EKSKLUZIVE / Apeli i Demrozit: Egnatia do grupet! Të bëjmë krenarë të gjtihë shqiptarët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2024 | 23:33

EKSKLUZIVE / Apeli i Demrozit: Egnatia do grupet! Të bëjmë krenarë të gjtihë shqiptarët (E PLOTË)

Egnatia ka lënë pas krahëve eliminimin dramatik në Ligën e Kampioneve javën e kaluar dhe të enjten ka hedhur një hap të rëndësishëm përpara për kalimin e turit në Ligën e Konferencës me fitoren 0-1 në Islandë kundër Vikingurit.

demrozi

Kampionët e Shqipërisë triumfuan në transfertë me golin e Xhoel Dokure në pjesën e parë. Entuziazmi ishte i madh në kampin rrogozhinas, edhe pse drejtuesit dhe stafi teknik janë mundur ta largojnë euforinë, duke vënë në dukje faktin se asgjë nuk ka përfunduar sa i takon kualifikimit.

DEMROZI –Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, presidenti i rrogozhinasve, Agim Demrozi, është shprehur i kënaqur për rezultatin dhe ka theksuar se skuadra tregoi karakter pas eliminimit, sipas tij të pamerituar, kundër Borac Banja Lukës. Numri 1 i klubit bardhejeshil shtoi se Egnatia ka tashmë mentalitetin e fituesit dhe se ka ende shumë për të dhënë në fushën e lojës. “Jam i kënaqur në tërësi për lojën e skuadrës dhe rezultatin e arritur kundër Vikingurit, një skuadër me cilësi që po bën mirë në kampionatin islandez.

U munduam ta interpretonim si duhet sfidën dhe me pak kujdes mund të kishim shënuar edhe golin e dyte. Megjithatë, falënderoj futbollistët për atë që dhanë në fushë, trajnerin dhe gjithë stafin për fitoren që kemi marrë në Europë. Vinim pas një jave, ku humbëm 3 futbollistë, po ashtu nuk luanin as Zejnullai me Bakajokon, por në fund ia dolëm. Dua të theksoj faktin se asgjë nuk ka përfunduar sa i takon kualifikimit. Kemi ende shumë punë për të bërë dhe duhet ta përgatisim ndeshjen e kthimit sikur të jemi 0-0”, tha presidenti Demrozi në lidhje me sfidën e dyfishtë me islandezët e Vikingurit.

GRUPET – Më tej, kreu i klubit rrogozhinas përsëriti objektivin e tij për të shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. “Kam shumë besim te çdo njeri që punon në klub dhe do të bëj gjithçka që të arrijmë objektivin tonë për të shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Shanset janë, futbollistët gëzojnë një formë të mirë dhe mendoj që me pak fat do të arrijmë të bëjmë krenarë të gjithë shqiptarët”, u shpreh presidenti i Egnatias, Demrozi.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"