EKSKLUZIVE/ “Daja më la në stol kur arrita formën”, Kaçe nuk kursen kritikat ndaj Partizanit: Erdha për titullin. më çuan tek U-21 për të… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2022 | 23:32

EKSKLUZIVE/ “Daja më la në stol kur arrita formën”, Kaçe nuk kursen kritikat ndaj Partizanit: Erdha për titullin. më çuan tek U-21 për të… (E PLOTË)

Ergys Kaçe ishte afrimi më i madh i Superiores në verën e vitit të shkuar, por korçari nuk arriti të ambientohet te Partizani në ato pesë muaj që iu dha mundësi të luajë në kryeqytet. Në janar erdhi largimi plot histori i tij nga Partizani, teksa drejtuesit e detyruan mesfushorin të stërvitet edhe me ekipin U21. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Kaçe tregon çfarë nuk shkoi te Partizani dhe çfarë e zhgënjeu më së shumti në aventurën e tij në kryeqytet, ku sipas tij nuk erdhi për para, por për të provuar shijen e të luajturit futboll në atdhe.

ergys kace

Përse nuk shkoi si duhet aventura te Partizani? Shumë njerëz thonë se trajneri jua dha mundësinë, por ju nuk ishit në formën e duhur…

Aventura te Partizani nuk shkoi mirë, sepse humbëm shumë pikë në fillim nga gabimet tona kur ndeshjet i kishim në dorën tonë dhe i humbnim në një moment, kur njëri prej nesh bënte gabim individual. Më pas skuadra u ngarkua me stres dhe morëm shumë barazime. Unë kisha shumë probleme në fillim prej pozicionit ku luaja, por sigurisht edhe prej faktit se kisha shumë kohë pa luajtur. Këto nuk më ndihmonin, ashtu siç nuk më ndihmoi as ecuria jonë, sepse nuk po fitonim dot, por edhe karakteristikat e kampionatit nuk u përshtatën me cilësitë e mia. Gjithsesi, nuk mendoj se është e gjithë barra e problemit mbi mua, sepse në një skuadër luajnë 11 lojtarë, nuk isha vetëm unë në fushë.

Kush jua kërkoi largimin nga Partizani dhe si u ndjetë pas kësaj?

Largimin fillimisht e desha vetë, sepse kur nisa të gjej formën time dhe të ndihem mirë në fushë, trajneri (Ilir Daja) vendosi të më lërë jashtë formacionit në dy nga ndeshjet më të forta, ndaj Kukësit dhe ndaj Tiranës. Pas kësaj u mërzita dhe desha të largohesha.

Përse zgjodhët të luanit te Partizani, ndikoi paga?

Unë erdha te Partizani për të fituar kampionatin. Nuk erdha për paratë, sepse kisha kontratë me Aris, ku fitoja më shumë se atje. Te Partizani erdha të provoj si është të luash në vendin tënd, por gjërat nuk shkuan ashtu si i menduam dhe pastaj erdhi edhe ndarja.

A patët ndonjë bisedë me trajnerin Mehmeti? Dhe përse mendoni se Partizani këmbënguli aq shumë për t’ju larguar?

Nuk kam pasur asnjë bisedë me trajnerin Mehmeti, sepse ishte vendosur përfundimisht se unë do të largohesha. Më pas desha të qëndroj, por e dija se klubi e kishte të vështirë të më mbante, sepse kisha rrogën më të lartë në skuadër dhe ata më morën për të fituar kampionatin, diçka që u bë e paarritshme.

Çfarë ndikoi që u përshtatët aq shpejt te Veria në Greqi?

Për mua është shumë më e lehtë në Greqi, sepse këtu jam rritur. Këtu futbolli ka kualitet tjetër dhe është më e lehtë për mua. Gjithashtu, skuadra ku po luaj (Veria) është shumë e fortë dhe gjithçka po shkon ashtu siç duhet dhe këtë kërkoja kur u transferova këtu.

Përse Partizani ju dërgoi të stërviteshit në ekipin U21 dhe a mendoni të ktheheni të luani sërish në të ardhmen në Shqipëri?

Fakti që më dërguan të stërvitem me ekipin U-21, më shtyn të mos kthehem më në kampionatin shqiptar, sepse nuk më respektuan për atë që unë isha dhe përfaqësoja. Mendoj se më dërguan atje, sepse deshën të më mërzisnin që të largohesha sa më shpejt. Edhe për pagat, unë kam falur shumë nga kontrata ime para se të ikja.

eee (1)

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"