EKSKLUZIVE/ Dinamo kërkon qetësi në çdo repart, synohet edhe mesfushori titullar i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2023 | 21:06

EKSKLUZIVE/ Dinamo kërkon qetësi në çdo repart, synohet edhe mesfushori titullar i Tiranës

Pistat e merkatos së Dinamos janë të fokusuara në Superiore dhe në kampionatin kosovar, në të dyja rastet për lojtarët që e njohin mirë futbollin shqiptar. Rruga më e thjeshtë në letër për të ndërtuar një skuadër stabël për sezonin e ardhshëm, që të hedhë themele të forta për më tej, dhe pse jo, të arrijë në Kupat e Europës.

aleksi tirana

Nuk do të jetë e lehtë, sepse në kohë merkatoje konkurrenca bën të vetën, aq më shumë që Dinamo mungon në Europë dhe vjen pas dy vitesh me ulje-ngritje. Megjithatë, në kampin dinamovit janë të vendosur të ndjekin strategjinë e tyre.

MESFUSHORI – Emri i ri në shënjestrën e bluve të kryeqytetit, pas atyre që gazeta bëri me dije në numrin e djeshëm, është Albano Aleksi. Mesfushori 30- vjeçar ishte pjesë e Tiranës sezonin e fundit, por me këtë klub atij i ka përfunduar kontrata, ndaj dhe Dinamo e sheh si një pistë konkrete për fuqizimin e skuadrës. Aleksi ka eksperiencë dhe është një ndër lojtarët më të mirë në rolin e tij, skuadrës së trajnerit Mehmeti do t’i bënte shumë punë. Ky futbollist, ashtu si dhe Frashëri, Trashi, Rustem Hoxha, Behiratçe dhe Telushi, bën pjesë në listën e dëshirave të Dinamos, kështu që duhet pritur për të mësuar si do të shkojnë bisedimet.

Blutë do të luajnë me garancinë financiare, që është një pikë e fortë e klubit, përveç emrit të Dinamos. Pastaj mbetet në dorën e Aleksit për të vendosur, nëse do të rinovojë me Tiranën, apo do të preferojë Dinamon ose ndonjë klub tjetër. Ajo që mund të thuhet aktualisht ka të bëjë me faktin se mesfushori është ndër emrat e parë në listën e merkatos së Dinamos, që kërkon më shumë grintë në skuadër dhe Aleksi e ka atë. Më parë 30-vjeçari ka luajtur për Butrintin, Luftëtarin dhe Teutën. Së fundi ai ka marrë një dënim nga Komisioni i Disiplinës me 6 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet. Deri tani ka shlyer dy ndeshje.

TË TJERËT – Në fokusin e klubit kryeqytetas janë edhe lojtarë të tjerë nga Superiorja. Për role të veçanta, si për shembull porta, po shihen disa elementë përveç Frashërit, në mënyrë që t’i paraprihet çdo situate. I gjithë qëllimi i drejtuesve të Dinamos është që deri më 15 korrik Dinamo të jetë e kompletuar dhe stafi teknik mund të punojë i qetë. Po ndiqen lojtarë që sezonin e fundit ishin pjesë e skuadrave si Bylisi, Erzeni apo dhe Vllaznia, por emrat konkretë ende nuk janë zbuluar. Klubi po bën përpjekje për të pasur një Dinamo solide sezonin e ri.

HUAZIMET – Me mbylljen e kampionatit, te Dinamo do të rikthehen disa lojtarë që janë nën kontratë me të dhe që muajt e fundit ishin huazuar në skuadra të tjera. Rasti i Albion Markut është i njohur tashmë, ai është përforcimi i parë i Dinamos, pas huazimit njëvjeçar te Teuta. Nga Lushnja do të rikthehet Ali Samake, titullar së fundmi me skuadrën myzeqare. Françesko Daia ishte huazuar te Besëlidhja, Xhoel Plaku tek Elbasani dhe Lorenco Hasani te Gramshi. Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë klubi me këta lojtarë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"