EKSKLUZIVE/ “Bomba” e Kukësit, Longo kontakton Xhovinkon. Ja prapaskenat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2022 | 23:59

EKSKLUZIVE/ “Bomba” e Kukësit, Longo kontakton Xhovinkon. Ja prapaskenat (E PLOTË)

Kukësi tenton goditjen e bujshme në merkaton e janarit. Orët e fundit ka dalë në skenë emri i Sebastian Xhovinkos, ish-fantazistit të Juventusit dhe kombëtares italiane, i cili mund t’u bashkohet verilindorëve.

LONGO XHOVINKOKur Longo dhe Xhovinko festonin me trofe tek Al Hilal në Arabi

Burime të rezervuara të “Panorama Sport” pranë kampit kuksian konfirmojmë se nuk bëhet fjalë thjesht për një fantazi merkatoje, por një mundësi reale, edhe pse normalisht shanset janë të pakta për ta bindur që një lojtar i këtij kalibri të luajë në futbollin shqiptar.

Detyra për të negociuar i takon trajnerit Diego Longo, i cili ka edhe një njohje personale me lojtarin, pasi e ka trajnuar gjatë sezonit 2019-2020 tek Al Hilal në Arabinë Saudite.

PRAPASKENAT – Gazeta zbulon ekskluzivisht se fillimisht ka pasur një bisedë paraprake të Longos me Xhovinkon rreth shanseve që ky i fundit të shohë si mundësi edhe ardhjen në kampionatin shqiptar.

Të dy më herët kanë punuar tek Al Hilal, ku Longo kishte rolin e zv.trajnerit, ndaj dhe njohin mirë njëritjetrin e për më tepër janë të dy italianë.

Gjithsesi, fillimisht lojtari që mbush 35 vjeç më 26 janar, nuk e ka konsideruar si mundësi, duke qenë se bëhet fjalë për një kampionat që nuk e stimulon shumë, por jo gjithçka mund të konsiderohet e mbyllur.

Komunikimi fillestar është bërë dhe “grepat” janë hedhur për të parë edhe se deri ku qëndron dëshira e lojtarit.

Burimet në klub tregojnë se për momentin ish-mesfushori i Juventusit nuk ka thënë një “jo” përfundimtare, ndaj në Kukës shpresojnë që të nisin sa më parë edhe bisedimet zyrtare, për t’u ndalur më pas edhe te termat ekonomikë.

SHANSET – Gjithsesi, duke parë kalibrin e Xhovinkos dhe karrierën e tij, duket gati një mision i pamundur ardhja e tij te Kukësi, por në merkato gjithçka mund të ndodhë. Pikërisht “çelësi” që mund të zgjidhë këtë operacion është marrëdhënia e mirë me trajnerin Longo, i cili mësohet se po merret personalisht me këtë operacion.

Xhovinko aktualisht është pa skuadër, që pas largimit nga Al Hilal dhe ndeshjen e fundit zyrtare e ka luajtur më 30 maj të vitit të kaluar. Në merkaton e janarit mundësitë për të gjetur një ekip cilësor janë të pakta, ndaj gjashtë muaj në elitën e futbollit shqiptar dhe për më tepër me një trajner që e njeh mirë, mund të konsideroheshin si të pranueshme edhe për 35-vjeçarin.

Nëse Xhovinko gjatë këtyre ditëve nuk do të mund të gjente një ekip që përmbush kërkesat e tij, atëherë Kukësi me Longon pritet të mbesin një opsion real.

FINANCAT – Megjithatë, përpos të gjithave, ngërçi më i madh është ai financiar, sepse ish-futbollisti i përfaqësueses italiane do të kërkonte një pagë të majme. Por, për një lojtar të këtij kalibri, ndoshta presidenti Safet Gjici do të sakrifikonte dhe do të bënte një nga goditjet më të bujshme në futbollin shqiptar.

Me një stadium të ri, në vitin jubilar të Kukësit në elitë, Gjici do të ishte i pari që do të donte ta kurorëzonte me një goditje “big” investimin e tij te verilindorët, ndaj një sforco ekonomike për gjashtë muaj është duke u menduar seriozisht në këtë kamp. Në fund të fundit, kjo do të ishte edhe një dhuratë e bukur për tifozët e Juventusit në Shqipëri.

KARRIERA – Sebastian Xhovinko e ka nisur karrierën me moshat e Juventusit dhe shihej si një nga lojtarët më premtues të brezit të tij tek Italia. I konsideruar shpesh edhe si pasardhësi i Alesandro del Pieros, Xhovinko shkoi të luante në huazim sa tek Empoli, Parma dhe më pas edhe te bardhezinjtë, por gjithsesi pa shkëlqyer në nivelin që pritej.

Pas vitit 2013 u largua nga Juventusi për të shkuar në Kanada me ekipin e Torontos dhe më pas për herë të fundit tek Al Hilal në Arabinë Saudite. Aktualisht ai është pa një ekip dhe në garë për ta afruar ka hyrë Kukësi. Ka trofe të shumtë në karrierën e tij, ku veçohen tre titujt kampionë me Juventusin në Serinë A, si edhe titujt e fituar jashtë Italisë në Kanada dhe Arabinë Saudite.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"