EKSKLUZIVE/ Aksionet e AF Elbasanit drejt shitjes, ja kush mund të jetë presidenti i ri
Në Elbasan janë në metrat e fundit të arritjes së marrëveshjes për shitjen e një pjese të aksioneve të klubit të futbollit, i cili u krijua nga ana e bashkisë më 21 qershor të vitit 2021. Bëhet fjalë për AF Elbasani, që këtë sezon do të militojë në Kategorinë e Parë, ndërsa në harkun kohor të dy viteve arriti të ngjiste një e nga një shkallët, duke qenë vetëm një hap elitës së futbollit shqiptar.
Deri tani, klubi është financuar nga ana e Bashkisë së Elbasanit, me ndihmën e donatorëve vendës, por duket se që këtej e tutje barrën financiare nuk do ta mbajë më vetëm institucioni vendor.
BISEDIMET – Burime të besueshme të “Panorama Sport”, kanë zbardhur edhe palët e interesuara. Së fundmi ka dalë në skenë një kompani që merret me platformat “online” në internet dhe kryesisht menaxhimin dhe shitjet e biletave, sigurisë etj. Kompani që zotërohen prej Kujtim Llupës, që mbetet kandidati më potencial.
Mësohet se administratorët e kësaj kompanie kanë pasur takim me drejtues të klubit të futbollit të Elbasanit dhe kanë negociuar për të parë mundësinë e investimit në këtë klub futbolli. Burimet pohojnë se bëhet fjalë vetëm për një pjesë të aksioneve, për të marrë maxhorancën e tyre, pasi pjesën tjetër për momentin pritet ta ketë sërish në menaxhim Bashkia e Elbasanit.
Megjithatë, ende palët nuk kanë dalë në një konkluzion përfundimtar, pasi ka ende detaje për t’u përmbyllur. Sakaq, përgjatë kësaj kohe ka pasur interesime edhe nga të tjerë biznesmenë apo kompani për të vënë në zotërim aksionet e këtij klubi futbolli, ndaj mbetet për t’u parë se cila do të jetë më bindëse për të marrë në dorëzim AF Elbasanin. Duket se marka e Elbasanit tërheq jo pak investitorët që duan një klub futbolli, ndaj edhe interesimi nuk ka munguar deri më tani. Ndoshta, javën e ardhshme mund të vijë edhe zyrtarizimi për shitjen e klubit.
SITUATA – Aktualisht klubi AF Elbasani është në pronësi 100% të Bashkisë së Elbasanit, e cila krijoi dy vite më parë skuadrën e re të qytetit, për shkak se ekipi tradicional KF Elbasani ishte peng i një shitjeje më parë te një kompani angleze.
Gjyqet pa fund dhe në një situatë ku nuk po gjendej gjuha e përbashkët me ish-aksionerin e ndjerë Arben Laze, detyruan Bashkinë e Elbasanit që me një votim unanim në Këshill Bashkiak më 21 qershor 2021 të krijonin nga e para një klub të ri, tanimë AF Elbasani. Ngjyrat ishin po të njëjtat ato verdheblu dhe sot është e vetmja skuadër që përfaqëson qytetin.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"