EKSKLUZIVE/ Dinamo riorganizon strukturën, ish-kapiteni do të jetë drejtori i ri sportiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2024 | 10:33

EKSKLUZIVE/ Dinamo riorganizon strukturën, ish-kapiteni do të jetë drejtori i ri sportiv

Dinamo është në organizim e sipër për sezonin e ri, ku synon t’i japë fundit tranzicionit të gjatë dhe të rikthehet në nivelet e larta të futbollit shqiptar.PINARI-770x433Klubi kryeqytetas, përveç punës në merkato për skuadrën e re, ka riorganizuar edhe strukturën e vet drejtuese, duke plotësuar çdo hallkë të nevojshme për mbarëvajtjen e punës. Stafi teknik është konfirmuar zyrtarisht nga presidenti Adrian Bardhi. Blutë do të drejtohen nga trajneri Dritan Mehmeti, me ndihmës Fatjon Tafajn dhe Ilir Bozhiqin, si dhe italianin Korrado Sakone, si përgatitës atletik.

PINARI, DREJTOR SPORTIV

Risia e strukturës së re është emërimi i Luan Pinarit në postin e drejtorit sportiv, ku zëvendëson Haris Fakiç. Pinari u afrua në klub më shumë sesa një vit më parë, fillimisht si pjesë e stafit të Mehmetit dhe prej verës së kaluar iu besua posti i drejtorit të akademisë së Dinamos. Ish-kapiteni do të mbikëqyrë sërish akademinë, ku tashmë është afruar edhe një tjetër dinamovit, si Erjon Xhafa. Presidenti Bardhi ka si qëllim të afrojë në klub sa më shumë dinamovitë dhe pak kohë më parë një tjetër ishkapiten, Arjan Pisha, ka marrë drejtimin e ekipit U-17. Pinari tashmë ka si detyrë parësore atë të drejtorit sportiv te 18 herë kampionët e vendit. Ai, bashkë me drejtuesit e tjerë të klubit dhe stafin teknik, do të përpiqen të sjellin në skuadër futbollistët e nevojshëm për të përmbushur objektivat e Dinamos. Blutë synojnë që të zënë një vend në 4-shen e parë dhe do të tentojnë t’i shkojnë deri në fund Kupës së Shqipërisë, çka përkthehet me pjesëmarrjen në kupat e Europës.

SKUADRA

Kryeqytetasit kanë ruajtur një grup lojtarësh nga sezoni i kaluar, ku spikasin Sali, Hoxha, Lorran, Gudiabi, Qefalija, Vila, Zabërgja dhe Kaçorri, ndërkohë që janë afruar Dita, Mandela, Teqja dhe Qardaku. Merkatoja blu duket se është në kulmin e saj dhe afrimi i radhës pritet të jetë një brazilian për mbrojtjen. Palët kanë rënë dakord dhe ardhja e këtij lojtari është vetëm çështje ditësh. Më pas do të ketë edhe dy goditje të mëdha për sulmin dhe mesfushën. Me nisjen e stërvitjes nga skuadra në Arbanë do të mësohen më shumë detaje për merkaton e Dinamos.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"