EKSKLUZIVE/ “Dinamo ka projekt ambicioz”, Memushaj: Ndeshja jonë është Polonia, përsërisim historinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2023 | 12:54

EKSKLUZIVE/ “Dinamo ka projekt ambicioz”, Memushaj: Ndeshja jonë është Polonia, përsërisim historinë

Vlonjatët kanë lënë gjithmonë gjurmë në Kombëtaren shqiptare. I fundit ndër ta është Ledian Memushaj, mesfushori që pati fatin të ishte pjesë e kuqezinjve në pjesëmarrjen historike në Europianin 2016 që u zhvillua në Francë. Pasi u shkëput nga futbolli i luajtur, Memushaj, me një karrierë të pasur në Itali, ka nisur tashmë atë të trajningut, duke u bërë pjesë e projektit të Dinamo City në rolin e ndihmësit të Luixhi di Biaxhos.

ledian memushaj

Në prag të dy ndeshjeve eliminatore që Shqipëria ka ndaj Çekisë dhe Polonisë, vlonjati ka dhënë mendimet e tij për “Panorama Sport”. Memushaj është shprehur besimplotë për një kualifikim të dytë në Europian. Në gjykimin e ish-mesfushorit ndeshja e rëndësishme e Shqipërisë është ajo me Poloninë në Tiranë dhe mjafton që të mos humbet për të prekur kualifikimin për herë të dytë.

KOMBËTARJA – “Shoh një atmosferë shumë pozitive, në skuadër dhe ambientin rrotull, drejtuesit dhe tifozët. Për mua Silvinjo ka bërë një punë shumë të mire. Ai ka krijuar ambientin e duhur në grup dhe kam bindjen se është njeriu i duhur për Shqipërinë. Çekia dhe Polonia janë ndeshje shumë të rëndësishme. Unë mendoj se ndeshja vendimtare e Shqipërisë është Polonia në Tiranë. Shqipëria këtë ndeshje duhet ta ketë më shumë në vëmendje, për ta përballuar me sukses. Ndeshjen me Poloninë, Kombëtarja jonë nuk duhet ta humbasë. Edhe nëse barazon, është në rregull, sepse e tillë është situata. Skuadra duhet të ketë durim dhe kujdes në fushë. Nëse fiton, aq më mirë, por edhe një pikë për mua e ndihmon shumë Shqipërinë në vazhdim. E them këtë, pasi humbja e Polonisë në Moldavi i prishi hierarkitë e grupit tonë”, ka thënë Memushaj, i cili e mbylli me futbollin dy vite më parë, ndërsa më pas drejtoi Peskarën U-19, klubit ku luajti më shumë në Itali.

SHANSET – “Kjo Kombëtare i ka të gjitha mundësitë që të kualifikohet në Europian. Ka kualitet në skuadër, ka një staf të kualifikuar, ka atmosferën, entuziazmin e çdo gjë tjetër. Nuk mungon asgjë. Ne, kur shkuam në Europian, ishim një Kombëtare e panjohur. Dua të them se nuk kishim shumë lojtarë të njohur, por ishim një grup i fortë, kompakt, që me shumë sakrificë u kualifikua në Europian. Tani është ndryshe, Kombëtarja jonë është një skuadër internacionale. Kemi lojtarë që i njeh gjithë bota, luajnë me klube të mira, në kampionatet më të forta europiane. Edhe Silvinjo më jep shumë besim, kështu që kemi shanse të shkojmë në ‘Euro 2024’”, deklaroi më tej ishmesfushori kuqezi.

DINAMO CITY – Memushaj ka komentuar shkurtimisht edhe aventurën te Dinamo City, ku është zv.trajner. “Kam ardhur me shumë dëshirë, sepse është një projekt serioz dhe ambicioz nga drejtuesit e klubit. Kuptohet, do kohë, por besoj se Dinamo do të shkojë gradualisht në vendin që i takon. Me Xhixhin (Di Biaxho) kemi diskutuar edhe më parë për mundësinë e një bashkëpunimi në Itali. Doli ky variant te Dinamo në Shqipëri dhe ishte fiks. Është diçka e bukur, si në kohët e fillimit në Kombëtare”, përfundoi zv.trajneri 36- vjeçar i bluve.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"