EKSKLUZIVE/ Bekenbaueri e donte në Gjermani, rrëfehet ish-kapiteni Demollari: Si e takuam “Kaizerin” në Marsejë (E PLOTË)
“Atë djaloshin, Demollarin, a mund të ma jepni ta marr me vete në Gjermani…?”. Kjo ishte fjalia e Bekenbauerit që qarkulloi për vite të tëra në ambientet futbollistike pas ndeshjes së Shpresave në Shkodër mes Shqipërisë dhe Gjermanisë më 19 nëntor të vitit 1983, e vlefshme për kualifikueset e Europianit. Ndeshja përfundoi 1-1 me gola të Demollarit 20’ dhe Mathy 33’. “Kemi qenë një brez i artë”, thotë Demollari për “Panorama Sport”. Ndërkaq, kur pyetet për deklaratën e famshme të Bekenbauerit asokohe, legjenda e futbollit shqiptar e kalon me sportivitet.
“Të jem i sinqertë e kam dëgjuar edhe unë nga të tjerët, por jo nga vetë Bekenbauer apo ndonjë pjesëtar i stafit gjerman. Isha ende shumë i ri. Me të dëgjuar e kam, pra që ‘Kaizeri’ kishte bërë një vlerësim pozitiv për mua dhe këtë ia kishte shprehur përkthyesit Pano Lulo, por unë vetë nuk e kam dëgjuar këtë”, thotë Demollari.
Demollari, a është e vërtetë që Bekenbauer, pasi ju ka parë nga afër në një ndeshje të “Shpresave” në Shkodër, ka kërkuar t’ju marrë në Gjermani?
Të jem i sinqertë e kam dëgjuar edhe unë nga të tjerët, por jo nga vetë Bekenbauer apo ndonjë pjesëtar i stafit të tyre. Isha ende shumë i ri. Me të dëgjuar e kam, pra që “Kaizeri” kishte bërë një vlerësim pozitiv për mua dhe këtë ia kishte shprehur përkthyesit Pano Lulo, por unë vetë nuk e kam dëgjuar këtë.
A keni pasur ndonjë kontakt me Bekenbauerin?
Po, kur luajtëm me Dinamon kundër Marsejës më 1991 dhe ai ishte aty si trajner dhe si drejtor sportiv. Më së shumti në ndeshjen që luajtëm në Marsejë, se këtu nuk të lejonin t’i afroheshe.
Çfarë mbani mend?
Ishte njeri shumë autoritar, por edhe shumë i thjeshtë. Komunikues dhe ndoshta edhe i zoti me batutat, sepse më kujtohet që gjatë drekës zyrtare, ai komunikonte me presidentin e Marsejës dhe me zyrtarë të tjerë dhe ata qeshnin me ato që po thoshte.
“Ai është poshtë Zotit dhe sipër kancelarit”! Kjo është shprehja e gjermanëve për Bekenbauerin…
Ishte lojtar i jashtëzakonshëm, trajner fitues dhe personalitet i respektuar. Bëri revolucion për kohën dhe ishte i guximshëm në disa ndryshime që bëri.
Rumenige thotë se ai për më shumë se 4 dekada, ka pasur në çdo ndeshje një vend të rezervuar në stadiumin e Bajernit. Po në Shqipëri, a vlerësohen kështu legjendat? Ju a ndiheni kaq i vlerësuar?
Ju falënderoj për konsideratën, por gjërat ndryshojnë. Bekenbauer ishte një yll botëror. E megjithatë, unë jam i mendimit që edhe në Shqipëri legjendat, apo ikonat e sportit të brezave të ndryshëm duhet të vlerësohen më shumë. Qoftë edhe duke e pasur një vend në mënyrë simbolike në tribunë. Është respekti mbi të gjitha. Ndoshta me kalimin e kohës disa gjëra do të bëhen më mirë edhe te ne.
JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"