EKSKLUZIVE/ “Do iki jashtë”, Sota pas largimit nga Partizani: Krenari të luaja me “demat”, ja pse nuk arritëm te rinovimi… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2024 | 20:10

EKSKLUZIVE/ “Do iki jashtë”, Sota pas largimit nga Partizani: Krenari të luaja me “demat”, ja pse nuk arritëm te rinovimi… (E PLOTË)

Një nga goditjet e para që Partizani mori sa u përket largimeve, ishte Eljon Sota.sotaKlubi dhe mbrojtësi nuk arritën të gjejnë në asnjë moment gjuhën e përbashkët dhe në fund ndanë rrugët në heshtje. Para pak ditësh ishte vetë mbrojtësi që zyrtarizoi ndarjen, teksa në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, fieraku tregon për rinovimin e munguar, diskutimet për të ardhmen dhe momentet më të bukura e më të vështira të tri viteve si lojtar i Partizanit.

Eljon, si po i kaloni pushimet? A e keni nisur punën për sezonin e ri?

Pushimet shkuan shumë mirë, por tashmë quhen të përfunduara. Po stërvitem me një trajner individual për të ruajtur formën, por edhe për të rritur performancën time fizike.

Përse nuk erdhi rinovimi me Partizanin? E quani kapitull të mbyllur aventurën me të kuqtë?

Rinovimi nuk ndodhi, sepse palët nuk ranë dot dakord me njëra-tjetrën. Nuk besoj se mund të ketë një marrëveshje të re në vijim, por në rast se do të vendos të qëndroj në Shqipëri, ekipi i parë që do të kontaktoja do të ishte Partizani.

Pra, e ardhmja pritet të vijojë në një kampionat jashtë Shqipërisë?

Si çdo futbollist, edhe unë kërkoj transferimin jashtë vendit për të bërë një hap akoma më të madh. Kam disa mundësi dhe do të shohim se çfarë do të dhurojnë ditët apo javët në vijim.

Jeni përfolur për një kalim të mundshëm në Turqi apo Rumani. Ka ndonjë të vërtetë në këto lajme?

Kanë qenë thjesht diskutime. Nuk ka asgjë konkrete apo zyrtare, sepse për momentin nuk e kam një marrëveshje të tillë.

Cili ishte momenti më i bukur me Partizanin në këto tri vite? Po më i vështiri?

Tri sezonet te Partizani mund t’i përshkruaj si një eksperiencë shumë emocionuese dhe të suksesshme. Ka qenë një përvojë që do ta mbaj mend gjatë, sepse isha pjesë e klubit më të madh në Shqipëri, me tifozerinë më të zjarrtë dhe me lojtarët më të mirë në vend. Ka qenë eksperienca më e mirë deri më tani. Si momentin më të bukur do të cilësoja titullin kampion të vitit të shkuar dhe derbin e parë të fituar me golin e Skukës me shifrat 1-0. Më i vështiri mund të them ndeshja finale kundër Egnatias dhe eliminimi nga Astana në “play off” të Ligës së Konferencës.

Çfarë mendoni se mund të kishit bërë më mirë?

Në këtë sezon mund të kisha bërë unë dhe ekipi më mirë. Duhet të kishim arritur të fitonim njërin nga trofetë. Na vjen keq për titullin, që e humbëm vetëm në finale në ndeshjen e fundit.

Për çfarë do t’ju marrë malli më së shumti në ambientin e kuq?

Do të më marrë malli për shokët e ekipit, për të dalat pas stërvitjes dhe diskutimet që bënim së bashku. Kishim harmoni shumë të mirë dhe kalonim bukur me njëritjetrin. Do të më marrë malli edhe për mbështetjen që kam ndier nga tifozët.

DENIS LALA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"