EKSKLUZIVE/ “Do njoftojmë afrimet së shpejti”, Takaj: Skënderbeu po formohet, trajneri pika jonë e fortë! “Pishman” ndeshja me… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2024 | 23:53

EKSKLUZIVE/ “Do njoftojmë afrimet së shpejti”, Takaj: Skënderbeu po formohet, trajneri pika jonë e fortë! “Pishman” ndeshja me… (E PLOTË)

Skënderbeu ka mbyllur sezonin dhe ekipi ka nisur pushimet. Kjo nuk ndodh për presidentin Ardjan Takaj, që vijon të punojë për të plotësuar dhe konturuar ekipin për sezonin e ri. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, presidenti i Skënderbeut flet për sezonin që sapo u mbyll dhe arritjet e korçarëve në merkato duke u ndalur gjithashtu edhe te sezoni i ri.

takaj 12121212121212121212

Skënderbeu mbylli sezonin në vendin e tretë. I kaloi pritshmëritë?

Nëse flasim tani që kemi mbyllur këtë sezon, normalisht që shumëkush mund të thotë që e prisnim një ecuri të tillë. Por të jem i sinqertë, ekipi ka tejkaluar çdo pritshmëri. E them këtë, pasi të gjithë e dinë se ne vinim nga Kategoria e Parë dhe kishim ndërtuar një ekip kryesisht të ri, me shumë afrime që kërkonin konfirmimin.

Por rezultoi të ishte një zgjedhje e guximshme dhe mbi të gjitha e duhur, duke bërë një sezon fantastik. Prandaj, tani që kampionati është mbyllur, mund të dalim në konkluzionin se ndryshe nga sezonet e tjera, merkatoja që ne kemi zhvilluar këtë sezon ka qenë një nga më të mirat. Këtë e them me bindje, pasi kemi afruar 15 lojtarë dhe të gjithë kanë justifikuar besimin e dhënë në momentin e parë.

Kur thoni që ka qenë merkatoja më e mirë, keni parasysh faktin që shumë prej futbollistëve të Skënderbeut janë në kërkim nga ekipe të tjera jashtë Shqipërisë?

Sigurisht që edhe ky është një faktor që na bën të ndihemi mirë, pasi tregon se lojtarët kanë përqafuar dhe vlerësuar projektin e klubit. Ka dhe faktorë të tjerë që unë dal në këtë konstatim dhe kanë të bëjnë kryesisht me përshtatjen dhe impenjimin që futbollistët e Skënderbeut kanë pasur gjatë gjithë sezonit.

Për mua kjo është ajo që ka më shumë rëndësi, sepse ne si klub kemi krijuar tashmë një standard dhe jemi në kërkim vetëm të lojtarëve që kanë ambicie dhe duan të tregojnë vlerat dhe potencialin e tyre. Nëse ka lojtarë që s’kanë të tilla ambicie dhe pritshmëri për veten e tyre, me keqardhje them që nuk bëjnë pjesë në projektin e Skënderbeut.

Nëse ndalemi te ndeshja me Partizanin, a ju kanë mbetur pengje?

Po, dhe këtë e them me shumë keqardhje. Jo për rezultatin, pasi ajo është një pjesë e medaljes, që s’përcaktohet ndonjëherë nga ajo që tregon ekipi në fushë.  Paraqitja e ekipit ka qenë ajo që nuk më ka pëlqyer. Nuk ka qenë Skënderbeu i vërtetë, me potencialin e tij real në atë ndeshje, pasi ekipi është në gjendje të bëjë më shumë dhe e ka treguar këtë. Por ndoshta në atë takim lojtarët s’kanë mbajtur dot presionin dhe nuk janë mësuar të përballojnë ndeshje finale, ku specifikat janë shumë të ndryshme nga një ndeshje kampionati. Kjo është ajo që më ka mërzitur në atë takim.

Nga ana tjetër është Gvozdenoviç. Si qëndron situata e trajnerit?

Nuk ka asgjë për të diskutuar në lidhje me trajnerin. Gvozdenoviç është trajneri i Skënderbeut dhe kjo nuk ndryshon. Ka një kontratë trevjeçare me ne dhe është i palëvizshëm. Kështu që për mua kjo bisedë mbyllet këtu.

Pra, keni gjetur njeriun e duhur në krye të skuadrës?

Padyshim që po. Gvozdenoviç është një kampion dhe ka qenë fitues si lojtar për tri sezone me Skënderbeun. Ai e njeh më mirë sesa kushdo ambientin dhe ka pasur suksesin e futjes së mentalitetit fitues dhe mentalitetit të klubit edhe te lojtarët, që nuk e dinin se çfarë është Skënderbeu dhe çfarë përfaqëson ky klub. Kjo ka bërë që të kthehet shumë shpejt në një ekip fitues dhe padyshim që ka meritat e veta në këtë pjesë.

Frenklin dhe Xhantu janë larguar ende pa u mbyllur sezoni. Ishte surprizë për ju?

Nuk mund ta quaj surprizë, pasi asgjë s’ndodh rastësisht. Frenklin e kishte treguar që në ditën e parë që ambiciet e tij shkonin shumë më larg sesa Skënderbeu. Erdhi në ambientin e duhur, punoi çdo ditë me kokën ulur për të treguar gjithmonë cilësitë e tij dhe u rrit shumë si lojtar nga një ndeshje në tjetrën. Erdhi momenti që ai u shit. Po kështu edhe Xhantu. Skënderbeu nuk bëhet pengesë për asnjë, përkundrazi është promotori më i madh i lojtarëve, që kanë qëllime dhe ambicie të qarta në karrierën e tyre.

A kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri? Nëse po, çfarë ndryshimesh presim?

Ne jemi në fazën finale të plotësimit të ekipit për sezonin e ri, pasi s’duam që të jemi të papërgatitur. Kemi filluar gjithçka që herët. Por ju lutem, kërkoj mirëkuptimin tuaj për të mos hyrë më shumë në detaje në lidhje me këtë pjesë. Dua që të tregohem i rezervuar për të mos dhënë informacione, që mund të na dëmtojnë marrëveshjet. Do të keni shumë shpejt informacionet e para kur të kemi arritur akordet.

A e ka përmbushur akademia pritshmërinë e presidentit?

Akademia ka hyrë tashmë në fazën e rëndësishme, që fillon të punohet në të gjitha moshat me një qëllim të vetëm. Mund ta quaj se ka arritur të kapë stadin e kërkesave të ekipit të parë. Cilësi ka dhe kjo më bën të ndihem mirë, pasi vëmendja jonë është e madhe edhe në ekipet zinxhir. Por duhet të dinë diçka që për të kapur ekipin e parë, ata djem të rinj do të duhet të djersijnë shumë, jo vetëm një ditë, por gjatë gjithë vitit. Vetëm kështu do të kenë sukses.

Shqipëria në Europian. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Është një arritje e madhe për ne që jemi atje dhe jemi pjesë e ekipeve më të mira. Kjo është një fitore për ne. Nga ana tjetër, luajmë kundër emrave të mëdhenj të futbollit, që janë kampionë e nënkampionë bote. Por kemi treguar që me ekipet e mëdha ne luajmë më mirë. Le të mos vendosim objektiva, por të marrim gjithçka hap pas hapi, sikundër bëri Skënderbeu këtë sezon që u mbyll. Kështu do të kemi sukses. Jam i bindur që do të shijojmë në maksimum ato emocione që kombëtarja t’i fal.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"