EKSKLUZIVE/ “Ndiqja futbollin shqiptar prej italianëve”, Roberto Bordin: Objektivi i parë i Elbasanit është që të kuptojë se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 21:12

EKSKLUZIVE/ “Ndiqja futbollin shqiptar prej italianëve”, Roberto Bordin: Objektivi i parë i Elbasanit është që të kuptojë se…

Roberto Bordin ka marrë përsipër një mision jo të lehtë me Elbasanin në Superiore. Të rikthyer mes më të mirëve të futbollit shqiptar, verdheblutë duan të jenë medoemos pretendentë dhe të sigurojnë një trofe këtë edicion.

bordin

Në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i elbasanasve flet për ambientin në Shqipëri dhe në Elbasan, ku pretendon se e njeh edhe për shkak të kolegëve të tij italianë, të cilët kanë drejtuar më herët në vendin tonë. Bordin nuk vendos objektiva, por e ka me merak nisjen e kampionatit, duke marrë parasysh se skuadra vjen nga një ligë inferiore. Trajneri italian është i kënaqur me afrimet e bëra deri më tani, por duke parë dinamikat që sjell tregu i transferimeve, shprehet se nuk do t’i thoshte “jo” ndonjë tjetër afrimi.

Mister, çfarë ju bindi për të firmosur në futbollin shqiptar dhe konkretisht tek Elbasani?
Pak vite më parë kam qenë kundër Kukësit në këtë stadium për kualifikueset e Ligës së Europës. Është një ambient në rritje, ndërsa Elbasani ka një skuadër dhe klub të shëndetshëm, shumë të rëndësishëm në futbollin shqiptar. Edhe pse skuadra sapo është ngjitur në nivelin elitar, në klub i kanë idetë e qarta dhe duan të bëjnë mirë në kampionatin shqiptar.

Sa e njihni futbollin shqiptar?
E kam ndjekur, sepse ka pasur trajnerë të tjerë italianë që kanë trajnuar këtu dhe i kam njohur. Është një kampionat që më pëlqen shumë dhe siç e thashë, është në rritje të vazhdueshme. Për këtë arsye jam i kënaqur që ndodhem tek Elbasani.

Cilat do të jenë objektivat e Elbasanit këtë sezon?
Si fillim duhet të nisim mirë kampionatin dhe të kuptojmë se jemi në një tjetër nivel në krahasim me Kategorinë e Parë. Superiorja është diçka tjetër. Do të tentojmë të bëjmë sa më mirë dhe pastaj gjatë rrugës do të shohim.

Çfarë lojtarësh do të kërkojë ende Elbasani në merkato?
Klubi ka lëvizur mirë deri më tani në merkato dhe po shohim, nëse ka ndonjë gjë tjetër për të bërë. Mirëpo, deri më tani më duhet të them se drejtori sportiv dhe klubi kanë bërë gjëra të mëdha.

Në cilat reparte kanë nevojë për përforcime verdheblutë?
Nuk na mungojnë lojtarët në të gjitha repartet dhe mund të them se deri tani jemi mirë. Por, nëse deri në fund të merkatos do të kemi nevojë për ndonjë element tjetër, atëherë do të shohim.

VLADIMIR MEMA–PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"