EKSKLUZIVE/ Besa si uragan në merkato. Ish-mesfushori i Partizanit bëhet përforcimi i 10-të për trajnerin Josa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2024 | 18:31

EKSKLUZIVE/ Besa si uragan në merkato. Ish-mesfushori i Partizanit bëhet përforcimi i 10-të për trajnerin Josa

Besa është kampionia e merkatos së verës në Kategorinë e Parë. Kavajasit duken të vendosur për të siguruar ngjitjen në elitën e futbollit, ku emri i Besës mungon prej një dekade. Falë bashkëpunimit të kryebashkiakut Fisnik Qosja dhe presidentit të klubit Nexhat Bizhdili, Besa shikohet si kandidatja kryesore në këtë sezon në të parën për të siguruar rikthimin në Superiore.

Nilsen Gjinaj, besa

Kavajasit kanë kryer  “goditjen” e dhjetë në merkton e verës dhe pikërisht bëhet fjalë për mesfushorin Nilsen Gjinaj. 24—vjeçari vjen nga fqinjët e Luzi 2008, ku në sezonin e fundit ka qenë titullar i padiskutueshëm. Gjinaj është një produkt i akademisë Partizani, për të vazhduar më pas me ekipin e parë dhe Partizanin B. Që nga 2022 Nilsen Gjinaj ka kontribuuar për Luzin dhe tani do të veshë fanellën verdhezi të Besës. 24-vjeçari është një përforcim më shumë për kavajasit, ku Gjinaj shton konkurrencën në qendër të mesfushës. 24-vjeçari është vënë nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa, ku dihet që nga 10 korriku Besa ka nisur përgatitjet për sezonin e ri.

Mentor Mazrekaj, Jurgen Goxhaj, Donald Mëllugja, Bind Maxhuni, Erduan Ibrahimi, Jurgen Mehidri, Andri Stafa, Erlis Frashëri dhe Indio Oliveira janë përforcimet që ka kryer Besa përpara afrimit të mesfushorit Gjinaj. Më herët, presidenti Bizhdili për “Panorama Sport” pohoi se Besa do të kryente 10 afrime. Me ardhjen e Gjinajt ky numër quhet i plotësuar, por gjasat janë që merkatoja të mbetet e hapur edhe për një sulmues me eksperiencë.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"