Në të shkuarën ai ka pasur eksperienca pozitive në futbollin shqiptar, fillimisht me Luftëtarin dhe më pas me Kukësin. Nuk është hera e parë që Milinkoviç përflitet në Vlorë. Edhe në sezonin e shkuar qarkulloi si emër, por nuk pati asgjë zyrtare. Megjithatë, duket se më i mundshmi është Jeton Beqiri. Ky i fundit aktualisht është trajner i Shkëndijës. Burimet zyrtare konfirmojnë për gazetën, se deri të dielën pritet që të vendoset gjithçka pasi Beqiri mund të shkëputet nga Shkëndija. Për 41-vjeçarin, ambienti në Vlorë është shumë i njohur.

Ai ka qenë zv.trajner i Flamurtarit sezonin 2017-2018, kur trajner ishte Shpëtim Duro. Jeton Beqiri ka pasur eksperienca si trajnerë te Renova dhe Struga. Në sezonin 2021-2022 ka qenë trajner i Bylisit dhe më tej ka pasur një eksperiencë te klubi Al Jabalain dhe te Shkëndija e Tetovës. Dje, ka “zbarkuar” në Vlorë edhe Artim Pollozhani. Ky i fundit ka marrë një detyrë shumë të rëndësishme, teksa do të jetë drejtues i klubit, do të vendos për merkaton dhe do të zgjedh trajnerin e ri. Fillimisht duhet që të zgjidhet çështja e trajnerit. Për këtë ka pasur po dje një takim kokë më kokë mes Sinan Idrizit dhe Artim Pollozhanit, ku janë shqyrtuar kandidatët.

ADMINISTRATORI Sinan Idrizi konfrimon për “Panorama Sport” diskutimet me trajnerët Jeton Beqiri dhe Mladen Milinkoviç. Ai thotë, se klubi nuk do të nxitohet por do të vendos në momentin e duhur.

“Këta që ju po thoni janë dy nga kandidatët tanë, por kemi në shqyrtim edhe një tjetër. Nuk do të nxitohemi. Kësaj here besoj se e kemi “jetë a vdekje”. Jam duke diskutuar me Artim Pollozhanin këtë çështje dhe do të dalim me vendim në kohën e duhur. Me këtë të fundit po diskutojmë edhe për lojtarët. I ka gati 10 futbollistë për t’i sjellë në Vlorë”, u shpreh Sinan Idrizi. Duke iu referuar fjalëve të fundit të administratorit kuqezi, i bie që Flamurtari të jetë në prag të një revolucioni të madh në ekip. Në Vlorë pritet që merkatoja e verës të jetë “e nxehtë”, pasi administratori Idrizi la të kuptohet se do të ndërtohet një Flamurtari i ri për sezonin 2024-2025, ku si fillim do të emërohet trajneri i ri. Nëse drejtori i ri (ndonëse i pazyrtarizuar) Artim Pollozhani ka gati 10 afrime të reja, i bie që edhe largimet të jenë të konsiderueshme. Sebastian La Torre, Antoni Beji, Gustavo Benjumea, Marko Kriviçiç janë thuajse të larguar, por edhe disa të tjerë janë jashtë planeve dhe në ditët në vijim pritet të bëhen zyrtare.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"