EKSKLUZIVE/ Dinamo pret një tjetër futbollist, ish-mbrojtësi i Kukësit do të jetë afrimi i radhës tek blutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2024 | 9:41

EKSKLUZIVE/ Dinamo pret një tjetër futbollist, ish-mbrojtësi i Kukësit do të jetë afrimi i radhës tek blutë

Dinamo mbetet aktive në merkato. Kanë mbetur edhe pak ditë deri në nisjen e skuadrës drejt Italisë për vazhdimin e fazës përgatitore dhe drejtuesit e klubit kryeqytetas duan të kompletojnë grupin e lojtarëve.

lamce

Afrimi i radhës për blutë pritet të jetë sërish në mbrojtje dhe bëhet fjalë për Franko Lamçen. Futbollisti 25-vjeçar ishte pjesë e Kukësit sezonin e kaluar dhe vjen te Dinamo si një alternativë për qendrën e prapavijës, por mund të luajë edhe në krahë. Palët duket se kanë arritur akordin dhe pritet vetëm që Lamçe të zyrtarizohet si pjesë e kryeqytetasve për sezonin e ardhshëm. Ai do t’u bashkohej Hoxhës, kroatit Muzek që u prezantuar disa ditë më parë, dhe Jankut, duke kompletuar kështu qendrën e mbrojtjes. Në këtë pozicion luan edhe i riu Gjikola i ardhur nga Besëlidhja dhe që po vazhdon provën me blutë. Lamçe luajti 31 ndeshje me Kukësin gjatë kampionatit që shkoi, ndërsa më parë është aktivizuar me disa skuadra në futbollin grek, si Episkopi, Asteras Vlakoti dhe Platanias.

KRAHËT – Afër Dinamos është edhe kosovari Bekim Maliqi, 22-vjeçari kosovar që njihet në futbollin shqiptar pas aktivizimit me Erzenin sezonin e kaluar. Nëse blutë firmosin edhe me këtë lojtar, atëherë mbrojtja do të ishte e dubluar në çdo rol, përveç krahut të majtë, ku pritet një alternativë për Lorran. Gjatë kësaj periudhe me kryeqytetasit u stërvit pak ditë edhe Faton Xhemajli, por me të nuk u arrit një marrëveshje, sepse mbrojtësi i majtë nuk kishte pasaportë shqiptare. Drejtuesit e klubit kanë më shumë në vëmendje lojtarët me dokumente shqiptare, duke qenë se aktualisht kanë në skuadër disa të huaj dhe ndonjë tjetër mund të afrohet në fundin e merkatos.

MERKATO – Deri tani Dinamo ka bërë 5 afrime zyrtare dhe konkretisht Ditën, Mandelën, Qradakun, Teqjan dhe Muzek. Por nevojat mbeten të mëdha, sepse nga skuadra e sezonit të kaluar ka pasur shumë largime. Më afrimin e mundshëm të Lamçes dhe Maliqit stafi tekniku qetësohet për prapavijë. Pastaj vëmendja do të jetë e gjitha te një mesfushor dhe një sulmues me kualitet. Për këto role nuk ka ende emra kandidatësh, por pritet që ata të rritin cilësinë e skuadrës, që sezonin e ardhshëm pretendon të jetë në katërshen më të mirë të kampionatit.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"