EKSKLUZIVE/ Dinamo forcon krahët e sulmit, transferon ish-sulmuesin e Vorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2024 | 12:20

EKSKLUZIVE/ Dinamo forcon krahët e sulmit, transferon ish-sulmuesin e Vorës

Pa shumë zhurmë, Dinamo po forcon skuadrën e sezonit të ri. Eridon Qardaku është afrimi i radhës te blutë e kryeqytetit, duke e çuar kështu në 4 numrin e përforcimeve në merkaton e verës, pas Bruno Ditës së zyrtarizuar, Peter Mandelës dhe Aldo Teqjas. Sulmuesi shkodran ka mbyllur gjithçka me klubin blu dhe pritet vetëm zyrtarizimi.

qardaku

Ai pritet të firmosë një kontratë 2-vjeçare me kryeqytetasit. Qardaku, i rritur tek akademia e Vllaznisë, vjen te Dinamo pas një sezoni me Vorën, ndërsa në Superiore është aktivizuar me Bylisin disa sezone. Sezonin e fundit në Kategorinë e Parë ka luajtur 28 ndeshje dhe ka shënuar 9 gola. Futbollisti 23-vjeçar luan si sulmues i të dy krahëve, por edhe në qendër. Ky është një nga ato afrime që llogaritet si alternativë për repartin e avancuar, si një zëvendësues i Zabërgjës konkretisht, por askush nuk e pengon shkodranin që të synojë formacionin.

Për sulmin blutë kanë aktualisht në skuadër edhe Lorenco Vilën dhe Baton Zabërgjën nga krahët, si dhe Luis Kaçorrin dhe Mandelën për qendrën. Afrimet në këtë repart s’do të mbyllen me Mandelën dhe Qardakun, Dinamo do të afrojë të paktën edhe një lojtar në vazhdim të merkatos. Synimi është afrimi i një sulmuesi me peshë, që do të ishte lideri i repartit ofensiv. Për momentin nuk ka ende të dhëna sa i takon këtij lojtari, por e sigurt është se sulmuesi kryesor do të ketë një kosto të lartë për klubin kryeqytetas.

MBROJTJA – I vetmi repart, ku Dinamo nuk ka bërë ende asnjë afrim, është mbrojtja. Me mbylljen e kampionatit janë larguar disa lojtarë të prapavijës, si Behiratçe, Marku dhe Allmuça, kështu që edhe afrimet pritet të jenë po tre. Për qendrën po shihet një mbrojtës brazilian, por ende nuk mund të flitet për një akord, ndërsa për krahët pritet që afrimet të bëhen nga skuadra të kampionatit shqiptar. Për momentin titullarët e mbrojtjes janë Meksi, Hoxha, Janku dhe Lorran, ndërsa në dispozicion është edhe Mija. Deri më 1 korrik, kur Dinamo të zbresë në fushë për të nisur përgatitjet e verës, pritet që skuadra të jetë e kompletuar deri në 90% të saj.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"