EKSKLUZIVE/ Bruno Dita: Të bëjmë diçka të bukur, ja pse zgjodha Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2024 | 16:16

EKSKLUZIVE/ Bruno Dita: Të bëjmë diçka të bukur, ja pse zgjodha Dinamon

Janë ditët e fundit të pushimeve për Dina mon, që të hënën do të rikthehet në fushë për të nisur përgatitjet e sezonit të ri. Klubi ka bërë gjithçka gati që skuadra të punojë e qetë për më shumë se dy javë në kompleksin e Arbanës, para se të niset drejt Italisë për të vazhduar fazën përgatitore.

dita

Të hënën në selinë blu pritet edhe ndonjë fytyrë e re, përveç atyre që janë përmendur kohët e fundit nga gazeta. Rikthehet me fanellën blu pas shumë vitesh Bruno Dita, i zyrtarizuar si përforcimi i parë big nga klubi kryeqytetas. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori 31-vjeçar tregon pse zgjodhi blutë dhe çfarë synon të arrijë bashkë me 18 herë kampionët e vendit.

Bruno, pse vendose të largohesh nga Shkëndija pas 4 sezonesh dhe pse zgjodhe Dinamon, pasi emri juaj u lakua edhe në skuadra të tjera?

Vendimin për t’u kthyer në Shqipëri e mora për të qenë afër familjes. Kjo ishte arsyeja kryesore. Për të zgjedhur Dinamon pastaj ishte këmbëngulja e madhe e presidentit Adrian Bardhi. Gjithë këto vite më ka kërkuar, mora vesh që edhe në janar më kishte kërkuar, por unë isha në kontratë me Shkëndijën e Tetovës. Kjo këmbëngulje e tij bëri që të ishte Dinamo zgjedhja e parë, pavarësisht se ishin edhe disa ekipe të tjera që më kërkonin.

E ke lënë Dinamon në kushte të tjera para shumë vitesh dhe tani e gjen në një moment, ku ky klub kërkon të shkojë në vendin që ka pasur edhe dikur, në majat e futbollit shqiptar…

Po, vërtet, e kam lënë Dinamon në një moment të vështirë. Ishte ndër ekipet më të mira të futbollit shqiptar, por për fat të keq nuk mundi të vazhdonte në atë rrugë. Tani është ndryshe, është në riformatim e sipër. Është një Dinamo e re dhe shpresojmë që sa më shpejt të shkojë te lavdia e asaj skuadrës të atyre viteve.

Por nuk do të jetë e lehtë, ju besoj e keni ndjekur kampionatin që ka rivalitet. Sa besoni se mund të shkojë Dinamo në ato nivele?

Do të jetë e vështirë normalisht, por futbolli ka treguar që nuk ka shumë diferenca. Mendoj se me 3- 4 blerje të mira nga klubi besoj se do të jemi një ekip simpatik dhe do të rivalizojmë. Por shumë e vështirë do të jetë, kjo nuk ka diskutim. Sepse është një Dinamo në ngritje dhe duhet kohë që të marrim frytet.

Sa e njeh skuadrën aktuale?

Njoh disa nga lojtarët, por pak prej tyre. Njoh Rustemin (Hoxhën), Vilën, Meksin, kurse me të tjerët kam luajtur si kundërshtar, ndërsa tani do t’i kem shok ekipi.

Edhe trajnerin Mehmeti keni njohje nga koha e Dinamos, apo jo?

Po, me profesor Tanin kam qenë që te moshat e Dinamos dhe ai ka qenë një nga shtytësit kryesorë që unë u futa në ekip të parë dhe u aktivizova atëherë. Kam njohje të vjetër me të dhe është një arsye më shumë që erdha te Dinamo.

Për 4 vitet e kaluar te Shkëndija e Tetovës, çfarë do të veçonit në raport me futbollin shqiptar?

Kam kaluar shumë mirë te Shkëndija. Më kanë respektuar shumë dhe unë kam dhënë shumë për atë skuadër. Respekti ka qenë reciprok, unë i kam respektuar në fushë, ata në anë të tjera. Në Maqedoninë e Veriut lojtarët mbase individualisht janë pak më mirë se në Shqipëri. Për anët e tjera, infrastrukturë, stadiume, media e të tjera, ne jemi më lart. Jo te Shkëndija, por për përgjithësi. Jemi më lart edhe taktikisht.

Është herët për të folur për kampionatin e ri, por një ide e ke, sepse dihet që janë derbit me Partizanin dhe Tiranën, Vllaznia gjithmonë rival dhe Egnatia skuadra e momentit. A mund t’i përballojë Dinamo këto sfida?

Duke u nisur nga kampionati i fundit, duhet thënë se asnjë ndeshje nuk ka qenë e lehtë. Jo vetëm me këto skuadra që synojnë gjithmonë lart, edhe me ato që ranë nga kategoria nuk ishte e lehtë. Kemi rastin e Kukësit, që ishte gati i rënë nga kategoria, edhe pse jo matematikisht, por u hapi probleme të gjitha ekipeve. Shkoi deri në finale të Kupës së Shqipërisë. Çdo gjë do kohën e vet, por shpresojmë që të bëjmë një gjë të bukur, një gjë të madhe. Por do të jetë e vështirë. Me disa blerje të mira besoj se do t’ia dalim. Kam shumë besim te presidenti se do të zgjedhë lojtarët e duhur.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"