EKSKLUZIVE/ Dhuna në ndeshjen Tirana-Bylis, gjyqtarët në shtëpi me forca speciale! Ja çfarë nuk u pa në TV
Në fund ndeshjen e sfidës mes Tiranës dhe Bylisit, tifozët dhe jo vetëm, kanë dhunuar gjyqtarët e ndeshjes. Sipas informacioneve të “Panorama Sport”, janë goditur dhunshëm, madje edhe me sende të forta, gjyqtarët Kridens Meta, Denis Rexha, Xhulio Mani dhe Olti Çela.
Të katër gjyqtarët janë dhunuar deri në hyrje të dhomave të zhveshjeve, edhe pse kanë qenë të shoqëruar me policë. Situata ka qenë shumë e tensionuar, aq sa deri në shtëpi gjyqtarët janë shoqëruar nga forcat speciale të policisë. Gjyqtarët kanë qenë me hematoma nga goditjet.
-Për këtë ngjarje ka reaguar edhe policia me një deklaratë zyrtare. “Më datë 25.05.2023, në përfundim të ndeshjes Bylisi-Tirana, në Rrogozhinë, disa tifozë të Tiranës kanë hyrë në fushë dhe kanë tentuar të dhunojnë gjyqtarët e ndeshjes. Shërbimet e policisë kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar këta shtetas, për të cilët po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale”, njoftuan uniformat blu.
-Disa herë është ndalur loja gjatë ndeshjes. Në fillim u ndal 5 minuta loja, pasi gjyqtari kërkon që tifozët e Tiranës të mos valëvitin flamujt e tyre, pasi bllokojnë pamjet e VAR-it. Te goli i parë, VARit iu deshën 3 minuta për të verifikuar golin. Në pjesën e dytë, loja u ndal 6 minuta pasi bardheblutë protestonin për penalltinë e dhënë në favor të Bylisit.
-1.45 ishte koeficienti për fitoren e Tiranës në sfidën ndaj Bylisit. Në minutën e dytë Abu përplaset pa dashje me Lulajn, ka momente paniku, por në fund ndërhyjnë mjekët e skuadrës. -Tirana në sfidën e djeshme ishte vetëm katër minuta kampione e Shqipërisë.
-Në fund të lojës në rrëmujat e zhvilluara është goditur edhe lojtari i Bylisit, Loran. Turma nuk ka ditur kë ka marrë përpara.
-Duke qenë se hyrja ka qenë pa bileta, e lirë, numri i spektatorëve ka qenë afër 1000. Rreth 700 kanë qenë tifozët bardheblu dhe pjesa tjetër tifozë rrogozhinas e nga rrethinat e këtij qyteti.
-Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, disa minuta ka qëndruar në fushë me delegatin Besnik Çela kur ekipet ishin në nxehje. Ka qenë një shi i lehtë që e spostoi bisedën e tyre brenda tunelit ku hyjnë dhe dalin ekipet në fushë. Pastaj me nisjen e ndeshjes së bashku me vëllanë e tij, ishkryebashkiaku mallakastriot, Agron Kapllanaj, ka qëndruar në tribunën VIP.
-Në minutën e 10-të, asistenti i parë, Denis Rexha, ka kërkuar ndërhyrjen e drejtuesve të Tiranës për të vënë në qetësi tifozët kryeqytetas, të cilët shpërthyen në një lumë fyerjesh e sharjesh për arbitrat.
-Në momentin e dhënies së 11-metërshit për miqtë janë futur në fushë gjithë pjesëtarët e stafit teknik të Tiranës, duke filluar nga trajneri Orges Shehi. Ata kanë kontestuar ashpër vendimin e arbitrit, por dhe faktin që gjyqtari nuk ka shkuar ta shohë në VAR këtë moment tepër përcaktues për fatin e kësaj ndeshjeje.
-Ndodh për herë të parë që Tirana nuk kryen asnjë zëvendësim përgjatë 100 minutave që vijoi ndeshja.
-Pas vërshëllimës së arbitrit Meta, drejtuesit e Tiranës kanë shpërthyer tek arbitrat për t’i kërkuar llogari për akordimin e 11-metërshit.
Nga këto kontestime nuk ka qëndruar inaktive dhe tifozëria kryeqytetase, ku disa tifozë kanë çarë rrethimin e brendshëm dhe arritën deri te “gardhi” brenda në fushë, ndonëse me shumë policë, që mori në mbrojtje arbitrat e me tepër vështirësi i kaloi ata (gjyqtarët) deri në tunelin në drejtim të dhomës së tyre ku kanë qëndruar të mbrojtur nga forcat policore për mbi një orë.
-Tefik Osmani dhe Grent Halili, të dënuar nga Disiplina, ishin të pranishëm në fushën e lojës gjatë rrëmujave të fundtakimit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"