EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-kapitenit Beqiri: Lojtarë jashtë rolit, ja pse vuan Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2021 | 13:22

EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-kapitenit Beqiri: Lojtarë jashtë rolit, ja pse vuan Vllaznia

Mungesa e stabilitetit në fazën mbrojtëse ka bërë që Vllaznia të pësojë plot 5 gola në vetëm tri ndeshje të këtij kampionati. Për një ish-kapiten dhe për më tepër ish-mbrojtës të Kombëtares si Elvin Beqiri, kjo vjen edhe prej faktit se disa lojtarë nuk po luajnë në pozicionet e tyre natyrale në repartin difensiv.

elvin beqiri

Në një intervistë për “Panorama Sport”, shkodrani që drejton sot Tërbunin në Kategorinë e Parë i bën një analizë startit të sezonit duke vënë në dukje problematikat.

Elvin, si ju duket starti i sezonit nga Vllaznia?

Duke e krahasuar me sezonin e kaluar, starti nuk është ai që kemi pritur. Këtë sezon Vllaznia është futur në kampionat me petkun e pretendentes, ndryshe nga kampionati që shkoi.

Nëse bëjmë krahasimin, më duhet të them se vjet dy fazat e para kanë qenë shumë cilësore. Tashmë janë luajtur vetëm tri ndeshje, por edhe në fitoren që kemi bërë në Laç, nuk është se loja ishte totalisht e mirë. Edhe aty skuadra shfaqi mangësira, ndërsa ndeshjet me Teutën dhe Partizanin konfirmuan se Vllaznia ka probleme.

Për çfarë problemesh e keni fjalën?

Më duken më tepër probleme mentaliteti dhe fizike. Në sezonin e shkuar e kemi lavdëruar ekipin për lojën kompakte që bënte, ndërsa tani në këto tri ndeshje, përtej faktit se përballë ka pasur tri skuadra shumë të forta, unë kam parë një farë shumimi sa i përket luftës që bëjnë lojtarët.

Vjet Vllaznia nuk iu dha shumë mundësi kundërshtarëve për ta sulmuar, sidomos në dy fazat e para. Ai ekipi shfaqte ritëm gjatë gjithë ndeshjeve, ndërsa këtë nuk e shikon në tri javët që janë luajtur.

Janë pësuar pesë gola në tri takime, çfarë nuk ka shkuar sipas jush, për më tepër që jeni një ish-qendërmbrojtës?

Së pari, unë mendoj se merkatoja duhet që të ishte më racionale. Nuk duhet që të kishte afruar më shumë lojtarë në sulm sesa në mbrojtje. E them këtë, pasi janë larguar disa mbrojtës nga sezoni i kaluar. Ajo që vihet re me lehtësi është fakti se në mbrojtje po luajnë lojtarë jashtë rolit të tyre.

Rasti konkret është me Gurishtën dhe Krujën, ku i pari po luan në qendër, ndërsa i dyti në krahun e djathtë, në një kohë që është mesfushor. Dianje duket që nuk është në kondicionin më të mirë të tij. Po ashtu, mund të them se edhe mesfushën e shikoj me probleme, pasi i ka humbur ritmi dhe agresiviteti. Ndërsa sulmi është reparti që të ngroh më shumë te kjo Vllazni. Për mua skuadra duhet të rritet në mentalitet, të jetë më kërkuese dhe cinike, ashtu siç ka qenë në kampionatin e fundit.

Në sulm janë tetë lojtarë për tri vende…

Nuk mendoj se problem është mbipopullimi në sulm, pavarësisht se mund të kesh më shumë lojtarë rezervë në sulm apo mesfushë, sesa në mbrojtje.

Vllaznia luan të shtunën në transfertë ndaj Skënderbeut, çfarë ndeshjeje prisni?

Do të jetë një përballje e vështirë.  Vllaznia e ka pasur të vështirë edhe në finalen e Kupës me Skënderbeun, që ka pothuajse të njëjtin ekipin si vjet. Skuadra duhet që të kthehet te lojërat e veta, të mos kënaqet me rezultat minimal dhe të mbyllet prapa. Megjithatë, unë besoj te një rezultat pozitiv i Vllaznisë në këtë përballje.

Cilët, sipas jush, janë rivalët më të fortë të Vllaznisë këtë sezon?

Rivaliteti do të jetë shumë i madh këtë sezon. Megjithatë, ka shumë javë për t’u luajtur dhe mbetet për t’u parë ecuria e ekipeve.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"