EKSKLUZIVE/ Dëmtim me risk për kapitenin e Partizanin, klubi izraelit është i interesuar për shërbimet e Muratajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 8:21

EKSKLUZIVE/ Dëmtim me risk për kapitenin e Partizanin, klubi izraelit është i interesuar për shërbimet e Muratajt

Valentino Murataj nuk mundi të udhëtojë me skuadrën drejt Gjeorgjisë për shkak të atij dëmtimi që pësoi në sfidën e kthimit kundër Marsaslok.

murataj

Në një përplasje me kundërshtarin në minutën e pestë, kapiteni pësoi një goditje në gju. Për tre minuta u përpoq të luante, por përplasja rezultoi më e fortë seç dukej dhe iu desh të linte fushën e lojës. 27-vjeçarit gjatë këtyre ditëve i është dashur të pushojë, teksa pas disa ekzaminimeve të kryera është vënë re një dëmtim në gju, por ende nuk është specifikuar qartë specifika e tij.

Rrezikohet edhe më e keqja, që është një këputje e ligamentit, teksa në rastin më të mirë Murataj do të duhej të rikuperonte një ndrydhje të asaj pjese delikate të gjurit. Aktualisht këmba është ende e ënjtur dhe do të duhen edhe disa vizita të mëvonshme për të kuptuar qartësisht llojin dhe shkallën e dëmtimit. E sigurt është se Murataj i ka humbur ndeshjet e Europës dhe duhet të mendojë vetëm për startin e Superiores, që sërish duket i vështirë për tu arritur. Në rastin më të keq Muratajt do t’i duhej një pauzë prej plot 6 muajsh dhe në versionin me më pak dëme, 1 muaj jashtë.

Sakaq, ende enigmë mbetet dëmtimi Marçelino Prekës, që gjithashtu rrezikon një mungesë të gjatë.

E ARDHMJA – Ky dëmtim mund të jetë përcaktues për të ardhmen e Muratajt. Mediat izraelite pranë klubit të Hapoel Tel Aviv e lidhin ngushtë Muratajn me një kalim në një prej klubeve më të titulluara në vendin e vet. Partizani do të ishte gati ta linte të lirë kapitenin për të firmosur një marrëveshje shumë më fitimprurëse, edhe pse kontrata aktuale skadon në verën e vitit të ardhshëm. Për mesfushorin ka pasur interes edhe nga disa klube azere dhe turke, të cilat presin që mesfushori të lirohet nga bashkëpunimi 4- vjeçar me Partizanin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"