EKSKLUZIVE/ Bregu mban peng Flamurtarin, pret një klub jashtë vendit. Ja prapaskenat me sulmuesin vlonjat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2024 | 23:20

EKSKLUZIVE/ Bregu mban peng Flamurtarin, pret një klub jashtë vendit. Ja prapaskenat me sulmuesin vlonjat

Dejvi Bregu mban peng Flamurtarin. Talentit vlonjat ende nuk po i mbushet mendja të rikthehet në shtëpi, pavarësisht negociatave të shumta. “Panorama Sport”, mëson se 28-vjeçari u takua dje me Sinan Idrizin dhe drejtues të tjerë të klubit.

Kur Dejvi Bregu prezantohej në Poloni te Visla Krakova

Kur Dejvi Bregu prezantohej në Poloni te Visla Krakova

E ndërsa administratori Idrizi dhe trajneri Andrea Agostineli prisnin një përgjigje pozitive nga Bregu, ky i fundit ka dribluar. Shkak mësohet se është bërë një ofertë e majme që ka ardhur nga jashtë në drejtim te vlonjatit. Gazeta zbulon se një grup menaxherësh spanjollë interesohen për Bregun dhe kanë hyrë në kontakte me të, ndërsa nuk zbulohet më shumë se cili mund të jetë destinacioni i tij.

“Jam duke studiuar disa oferta jashtë vendit. Kam një mundësi të mirë dhe një kontratë të majme. Nëse nuk do të transferohem jashtë Shqipërisë, do të vijë te Flamurtari”. Kështu mësohet se u ka thënë Dejvi Bregu drejtuesve të Flamurtarit gjatë takimit më të fundit. Burime pranë lojtarit thanë dje për gazetën, se e shikojnë jo shumë të afërt transferimin në Vlorë të Bregut që mesa duket është joshur shumë nga oferta jashtë vendit. “Jam shumë shpejt për t’u rikthyer te Flamurtari. Të ardhmen e shoh jashtë Shqipërisë”. Kështu citojnë fjalët e talentit vlonjat, njerëz të afërt pranë tij për “Panorama Sport”. Duket se ngjarjet kanë marrë një rrjedhë të papritur pasi klubi dhe Bregu kishin hyrë në negociata intensive dhe se rikthimi ishte pranë. Por telefonata e spanjollëve ka prishur planet e Flamurtarit, që po tentonte fort të rikthente pas 10 vitesh në Vlorë futbollistin e larguar në moshën 18 vjeçare. Sezonin e fundit, Bregu ka qenë në Poloni te Visla Krakovë. Aktualisht është lojtar i lirë dhe po stërvitet çdo ditë në mënyrë individuale në fushën e klubit “Labëria” në Nartë.

IKËN NJË TJETËR VLONJAT – Pas Fjoralb Deliajt, që u transferua te Lushnja, Flamurtari ka humbur një tjetër prodhim të akademisë vlonjate, Albi Metanin. 20- vjeçari është larguar për mungesë të hapësirave. Meta konfirmon divorcin gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”.

“Qysh në moshën 8 vjeçare kam ëndërruar të përfaqësoj ekipin e qytetit tim, Flamurtarin. Ja arrita në moshën 16 vjeçare dhe që atëherë nuk kam ndaluar së dhëni maksimumin në çdo seancë stërvitore apo ndeshje që më është dhënë mundësia të jem pjesë. Ka qenë nder dhe privilegj i pakrahasueshëm të mbash veshur atë fanellë aq të rëndë, por sot me keqardhje se çfarë lë mbas më duhet të njoftoj se rrugëtimi im me Flamurtarin ndalon këtu. Ishte ky një vendim i vetë klubit. Falënderoj këdo që kam pasur nderin të ndaj ditët e mia aty, nga të cilët mendoj se kam fituar në çdo aspekt si profesional, por edhe personal. Një falënderim i veçantë i shkon presidentit Sinan Idrizi, i cili më hapi derën e futbollit profesionist, por edhe për mundësinë e dhënë dhe besimin e vazhdueshëm që ka pasur tek unë. Dua që t’u them mirupafshim dhe jo lamtumirë”, përfundon Metani. Burimet bëjnë me dije se vlonjati pritet që të qëndrojë në Kategorinë e Parë dhe se në ditët në vijim do të mësohet edhe e ardhmja e tij.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"